Xhamia e karapicit
Xhamia e karapicit

Kronika e dhjetë breznive të Karapicëve të Tironës

Një histori e shkruar keq na ndan. Një histori e shkruar mirë na bashkon. Le të shkruajmë një histori të mirë që i bashkon të gjithë shqiptarët. Këtë shprehje, e perifrazuar nga një historian i njohur mund ta japim si mesazhin më të mirë që na jep në jetëshkrimin e saj, një nga familjet më të hershme dhe më përfaqësuese të Tironës, familja Karapici.

Një familje e gjerë, me rrënjët thellë në historinë tironase në veçanti dhe në atë shqiptare në përgjithësi, qytetar dhe sipërmarrës, zanatçinj dhe njerëz të intelektit, me plot degëzime në Pemën e tyre të hershme familjare, degëzime jete plot gjelbërim dhe gjallëri, një familje që, nëpër dekada, kuptimin e jetës, qëllimin dhe forcën e pa tek kultivimi dhe mbështetja e vlerave atdhetare, të kombit të cilit i përkasin dhe për të cilin nëpër histori kanë dhënë, djersën, intelektin dhe gjakun e tyre kur është dashur.

Shumëkush beson se Tirona u bë kryeqytet si rrjedhojë e një akti të rëndësishëm, të një kongresi të rëndësishëm historik siç ishte Kongresi i Lushnjës Por ne besojmë se, sado i rëndësishëm të ishte ky Kongres dhe aktet e tij legjislative dhe ekzekutive, dhe midis tyre edhe ai për  shpalljen e Tironës si kryeqytet i vendit nuk është një akt i vetëm, por një proces i gjatë dhe kompleks i historisë. Dhe Tirona nuk u bë kryeqytet thjeshtë nga ky vendim apo thjeshtë se ishte më në qendër të vendit se ndonjë qytet tjetër siç thuhet, apo për faktorë të tjerë dytësorë.

Qenia e Tironës si kryeqytet gjatë procesit historik i përket pikërisht historisë së familjeve tironase si familja Karapici që me veprat e tyre atdhetare e qytetare gjithë përfshirëse krijuan të gjitha kushtet objektive dhe subjektive që Tirona vit pas viti dhe dekadë pas dekade ta fitonte në rrjedhën e kohës këtë status të shënuar dhe të nderuar si kryeqytet i shqiptarëve. Dhe duke hedhur vështrimin mbi agimin e historisë të kryeqytetit tonë, kemi hedhur vështrimin njëkohësisht edhe mbi agimin e historisë së këtyre familjeve themeluese, si familja Karapici… Sepse ne kemi nevojë për një kujtesë të tillë komplekse dhe koherente. Karapicët me të vërtetë të befasojnë, ashtu siç të befasojnë në përgjithësi familjet e vjetra autoktone tironase.

Që në fillim Dilavaer Karapici, mbi të tetëdhjetat, një nga kronikanët e familjes së madhe Karapici na tregon Pemën familjare të lisit, një Pemë e vendosur në një kuadrat, të shkruar me kujdes nga dekada në dekadë dhe nga brezi në brez.  Poshtë saj është shënuar: “Kjo Pemë e familjes Karapici është filluar nga Kasëmi, i biri i Limanit, i cili ka lindur në vitin 1814 dhe ka vdekur në vitin 1904.

Është vazhduar nga i biri, Muharremi, i lindur në vitin 1840 dhe ka vdekur më 1914, pastaj është vazhduar nga i biri, Halili, i lindur më 1872 dhe vdekur më 1954 dhe së fundi është vazhduar  nga i biri i Halilit. Hakiu që ka lindur më 1910. Meqë ka qenë shkruar në gjuhën turke, është përkthyer në shqip nga Halili dhe i biri i tij, Ganiu, lindur më 1929. Është formuluar në formë skeme dhe është plotësuar në brezin e tetë nga Ruzhdiu, i biri i Mehmetit të Selmanit, dhe nga Rexhepi i biri i Mustafait”.

Në fakt është një Pemë familjare, e cila do të nderonte dhe do ta kishte zili çdo familje e njohur fisnike në botën e qytetëruar. Janë dhjetë breza të fiksuar në historinë dhe gjenetikën e tyre, breza qytetarësh të devotshëm dhe tregtarësh të suksesshëm, e mbi tëgjitha të suksesshëm si njerëz. Dhe jo rastësisht, aty pranë Pemës familjare është edhe një foto e hershme e xhamisë së Karapicëve. Se Karapicët kanë patur xhaminë e tyre në Tironë, aty poshtë disa selvive edhe varrezat. Xhamia dykatëshe, e dyta për nga madhësia dhe për nga bukuria në Tironë, ka qenë pikërisht aty ku u ngrit në vitet nj ëzetë-tridhjetë të shekullit të kaluar, Bashkia e Tironës (më vonë Komiteti Ekzekutiv i Rrethit) dhe pronat e tyre kanë qenë në qendër të Tironës dhe më tej. Xhamia e Karapicëve thirrej ndryshe edhe e Terzinjve, pasi Karapicët janë njohur edhe si mjeshtër të qëndistarisë, sidomos me kostumet popullore tironase.

Në udhëtimet dhe shpalimet e tij linguistike e gjeografike, albanologu austriak Han është ndalur edhe tek Xhamia e Karapicëve dhe ka admiruar bukurinë e arkitekturës së saj. Sipas një reviste të profilizuar, deri në vitin 1929 në xhaminë e Karapicëve ekzistonte një pllakë ku ishte shënuar: “Për me fitu. kënaqësinë e Zotit ne e ngritëm këtë xhami të bukur, të hijshme dhe artistike. Zoti na ndihmoftë të gjithëve për të vazhduar me punë të hairit. Autorët e bamirësive nuk shohin dëm dhe të keq në të dy jetët. Xhamia u ngrit për izanë e Zotit, në të vërtetë nuk ka shembull”. Xhamia e Karapicit u ngrit sipas kësaj pllake në vitin 1858. Shtëpia e Karapicëve ka qenë nga më të njohurat në Tironë jo thjeshtë për bukurinë dhe komoditetin, por edhe për risitë, në progresin shoqëror etj. Kështu për shembull Karapicët ishin nga të parët në Tironë që kanë hequr kandilin dhe kanë importuar llambën me vaj guri për konakët e tyre.

Siç thotë një nga kronikanët e kësaj familjeje, familja Karapici ka qenë e vendosur në qendër të Tironës, zemra e së cilës ka qenë ku ndodhet sot Muzeu Historik Kombëtar dhe monumentit të Skënderbeut, kufi me Bankën Kombëtare dhe Estradën e Tironës. Fisi i Karapicëve kishte varrezat e veta dhe xhaminë e “Karapicëve” brenda territorit të fisit që mendohet të jetë ndërtuar në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ka qenë një xhami shumë e bukur, dykatëshe, me dekore dhe vlera kulturore. Gjithashtu fisi kishte prona bujqësore (toka bujqësore dhe tufa blegtorale) në fshatra të ndryshme të Tironës, ku më e spikatura është kodra e Karapicëve, pranë fshatit Mëzez në Tironë. Një kodër e madhe totalisht pronë e Karapicëve sot është e vëllezërve Karapici, të bijtë e Shabanit, pjesëtarë të fisit Karapici që banojnë në Durrës-Shijak-Kavajë etj.

Fisi Karapici në shekuj është shquar për patriotizëm e arsimdashje.

Në konakun e Muharrem Karapicit, i biri i Kasëmit, kanë bujtur Kostandin Kristoforidhi e Abdyl Frashëri e më vonë të tjerë pjesëtarë të familjes Frashëri. Lidhja e Prizrenit është përkrahur fuqimisht nga familja Karapici. Në vitin 1911, njerëzit e Shefqet Turgut pashës, bastisën disa shtëpi të fisit Karapici. Dhjetë breza Karapicësh e kanë zanafillën tek brezi i parë, stërgjyshi Osman dhe katër djemtë e tij (katër barqe thotë Dilaveri)  do të fillonin progresin nëpër dekadat e tyre. Hop cilësor do të merrte tregtia e Karapicëve me dy vëllezërit, Kasëmin dhe Haxhi Abdylin.

Na thuhet se ende ruhet korespodenca e tyre tregëtare me qytete të ndryshme të Italisë, Gjermanisë, Turqisë etj. Tregtia e tyre sidomos e lëkurëve ishte tepër e sukseshme dhe ata me anë të punës, me tregtinë e tyre u pasuruan. Por krahas pasurimit me punë të ndershme në sipërmarrjet e tyre, dy vëllezërit Kasëmi dhe Haxhi Abdyli këto suksese do ti shoqëronin me vepra bamirëse. Për Karapicët pasuria nuk mund të kishte kuptim pa bamirësinë.

“Bë mir” – do të ishte motua e jetës së tyre. Ata me filozofinë e jetës së tyre kanë kuptuar dhe kanë mishëruar në jetë këtë filozofi, se, nuk mund të jesh në jetë një familje e lumtur, nëse të tjerët vuajnë. Prandaj, ata bashkërisht me familje të tjera të njohura tironase, krijuan traditë që me raste festash dhe në kushte të vështira krizash dhe në kohë të vështira apo në fatkeqësi natyrore dhe epidemish, shpërndanin qumësht apo mish falas nga tufat e tyre të lopëve apo nga mallrat që ata tregtonin.

Mësimi i dytë i filozofisë së jetës së tyre ish që bamirësitë të mos i bënin për tu dukur, jo për reklamë, jo për bujë: Karapicët ashtu sikurse familjet e tjera të njohura tironase bamirësinë e bënin si rrjedhojë logjike të veprimtarisë dhe të shpirtit të tyre human, qytetar dhe atdhetar. Ne mendojmë se një përvojë e tillë jete dhe qytetarie duhet studiuar dhe vlerësuar jo vetëm nga gazetarët, por dhe nga historianët, etnografët, sociologët, ekonomistët, se, veprimtaria e jetës së familjeve të tilla qytetare autoktone tironase si Karapieët afrojnë për pasardhësit një thesar të vyer jete, kulture, etike dhe morale që populli ynë na e jep si një mësim të hapur për të mësuar dhe për ta zbatuar nëpër brezat.

Njohja e vlerave njerëzore, qytetare dhe progresive të këtyre familjeve duhet të na bëjnë të ndihemi krenarë dhe plot besim,  që ne, jemi pjesë e botës së qytetëruar, për nga historia, për nga traditat, për nga vlerat, të cilat ne i paraqesim përpara botës si një pasaportë e përbashkët qytetare, civilizimi dhe inspirimi.

Po të vësh re me vëmendje prozën e njohur të Kostandin Kristoforidhit, në të tre variantet “Gjahu i malësorëve” ka edhe shprehje edhe lokucione popullore nga malësia e Tironës. Dhe kjo e ka shpjegimin e vet: Për disa kohë Kostandin Kristoforidhi ka qenë në Tironë si mësues privat në Karapicët e Tironës dhe ata e kanë ndihmuar dhe e kanë shoqëruar në një ekspeditë investigative të leksikut dhe të toponimeve të malësisë të Tironës. Madje familja Karapici ruan si relikte të shtrenjtë, një pasqyrë qindravjeçare ku rilindasi dhe gjuhëtari ynë i shquar Kostandin Kristoforidhi ka vënë firmën që shquhet në një kaligrafi të vërtetë artistike…

Dhe më konkretisht, Kasëm Karapici lindi dy djem, Muharremin dhe Hysenin. Dhe të dy djemve të tij, t’ju mësonte shkrim dhe këndim në gjuhën shqipe, mori si mësues privat Rilindasin e shquar, Kostandin Kristoforidhi, i cili duket se gjeti në Tironë, në familjet autoktone tiranase një mbështetje të gjerë financiare, morale dhe shpirtërore. Me të dy nxënësit e tij tiranas, Kostandin Kristoforidhi u miqësua dhe këta dy djem të Kasëm Karapicit, u mësuan dhe u brumosën shpirtërisht nga mësimet e Kostandin Kristoforidhit dhe do të çonin më tej, traditat e shkollës dhe të kulturës ndër Karapicët dhe në të gjithë Tironën.

Muharremi la një djalë, Halilin, ndërsa vajza e Halilit ishte nga të parat në Tiranë që mbaruan shkollën pedagogjike. Një ndër vajzat e familjes Karapici mbaroi shkollën e lartë në  Itali për modeliste dhe stiliste dhe në vitin 1932 filloi punë në Pallatin Mbretëror në Tironë deri sa vdiq para kohe ne vitin 1936. Dhe Karapicët, gjithmonë kur e ka kërkuar zëri iAtdheut i janë përgjigjur këtij zëri të shenjtë me përkushtim atdhetar.

Bedri Karapici i datëlindjes së vitit 1925, mbaroi gjimnazin e Tironës dhe në vitin 1943 inkuadrohet në batalionin partizan “Dajti” dhe më vonë në brigadën e tretë sulmuese. Në rrethimin e brigadës së tretë kapet rob i plagosur dhe çohet në një kamp përqendrimi. Aty ekzekutohet nga fashistët. Më 6 janar të vitit 1946 shpallet i vdekur në gazetën “Bashkimi”. Është dëshmor i Kombit.

Një tjetër djalë i Karapicëve që në moshë të re doli partizan dhe ra dëshmor ditën e çlirimit të Tironës më 17 nëntor të vitit 1944. Është dëshmor i Atdheut. Emrat e dy dëshmorëve të Atdheut janë përjetësuar në dy rrugë të Tironës. Në themelet e qytetit të tyre të dashur, të Tironës dhe të gjithë Atdheut, Karapicët vunë pra jo vetëm djersën dhe shpirtin e tyre qytetar dhe sipërmarrës, por edhe gjakun e tyre për çështjen e shenjtë kombëtare.

Po sot Karapicët?

Edhe sot ata përfaqësojnë me dinjitet emrin e madh të Karapicëve, duke bërë emër të mirë dhe të nderuar në çdo fushë të jetës.

Rexhep Karapici, profesor i mirënjohur, një nga iniciatorët e proceseve demokratike, pjesëtar në grevën e studentëve në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Gëzim Karapici, intelektual i njohur, ish rektor universiteti.

Ardian Karapici, pjesëmarrës në grevën e urisë të studentëve,  të dhjetorit, tani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ruzhdi Karapici, profesor i mirënjohuri inxhinierisë mekanike.

Dilaver Karapici, ekonomist i mirënjohur në Tironë.

Haki Karapici i lauruar në Universitetin e Bolonjës, doktor i shkencave juridike.

Adem Karapici. një nga krijuesit e sport-klub “Tirona”, futbollist i njohur dhe trajner i përfaqësues së kombëtares.

Vildan Karapici, një nga drejtuesit e mirënjohur të gjeodezisë shqiptare.

Faik Karapici, një nga figurat e spikatura të ndërtimtarisë shqiptare, i njohur për mekanizimin e proceseve të prodhimit të materialeve të ndërtimit.

Kështu, në të gjitha rrjedhat kurcj ale të kombit, Karapicët kanë marrë pjesë në krahun progresist të zhvillimit, në kahun e kulturës, të dijes, të lirisë. Kjo ka qenë konstante për Karapicët edhe në kohën e Rilindjes Kombëtare, edhe në kohën e Pavarësisë, edhe në kohën e luftës antifashiste nacional-çlirimtare, edhe në proceset e mëdha demokratike në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Në këto procese Karapicët morën pjesë gjerësisht, duke qenë në ballë të këtyre proceseve për të sjellë në Shqipëri, lirinë dhe demokracinë. Sepse Karapicët janë radhitur gjithmonë në krahë të shtresave të popullit, në krahë të interesave të kombit ku i kërkonte interesi i lartë i Atdheut.

Kadri Karapici një nga ata intelektualë që na ndihmuan për të dhëna sa më të gjera për kronikën e Karapicëve, midis të tjerave na tha: Familja Karapici është një familje e madhe tironase e njohur  për ndershmërinë, bujarinë dhe atdhetarinë. Janë të njohura kontributet e pjesëtarëve të ndryshëm të kësaj familjeje gjatë dekadave të historisë.

Por tek ky kapitull do të ndalemi tek dega e familjes që fillon me emrin e Mahmudit, i cili i takon brezit të gjashtë sipas Pemës gjenealogjike, ose siç e thërrisnin atë Mahmudi i Can Tutes, nofkë që e kishte marrë nga shkurtimi i emrave të gjyshit të tij Hasan (Can) dhe stërgjyshit Mahmud (Tut). I lindur në një familje me ndjenja nacionaliste, Musai, një nga shtatë djemtë e Mahmudit mori pjesë në luftën nacional-çlirimtare dhe ra dëshmor për çlirimin e Atdheut. Vetë Musai ka qenë edhe një futbollist i mirënjohur në ekipin e Tironës të asaj kohe: “Shprefeja” skuadër kjo që ishte formuar nga bashkimi i dy skuadrave të Tironës “Shpresa” dhe “Rrufeja”.

Në këtë ekip bënte pjesë edhe një nga vëllezërit e tij, Hasani. Në këtë traditë kanë ecur edhe dy djemtë e Mustafait, Kadriu dhe Skënderi, që i takojnë brezit të tetë. I pari ka qenë aktivizuar edhe në ekipin e të rinjve të Tironës, që drejtohej nga trajneri i mirënjohur, Xhavid Demneri. Kadri Karapici është një gazetar i mirënjohur i televizionit shqiptar. Djali i madh i Sulejman Karapicit, Fatmiri është i njohur në Tironë si mjek reumatolog. Ndërsa djali i dytë i Rexhep Karapicit, Ylli Karapici është një inxhinier i mirënjohur në fushën e ndërtimeve.

Edhe në brezin e nëntë të Karapicëve vazhdon radha e intelektualëve në fusha të ndryshme të dijes.

Një koincidencë e bukur është fakti edhe më fëmijët e Fatmirit dhe të Haxhi Karapicit, ku të tre fëmijët e Fatmirit, Eltoni dhe dy vajzat, Adela dhe Amanda si dhe djali, Andi dhe vajza Sidorela e Haxhiut, që të pestë kanë mbaruar ekonomikun e lartë. Dhe që të pestë ju përkasin brezit të nëntë të Karapicëve.  Duke dashur të japim një epilog të natyrshëm dhe sa ma kuptimplotë për dhjetë brezat e familjes Karapici të Tironës menjëherë menduam duetin e ndërvarur midis Tempullit dhe Qytetit.

Duke ngritur Tempullin e tyre familjar jo vetëm xhamia e mirënjohur si ajo e Karapicëve, në ndijime dhe në veprime Karapicët rreth këtij Tempulli si në çdo vend të civilizuar, formuan jetën qytetare. Tempulli dhe Qyteti u bë për Karapicët dhe për disa familje të tjera të mirënjohura të Tironës një derivat sa jetik aq edhe historik, sa etik aq edhe filozofik. Tempulli ishte bërthama e parë e Qytetit. Duke ngritur Tempullin e vet familjar, Karapicët dhe familje të tjera të njohura tironase dhanë një ndihmesë dhe kontribut të shkëlqyer për ngritjen e Qytetit, të jetës qytetare, të mënyrës të menduarit dhe të vepruarit si qytetar. Sepse Tempulli në bazë të disa parimeve etike dhe morale do të krijonte premisat e para të jetës në komunitet dhe më tej në një pamje më të gjerë drejt Qytetit.

Tiranasit në këtë drejtim mendoj më se kanë dhënë një kontribut të shënuar për krijimin dhe forcimin e jetës qytetare shqiptare.

Tek Tempulli dhe Qyteti
Ata mbështetën jetën e tyre
Se çdo brez ëndrrën e gjeti
Në punën e përditshme…

Dhe çdo ditë jetën e ngritën
Rreth Tempullit si një përmendore
Dhimbjet dhe vështirësitë i pritën
Në valët njerëzore…

Dhe në dhjetëra breza ata dhanë
Një monument të heshtur, të shënuar
Aty emrat të gjithë i kanë
Si qytetar dhe atdhetar jetuan…

Se më lartë se çdo lavdi dhe pasuri
Humanizmin dhe njerëzoren panë
Tek Tempulli dhe Qyteti, me pastërti
Historinë e tyre nëpër breza kanë…

Është një kthim i përjetshëm në shtëpi. rreth botës dhe drejt vetvetes për t’u ngjitur në lartësi të tjera, në horizonte të tjera, bashkë më komunitetin dhe në shërbim të komunitetit, duke i dhënë atij përherë një përmbajtje të re, progresive dhe atdhetare…

Mor nga “100 Familje Autoktone Tironase” me autor: Donika ANXHAKU, Zenel ANXHAKU

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.