Tirana e Vjeter
Tirana e Vjeter

Në sheshin që sot ndodhet midis Teatrit të Kukullave dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Tironë, në sheshin e shallvareve më 19 Gusht 1937, filloi ndërtimi i Foshnjores së parë në vendin tonë, që u quajt “Foshnjorja Hysen Nikolica”. Ndërtesa u projektua nga arkitekti i famshëm shqiptar, Qemal Butka, dhe u ngrit me shpenzimet e zonjës Nikolica, në kujtim të bashkëshortit të saj.

“Foshnjorja Hysen Nikolica”, ishte institucioni i parë parashkollor që hapej në Tironë dhe nji nga më modernët në ballkan.Inagurimi u bë më 6 Janar 1939, dhe në inagurim morën pjesë Ministri Arsimit, Abdurrahman Dibra; kryeinspektori i oborrit mbretëror, Xhafer Ypi; Prefekti i Tironës dhe zëvendëskryetar i Bashkisë, Qamil Pepa; sekretari i përgjithshëm i Ministrisë Arsimit, Pertef Pogoni etj.

Në emër të vejushës së Hysen Nikolicës fjalën e mbajti inxhinier Qemal Butka: ”Kam nderin, shkëlqesë, që të parashtroj se zonja e ndershme e Hysen Nikolicës, e shtytun prej një ndjenje istiktive të femrës, mbasi nuk pati fëmijë, desh t’ja kushtojë këtë ndërtesë për foshnjorë, kështu që, këtu mbrenda mund të përgatiten fëmijët t’onë me ndjenja që burojnë nga një edukatë arsimore të plotësuar dhe me patriotizëm të vërtetë, kështu që janë nesër të dobishëm për atdheun. Këtë dëshirë të saj, ma ngarkoi që t’ia çoj në vend dhe po mua më ngarkoi që ta ngreh këtë ndërtesë, dhe unë, mesa njerëzisht që qe e mundur, bëra çmos që kjo godinë të jetë e denjë për arsimin tonë kombëtar. Unë po ua dorëzoj, shkëlqesë, Foshnjoren, që mban emrin e të ndjerit patriot Hysen Nikolica”.