Një orë elektrike kineze është ajo që mat aktualisht kohën mbi Kullën e Sahatit. Kërkesa për blerjen e një mekanizmi antik drejtuar nga ana e familjes Tufina Bashkisë së Tironës, nuk është marrë parasysh ende edhe pas përsëritjeve të shpeshta.

Për blerjen nevojiten fonde, ndërsa Tufinët marrin përsipër ta instalojnë falas. Edhe historia e kullës së sahatit është e lidhur me Ismail Tufinën i cili ka blerë mekanizmin e orës së parë të sahatit në Londër tek vëllezërit Eduart dhe James Prior.

Ora u instalua në kullën e sahatit në vitin 1828 në kullën që ndërtoi Et’hem Beu me kontributin e të tjerëve. Ora ishte e pajisur me një këmbanë që peshonte 100 kg, 40% e së cilës përbëhej nga material i çmuar ar dhe argjend.

Sipas gojëdhanës, tingulli i këmbanës dëgjohej deri në Dajt. Ky sahat punoi deri në vitin 1916, mandej ushtria Austro-Hungareze e grabiti orën dhe në vitin 1928 Haxhi Arif Tufina me fondin e mbledhur prej 660 napolonash floriri bleu në Zvicër orën “Jugens” për vendosjen e së cilës kullës iu shtuan edhe 5 metra të tjera.

Kjo orë punoi deri në vitin 1944 dhe gjatë luftës çlirimtare orën e goditi një predhë dhe e nxori jashtë përdorimit. Në vitin 1946 në Komunitetin Ekzekutiv thirret Zija Tufina (gjyshi i orëndreqësit tonë) dhe i thuhet se për të marrë triskat e bukës që jepeshin në atë kohë duhej të rregullonte orën. Me anë të një mekanizmi ore nga Kisha e Shkodrës dhe një tjetri të prodhuar nga vetë ai e rregulloi orën dhe familja Tufina u kujdes deri në vitin 1973 për orën e Tironës.

“Më pas novatorët soc-realistë e hoqën orën antike dhe e çuan në Korçë e në vend të saj vendosën një orë elektronike kineze që është edhe sot”, – përfundon Adrian Tufina tregimin e tij për historinë e Orës së Sahatit.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.