Fiqiri Pazari
Fiqiri Pazari

Fiqiri Pazari, u lind në Tironë, më 17-2-1915, në një nga familjet më të hershme e patriotike të qytetit dhe që mbart traditat fetare të sektit halveti. Në vendlindje, mbaroi me sukses shkollën e mesme, gjatë së cilës u dallua edhe në aktivitetet sportive si futbollist dhe atlet, madje edhe në interpretime teatrale. Falë nivelit intelektual të të atit, i cili edhe vetë kishte mbaruar arsimin e lartë, Fiqiriu studioi në Itali gjatë viteve 1939-1944, ku diplomohet specialist i agrokulturës. Kur u kthye në Atdhe, fillimisht, punoi në zonat jugore të Shqipërisë dhe mandej në Ministrinë e Bujqësisë.

Megjithëse, pas çlirimit, deri në vitin 1949, ishte agronom në Bashkinë e Tironës, kur edhe për të, drama e përjetshme nisi më 1945 me vendosjen e pushtetit komunist. Në këtë kohë, atij i pushkatojnë të vëllanë, Besimin 43 vjeçar, edhe pse vetë ai kishte ndihmuar luftën partizane; më 1947, i arrestojnë të jatin 83 vjeçar; ndërsa më vonë edhe Fiqiriun e nxjerrin nga shtëpia dhe i konfiskojnë pasurinë. Duke e konsideruar familje reaksionare, atë e çojnë në Bërzhitë, ku punon si agronom, prej nga kalon punëtor i thjeshtë, fillimisht në gurore dhe pastaj në lulishtet e Tironës. Megjithëse e keqtrajtuan, madje edhe pse në mjaft raste bënte punën e agronomit dhe e paguanin si punëtor të zakonshëm, falë karakterit të ndershëm që kishte, ai punoi me përkushtim dhe për këtë nuk mundën asnjëherë t’i mohojnë devotshmërinë e tij.. Kundër kësaj furtune, ai kishte aleat qytetarinë, formimin intelektual, ndjenjat atdhetare dhe edukatën fetare.

Në Tironë, njihej nga të gjithë si specialist i përkryer veçanërisht në shartimin e agrumeve. Një shok i ngushtë i tij, P. Bidoshi, tregonte me entuziazëm se si Fiqiriu, në të njëjtin trung të një peme, kishte shartuar për të, tre kalema të ndryshëm, portokall, limon dhe mandarinë. Për Fiqiriun thoshin se, ai nuk kishte vetëm dijet e thella teorike të agrokulturës, por edhe dorën e magjishme.

Por, mbi të gjitha, ai kishte zemrën e mirë, dashurinë dhe respektin për njerëzit, fjalën e ëmbël dhe mikpritjen. Me këtë formim, që, për fat reflektohej edhe te e shoqja, fëmijën e parë të tij ja dha të vëllait. E tillë ishte jeta e Fiqiriut; që, megjithatë, pati edhe gëzime si gjysh, me tre fëmijët e asaj vajze të birësuar, njëri prej të cilëve mori emrin e babait të tij.

Kjo është historia e këtij intelektuali tironas, të ndershëm e punëtor, patriot, familjar e fetar dhe specialist në fushën e tij. Për vlerat e gjithanëshme të kësaj figure, ai mbetet i nderuar edhe sot, shumë kohë pas vdekjes së tij më 1973.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.