Familja Hallulli
Familja Hallulli

Në krye të rrugës “Tafaj” kishte shtëpitë fisi tjetër i madh, autokton tiranas, familja Hallulli, që ishte vendosur këtu shumë herët dhe që shtrihej edhe në rrugën e Saraçeve.

Kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër iniciatorët e krijimit të Strehës së parë Vorfnore më 1917 dhe që e financoi deri në vitin 1927, Zyber Hallulli, banonte këtu bashkë me gruan, katër djemtë dhe dy vajzat.

Ai kishte vëlla Ibrahimin, kryearkëtar i Ministrisë së Financave, Myslymin, rrobaqepës që kishte djalë Bashkimin, vajzë Lilianën dhe Kasemin, këngëtarin e shquar të muzikës popullore me zë të veçantë, melodioz e plot ngjyrë, kitarist dhe njeri i dashur e komunikues, me të cilin kisha kaluar me shokë disa ndeje të paharruara.

Familja e katërt e Hallullëve ishte ajo me portë karshi furrës së Mol Priskës, e Hysen Hallullit që jetonte me gruan dhe vajzat Teftën dhe Meritën. Tefta ishte drejtoreshë e kopshtit ku unë çoja çdo mëngjes Sokolin, që pothuaj çdo ditë më kërkonte t’i blija llokume e që me pluhurin e sheqerit më ndynte xhaketën e errët.

Drejtoreshë Tefta, shoqe e fëmijërisë, dhe gruaja e mikut tim arsimtar, Qemal Gugushi, më jepte një pecetë të lagur për të fshirë njollat që më bënte im bir mbi supe. Atëherë çohesha herët në mëngjes për të marrë qumësht. Rruga për në çerdhe dhe kopsht nuk kishte më pak lodhje e peripeci. Tefta Hallulli ishte një grua e veçantë.

Burimi: Aheng Tironas

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.