Në fillimin e viteve ‘30-të, kryeqyteti shqiptar, Tirona, nën kujdesin e veçantë të qeverive të asaj kohe dhe personalisht të Mbretit Zog, nisi të formonte fizionominë e tij, si një qytet modern i përmasave evropiane.

Kjo gjë u bë e mundur edhe në sajë të punës së disa prej arkitektëve e urbanistëve të huaj, mjaft të njohur në Evropë (si italiani Brazini), të cilët u pajtuan prej Mbretit Zog për të projektuar e ndërtuar në kryeqytetin shqiptar rrugë dhe sheshe të gjera, lulishte e parqe të gjelbëruara, blloqe me vila të bukura, pallate për punonjësit e administratës shtetërore etj.

Të gjitha këto ndërtime që u bënë në atë kohë, e kthyen Tironën në një vend pelegrinazhi për shumë turistë dhe gazetarë të huaj, të cilët me shkrimet e reportazhet e tyre bënë që kryeqyteti shqiptar të njihej edhe më shumë në sytë e të huajve. Një ndër ata gazetarë që vizituan Tironën dhe shumë qytete e krahina të Shqipërisë së asaj kohe, ishte dhe rumuni Dr. Vlad Banteanu, i cili punonte për gazetën “Cuventul” të Bukureshtit.

Reportazhi i tij: “Tirona, qyteti dhe jeta e kryeqytetit të Shqipërisë” (i botuar fillimisht në gazetën “Cuvantul”), u përkthye nga publicisti e përkthyesi i njohur Anastas Plasari dhe u botua më pas edhe në gazetën “BESA” të Tironës, më 4 nëntor të vitit 1933.

Këtë reportazh, ku flitet me nota optimiste për kryeqytetin shqiptar të asaj kohe, po e japim të plotë në këtë shkrim, duke i qëndruar korrekt edhe gjuhës letrare të asaj kohe, me të cilën ai është botuar në gazetën në fjalë.

Tirona moderne

Prej pjacë së Tironë s‘bën disa hapa dhe arrin në rrugën Mbretnore që asht një rrugë moderne. Prej këtej sheh xhaminë e vjetër. Në Tironë gjen restorante evropianë, kafehane dhe ëmbëltore në të cilat njerzija rrin gjer më 12 të natës duke harxhuar bakllava dhe kadaif. Gratë nuk hyjnë në kafene se këto janë të rezervuara vetëm për burrat. Kur unë bashkë me shoqen time hyra në kafane, si çdo evropian ish një eveniment: Pothuaj u ngritën të gjithë më këmbë që të na shikonin më mirë. Jeta familjare vazhdon të jetë e kufizuar dhe e pushtuar prej supersticionesh dhe traditash të vjetra nga të cilat memzi po largohet gjenerata e re.

Shumë gra prej klasës së mesme dhe të ulët, vazhdojnë të mbajnë perçen dhje jo vetëm mohamedanët por edhe të krishterët. Hotelet përgjithësisht janë të pastër ndonëse nuk kanë komfortet t‘ona (përveç hotelet e mirë). Megjith këto në çdo dhomë hoteli gjen mobilie të reja si dysheqe etj. Vetëm një gjë mungon e këtë mund ta konstatosh shumë herë dhe ndër ne; ujë i rrjedhshëm ndër dhomat. Në qytete tash kanë filluar të bëhen kanalizime. Kjo mungesë e mos rregullimit të ujit të mirë rrjedh nga shkaku se duhet sjellë prej vendeve të largëta, prej maleve e kushton shumë.

Gjer sa të rezervohet kjo çështje ishin shumë të tjera për të mbaruarë. Prandaj në Tironën moderne ajo që të bën përshtypje ësht të shohësh ujë të ngarkuar në kafshë, sidomos kur për një kohë të gjatë nuk bije shi, shterojnë puset, dhe ahere ujë shitësit janë në qejf. Kur në Tironë dhe në qytete të tjerë do të ketë ujë të mjaft në barazim me dritën e elektrikut, do të bëhen shumë ndryshime. Vetëm në një hotel gjeta ujë të rrjedhshëm në një dhomë.

Besoj se gjer më sot shumica e hoteleve do ta kenë rregulluar çështjen e ujit dhe në këtë mënyrë do të zhduket dhe një kujtim i vështirë i Orientit. Kudo në Orient ndjehet era e trëndafilit, gjith kështu edhe në Tironë; baunknotat shqiptare e kanë këtë erë të ëmbël dhe karakteristike, sa që beson se në Shqipëri bankënotat mbahen prej grave…në gji. Në rruga dhe nëpër kafane, gjen plot lustro që me kutitë e tyre mbi të cilat kanë varur furçe, ulen, pa i thirrur nëpër këmbë të klientëve që rrijnë me qetësi në kafehane, ia marrin këmbën mbi kuti dhe fillojnë të lustrojnë…

Klienti me indiferencën e tij orientale nuk kundërshton e kështu pranon të bëhen këpucët dy tri herë në ditë vetëm me një lek. Gjithë shqiptarët i shihja me këpucë të lustruara dhe pandehja se e bëjnë nga përkujdesja për pastërti. Fort rrallë shihen njerëz që e heqin këmbën nga kutia e lustraxhiut i cili me hidhërim i shikonte këpucët e llustruara. Sa herë delja nga hoteli, më ndiqnin duke më thënë: Llustro zotni! Ata nuk dinin klush isha unë.

Afër Tironës të pret një rrugë shumë e kujdesur, e gjerë dhe me pemë nga të dy anët që lëshojnë hije; është Rruga e Durrësit që të shpije afër uzinave elektrike (njëra e një shoqërie italiane dhe tjetra shqiptare) afër kazermave dhe autorepartit.

Këtej është dhe një stacion i vogël, por modern i radios (3 kë që lidh Tironën me Vjenën, Zagrebin dhe Brindisin), shkon afër sheshit t‘aeroplanëve ushtarakë dhe civilë (në Shqipëri mund të gjesh aeroplanë që shkojnë në çdo qytet); kështu hyn në qytet me anën e rrugës “Nana Mbretneshë” që të shpije në qendrën e qytetit në pjacën “Skanderbeg”.

Në të gjithë kohën e udhëtimit shkon nëpërmjet rrugësh të gjera dhe të mbjella me dru anëve. Çuditesh kur sheh ndërtesa të mëdha të shtetit dhe vila private me stil ultramodern sa që kurrë nuk beson t‘i gjesh këtu.

Dy uzinat elektrike

Dy uzinat e elektrikut ndriçojnë dhe zbukurojnë kudo në mbrëmje, e kur hyn në qytet nuk besohet se je në Shqipëri. Në kohët e para Tirona ka qenë katund. Që në kohët e inidpendencës flitej që Tirona të bëhej kryeqytet nga shkaku i klimës së shëndoshë pozitive së saj në qendër dhe afër Durrësit që është skela kryesore. Q‘ahere qyteti shquhej nga pastërtia dhe shtëpitë e fshehura përgjysmë prapa mureve prej qerpiçi (plitharë) bënin përshtypje të këndëshme.

Rrugët përshkonin qytetin në rregull dhe ishin të gjata. Një rrugë, rruga Koço Kotta, është 3 km. e gjatë dhe përshkon lagjen më të vjetër, lagjia Abdulla bej, dhe shpije gjer afër malit të Dajtit. Rrugët janë të gjata sepse dhe qyteti ësht shumë i zgjeruar; zë një sipërfaqe prej 12 km. katror. Më 1880 Tirona ka pasur 20.000 banorë, më vonë ky nymër u pakësua. Nga shkaku i kopshteve shtëpitë janë të fshehura. Kodrat e shumta dhe malet e rrethit i japin një pamje të këndëshme dhe të mrekullueshme. Në lagjet e vjetra rrugët janë të qeta, këtu vazhdon të rrojë jeta orientale.

Tirona nuk ka lojtur ndonjë rol me rëndësi në historinë e Shqipërisë; është e një datës së re, ndonëse mbas traditës thuhet që ekziston qysh prej kohës së Skënderbeut. Ky qytet, simbas De Hshunit, ekziston vetëm që më 1600 e ka qenë themeluar prej një të quajturi Sulejman Beu. Traditat thonë se ky Sulejman kishte një shërbëtor i cili mbas një ëndrre të mrekullueshme shkoi në Pallatin e Padishaut dhe atje arriti të behet Vezir.

Atehere thirri ish-aganë e tij dhe i dhuroi një çiflig në Shqipëri; në këtë çiflig ndodhej edhe katundi Tironë, që i pëlqeu këtij dhe prandaj u stabilizua aty ku ngriti edhe një xhami që është edhe sot dhe quhet “Xhamija e vjetër”; është shumë piktoreske dhe ka dekorime të zografuara në mënyrë të këndëshme.

Prishja e ndërtesave të vjetra

Sot Tirona është kryeqytet, dhe në këtë përzijen vjetërsinat orientale me mbi modernizimin e importuar prej ingjinerëve dhe arqitektëve të huaj e të vendit. Qyteti transformohet çdo ditë dhe çdo gjë e vjetër që i qëndron përpara i bije viktimë. Kështu do të sakrifikohen pa sentimentalizma lagjet që sot vazhdojnë të jenë të mbuluara, të heshtura dhe misterioze prej poezisë orientale. Qyteti i ri është krej evropian; nga qëndra e pjacës “Skënderbeg” zgjaten disa bulevarde moderne të gjera të shtruara mirë me ronde të posaçme për lule etj. Çdo gjë që ndodhej përpara ingjinierëve u rrëzua pa mëshirë.

Një xhami i vjetër dhe e mirë, “Xhamija e Karapicit”, u shemb fare për t‘i bërë vend Bashkisë, para së cilës janë ngrehur njera pas tjetrës të gjitha godinat e ministrive. Vetëm godina e Parlamentit ka mbetur e vogël dhe modeste sikurse ka qenë bërë në kohën e Indipendencës, asnjeri nuk u kujtua për një tjetër godinë madhështore. Bulevardet më kryesore janë; Bulevardi “Zog i I” dhe Bulevardi “Musolini”, në të cilion ndodhen pothuaj të gjitha legatat.

Rruga “Nana Mbretëreshe” dhe ajo “28 Nëntori” (dit e proklamimit t‘indipendencës në Vlorë më 28 nëntor 1912 e cila festohet çdo vit me shkëlqim) përshkojnë dy bulevardetKudo ndërtesa të mëdha me beton arme zënë vëndin e shtëpive të vjetra; godinat zyrtare, hotelet, magazinat etj. Një lagje e posaçme e vilave banohet prej nënpunësve të Shtetit dhe prej të huajve që merren me tregti, industri, etj, shtrihet nga mali Dajt.

Tregu i qytetit që gumzhin

Përveç dy xhamive të vjetra (afër njërës gjendet një kube ku është varrosur themelonjësi i qytetit Sulejman pasha) në qëndër të qytetit është dhe pazari ku pasqyrohet jeta e vjetër qytetare dhe orientale. Rrugët e ngushta të pazarit janë plot me dyqane dhe puntorira të hapura dhe të zëna me mall të katundarëve që i sjellin për shitje.

Kallaballëk i madh kudo kur bijen në pazarllëk, blersi me qetësi karakteristike ulet afër mallit të shitësit dhe bisedon me nge, qoft edhe sikur të mos ujdisin, niset duke pranuar një “t‘u ngjat jeta” të ëmbël. Rrugët buçasin prej çekanëve të teneqexhinjve, këpucarëve, opingaxhijve, që bëjnë opinga prej lëkurësh ose prej kopertonash të prishura t‘automobilave.

Këtu shikon shumë fabrikantë fesash,(qeleshe) që i bëjnë prej leshi të bardhë për katundarë dhe të zeza për tregtarë dhe qytetarë. Në këtë pazar mund të shohësh dhe të admirosh punimin e çibukëve dhe pipave shqiptare prej druri, (specialitet i Tironës) ose mund të admirosh punimet e holla të argjendarëve që bëjnë punë ari dhe argjendi të sistemit venecian.

Muzeu privat i armëve të Eqerem bej Vlorës

Gjith kështu sheh armë t‘argjenda ose pisqol me ar të pastër, jataganë, thika etj; nga këto pashë një koleksion që meritonte admirim të math në muzeun privat të Eqerem Bej Vlorës në Vlorë. Fabrikimi i armëve prej argjendi dhe ari ka qenë specialitet i shqiptarëve që në kohët e para. Aprovizionin e gjith Ballkanin sidomos punimi i Kosovës. Jorganxhijt punojnë në dyqane t‘ hapur, punime të ndryshme mëndafshi.

Midis këtyre dyqaneve të vegjël, janë dhe kafehane në të cilat klientët rijnë përdhe dhe thithin kafe prej kualiteti më të mirë. Kafexhiu shpie kafe dhe nëpër dyqanet e zejtarëve ose tregtarëve që i ka afër, këto harxhohen prej të zotëve të dyqaneve ose prej myshterinjve të tyre. Kur kafexhiu merre vilxhanat bosh, në vënd të parave, shënon me tebeshir në qepenat e dritares të debitorit.

Asnjeriu nuk i shkon në mënd të fshijë shenjat e kafexhiut gjer sa ky të marr të hollat dhe i prish vetë. Kur nuk ka myshteri, shpesh herë edhe para dyqanit shtyp kafe me një havan të math. Më ditët e pazarit, t‘ enjteve, katundarët e gjithqë rrethit sjellin produktet e tyre për t‘i shitur, pemë, shpendë, vezë, zarzavatet, djath e gjizë, enë të punura në Kavajë me formë romake etj.

Tradita e veshjeve popullore

Në një rrugë të posaçme të pazarit gjenden për të shitur kostume Shqiptare të bukur me gajtane të ndryshme për burra dhe gra, të qepura me fill ari të pastër; Xhoke të zeza për gra, me të qepura me harxhe të rënda prej ari dhe argjendi, me breza prej argjendi masiv të rënda që peshjojnë disa okë e që më shumë i mbajnë gratë e Hotit dhe malësive.

Edhe mëndafshat e punura prej shqiptarëve kanë bukuri në bojra dhe desen. Më parë tërheq pamja piktoreske që prezantohet prej shumicës së madhe të tipave të bukur të malsorëve, të malësorve shqiptarë, Toskë e Gegë, me kostumet e tyre aq të ndryshme,

Midis këtyre përzijet edhe rroba ushtarake e ushtarave që kërkojnë të takojnë bashkëkatundarët e tyre që vijnë në pazar dhe së bashku me këta përzijet edhe mveshja evropiane e tregtarëve, qytetarëve dhe vizitorëve të rrallë t‘ardhur nga vende të ndryshme sikurse ishem edhe na. Pashë edhe të tjerë qytete orientale por nuk përngjasin me pazaret shqiptare, ndofta nga shkaku i tipeve të ndryshm që i popullojnë këta, i japin një pamje krejt të ndryshme.

Shkeputur nga gazeta SHQIP 15 Tetor 2006

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.