“Lushk – kështu më kanë thirrur për shkurt -, mos driblo kaq shumë”! Ktheva kokën dhe pashë atë që më foli. Ishte Xhavit Demneri. Po ky, nga ma di emrin mua?, – pyeta me vete. Në fakt, ai vinte shpesh para kohe për të filluar stërvitjen me të rinjtë dhe më kishte fiksuar kur ne luanim në fushën e “tij”, duke shfrytëzuar hapësirën kohore…

Kam qenë shumë emocional në lojë dhe e kam vuajtur këtë. E tillë ka qenë dhe njohja e parë me profesor Xhavitin. Luanim dy ekipe para të rinjsh – unë isha në skuadrën e Remzi Bulkut – dhe Demneri bënte arbitrin. Bëri si bëri dhe e nxorri ndeshjen në barazim. Për të
përcaktuar fituesin u deshën penalltitë. “Për skuadrën tuaj, do t’i gjuajë Lushku”, urdhëroi ai. Dhe unë i gjuajta. Te pesta. Të pesta i humba!

Parapëlqeja të luaja sulmues. Shënoja mjaft gola dhe kjo më joshte. Por me të kaluar te të rinjtë, profesor Demneri më detyroi të ndryshoja. Duke parë të dhënat e po kështu dhe mundësitë, më kaloi në mesfushë në rolin e dispeçerit, siç nofkëzohej atëherë organizatori. Vetëm një njeri që ka luajtur futboll mund ta kuptojë kënaqësinë e madhe që ndien kur u shërben të tjerëve, kur u krijon atyre mundësinë për të vepruar e shënuar.

Bashkë me përgjegjësinë që mora kur më dha shiritin e kapitenit, përjetoja bukur mundësinë për të udhëhequr lojën e ekipit: çdo top e çdo manovër duhej të kalonte fillimisht në këmbët e mia! Por jo vetëm kaq. Duke parë aftësitë akrobatike të miat, më mbante me minuta të tëra pas stërvitjes, për të goditur avola (fluturimthi) siç huazohej nga italianët. Më nxiste të reagoja ndaj çdo topi e pozicioni, për të goditur fort e saktë në drejtim të portës.

Në fund, edhe një ngjarje që tregon korrektesën absolute të tij. Nuk mungonte kurrë në stërvitje. Përveçse një dite të vetme. U bëmë gati dhe po prisnim të shqetësuar, pasi gjithnjë e gjenim ne atë dhe jo ai neve. Por, fiks në orën e caktuar për fillimin e stërvitjes, ia behu Riti, djali i tij i madh. “Babai nuk do të vijë sot, sepse na ka ndodhur një vdekje në fis dhe duhet të jetë me patjetër në varrim. Më dha këtë plan stërvitor dhe më tha që stërvitjen ta drejtojë Lushku”, ishin fjalët e tij. Ligj për ne!

Shkëputur nga libri: “Xhavit Demneri – Gjithkushi”

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.