Shkrimtari Bedri Alimehmeti dhe Zydi Turdiu
Shkrimtari Bedri Alimehmeti dhe Zydi Turdiu

Zyhdi Turdiu, tiransi që ka grumbulluar statistikat më interesante të familjes, ka krijuar një arkivë të vërtetë me çertifikata, korrespondenca, fotografi dhe dëshmi nga më të moshuarit e familjes, me qëllim që të shkruajë historinë e familjes Turdiu. Përpjekjet për të krijuar një qendër biznesi me emblemën e familjes dhe për të ngritur bustin e personazhit më karizmatik të familjes, Tut Efendiut në zemër të Tiranës së vjetër.

TURDIU është obsesioni i jetës së tij. Një foto e Tut Efendiut, 2-3 armë të punuara në bronx, ca sahanë e tava të Axhemistanit, një kuran i kushedisakurshëm me kapak lëkure, 90 hatme të trashëguara nga gjyshi…

Suvenire të një kohe me të cilin nuk e lidh gjë tjetër përpos “rremat e gjakut” të pararendësve të vet. Objekte pas të cilëve është i obsesionuar si pas çdo thërrimeje të së shkuarës që lidhet me emrin Turdiu (dikur Durdiu). Pinjoll i kësaj familjeje të njohur tiranase, Zyhdi Turdiu, nuk është mjaftuar thjesht me hartimin e një peme gjenealogjike të fisit dhe ruajtjen e disa episodeve e legjendave të ardhura gojë më gojë. Financier me profesion, tashmë në moshën 67-vjeçare, ai ka krijuar një arkivë të vërtetë familjare, ku nuk mungon asnjë emër; statistika të plota deri edhe në përllogaritjen e viteve universitare të kryera nga gjithë fisi Turdiu deri më sot; një fototekë të pasur ku fotografitë më të çmuara janë ato më të zverdhurat nga koha; një koleksion me çertifikatat e lindjeve familjare të para luftës; letërkëmbime nga më të vjetrat mes anëtarëve të familjes, një pjesë e të cilëve të arratisur jashtë vendit qysh në vitet ’40-’50; dëshmi të transkriptuara nga kujtimet e më të moshuarve të familjes… Këtë lëndë të pasur dokumentare është duke e mbledhur për një botim të rrallë në llojin e vet. Shkrimin e Historikut të Familjes Turdiu.

Ideja e këtij libri lindi 5 vjet më parë kur Zyhdiu nisi t’i dërgonte letra dhe email-e fisit për ta furnizuar me informacione dhe dokumente. Shtresat e informacionit të grumbulluar përfshijnë familjen dhe farefisin (dëshmitarë të vjetër) si edhe komshinj, krushqitë e miqësitë. Prej të gjithëve Zyhdiu ka vjelur një informacion të hollësishëm që përmblidhet në dhjetëra dosje me çertifikata, diploma, fotografi, letra, etj. Autori i këtij libri ende të papërfunduar na rrëfeu historinë e pasur të familjes së tij, që do të shtjellohet në 250-300 faqe të Historikut të Familjes Turdiu. Jo me gjuhën e librit por të kujtimeve. Që nga legjenda e zbarkimit të Turdive të parë në Tiranë nga Axhemistani në 1670, tek personazhi i Tiranës së vjetër, Tut Efendiu (Mahmut Turdiu), historitë e arratisjeve të djemve të Tut Efendiut në Itali e Zagreb e deri tek brezi i nëntë i Turdive sot.

Legjenda e origjinës
Sipas kësaj “legjende”, e cila është transmetuar brez pas brezi, i pari i Turdive (në fillim Durdi) Haxhi Ibrahim Turdiu u shpërngul në vitin 1670 nga Irani në Tiranë me taborët e ushtrisë. Nuk vinin si ushtarakë nga Irani (që fillimisht quhej Axhemistan e më vonë Persia). Mbërritën si misionarë fetarë. Shtëpitë e para i ndërtuan aty ku sot ndodhet rruga “Qemal Stafa”. Lidhjet me Iranin u shkëputën. Durditë, mandej Turditë, u integruan në Tiranë dhe jetuan si tironsa. Të parët u morën fillimisht me artizanat dhe bujqësi. Tokat dhe pronat e tyre ndodheshin në vendin e quajtur Krojet e Shëngjinit dhe në afërsi të Saukut.

Tut Efendiu, personazhi autentik
Mustaqe, qeleshe, brekushe dhe vështrim e qëndrim shqiptari. Babaxhani i familjes Turdiu, personazhi më karizmatik dhe i dashur për trashëgimtarët, quhej Mustafa Turdiu por thirrej dhe njihej në gjithë Tiranë me shkurtimit Tut Efendi (Tut shkurtim i emrit të gjatë dhe Efendi sepse ishte klerik, i shkolluar në Stamboll dhe njëkohësisht pronar tokash). Ka qenë babai i 17 fëmijëve. Gruaja e tij, Nadire Turdiu, ishte bijë e avokatit të parë të Tiranës, Myslym Llagami. Tetë prej djemve të tij u dha universitet, dy prej të cilëvë studiuan në Francë e dy në Itali. Zyhdiu kujton se ai organizonte shërbesa fetare në shtëpi, se kishte kulturë fetare dhe ishte një studiues i Kuranit. Prej tij familja ruan 90 hadme si edhe kuranin, të cilin ai ka përdorur, me kapak të lëkurtë.

Breznitë e rrëmetshme
Nga 11 djemtë e Tut Efendiut që nuk ikën shpejt nga kjo jetë, 8 prej tyre ndoqën universitetin. Dy prej tyre u arratisën dhe jetuan njëri në Zagreb e tjetri në Nju Xhersi kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist. Statistikat e Zyhdi Turdiut përfshijnë edhe një shifër të përllogaritur me përpikmëri: vitet universitare të kryera nga Turditë, që janë 172. Pikërisht këta e sollën “rrëmetin” dhe transformimin në familjen Turdiu. Njëri prej tyre, Ramazan Turdiu, bënte pjesë në strukturat e Ballit Kombëtar dhe shkoi të luftonte në Kosovë. Në nëntor të vitit 1944 ai u arratis së bashku me Mit’hat Frashërin për në Itali ku qëndroi për tre vjet, u martua me një grua italiane dhe pjesën tjetër të jetës e shkoi në Nju Xhersi në Amerikë. Ai ka mbaruar për mjekësi në Romë dhe vazhdon të jetojë në Amerikë, ndërsa vajza e tij, tepër energjike, këndon në dasmat familjare: “Jam goc Tirone”.

Një tjetër i arratisur është Faik Turdiu. Edhe ai mjek. Ka studiuar në Torino dhe mandej në Zagreb ndërsa u arratis atëherë kur grupi i studentëve shqiptarë u detyrua t’i vijonte studimet në Sofje. Nuk e la më Zagrebin ku ndërtoi një jetë të denjë si mjek i çmuar nga të gjithë derisa vdiq. Një javë pas tij në Tiranë vdiq edhe i vëllai, Ali Turdiu (babai i personazhit tonë). Ai Turdiu ishte krahu i djathtë i Tut Efendiut si edhe Mustafa Turdiu që u morën të dy me menaxhim pronash. Këpucar në profesion, Aliu ishte kryeteknik i fabrikës së këpucëve në Tiranë. Usta Aliu njihej si personazh i ndershëm dhe babaxhan. Qazim Turdiu është një nga djemtë e tjerë të Tut Efendiut, babai i Silvës, vajzës që u fejua me djalin e Mehmet Shehut. Regjimi komunist nuk kaloi pa i prekur trashëgimtarët Turdiu. “Sa herë që shkruante ndonjë gjë xhaxhai, Ramazan Turdiu në Amerikë, (i Ballit Kombëtar) reperkursionet nuk vononin të zbrazeshin mbi ne, këtu brenda”, – tregon Zyhdiu i cili, është detyruar të largohet nga puna si llogaritar në Tiranë për në Pukë, ndërsa aktualisht punon financier në fondacionin “Fan Noli” dhe është kryetar i Komisionit të Disiplinës në PD.

Turdiu sot
Sipas personazhit tonë sot numërohen 50 pinjollë që mbajnë mbiemrin Turdiu. Në profesione nga më të ndryshmit dhe të degëzuar tashmë, ata janë rikthyer pjesërisht në tokat dhe pronat e tyre. Janë duke projektuar momentalisht ngritjen e një qendre të madhe biznesi pikërisht në tokën ku më parë ndodhej shtëpia e Tut Efendiut si edhe ngritjen e një busti këtij personazhi babaxhan të së shkuarës familjare. Nostalgjikë për të shkuarën e familjes, ata janë vënë të gjithë me atë çka posedojnë në ndihmë të Zyhdiut për të plotësuar tablonë historike Turdiu deri në detaje. Madje një pjesë prej tyre i shkruajnë vetë kujtimet, për t’i lënë më pas në duart e Zyhdiut, i cili ka të drejtën e përzgjedhjes për t’i përfshirë ato në historikun e familjes.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.