Pinjollët e familjes së vjetër tironse, Jella, nuk i gjetëm në atë vilën e bukur alpine, që ish-prefekti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Rexhep Jella, pati ndërtuar në vitet ’30 për familjen e vet. Shí aty ku sot ngrihet një pallat i ri deri dy vjet më parë lëngonte një nga vilat më të bukura të borgjezisë së viteve ’30 në “sarajet” e familjes Jella.

Një nga trashëgimtaret më të vjetra të kësaj familjeje, Hatixhe Jellën, të bijën 70 -vjeçare të Rexhep Jellës, e gjetëm në një nga apartamentet e reja të pallatit që është ndërtuar në vend të asaj vilës. Borgjezka e vogël, e përzënë në moshën 12 -vjeçare nga shtëpia e saj, vetëm me rrobat e trupit, rrëfen kalvarin e vuajtjes së familjes Jella për “faj” të Rexhep Jellës, që kishte qenë nëpunës i lartë i regjimit të Ahmet Zogut, prefekt i disa qyteteve dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës për afro 5 vjet.

Nga Tirana e asokohe ajo nuk mban mend shumë, pasi edhe nga Lapraka ku u vendosën në shtëpinë e vëllait të Rexhep Jellës, i përzunë për në Durrës, mandej në Kavajë, ku u nda nga jeta mes brengash dhe librash, prefekti i dikurshëm i Elbasanit, Durrësit dhe ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës. Aty në mëhallën e Tabakëve, tironsit e vjetër e mbajnë mend ende atë vilën e bukur të Rexhep Jellës, megjithëse në të banuan kohë pas kohe shumë të tjerë, njerëz me pozitë e të preferuar të regjimit diktatorial, por jo Jellët.

Ata u përzunë e jetuan në kushte nga më të vështirat sa në Durrës e në Kavajë ku i dërguan në fund. Të gjitha pasuritë iu konfiskuan dhe Rexhep Jellës nuk iu lidh kurrë ndonjë pension. E bija, Hatixhe Jella i ka harruar të gjitha “privilegjet” e fëmijërisë, kujton vetëm ato që ka hequr më pas dhe pezmatimin e të atit vitet e fundit. Merakun e tij për mirëmbajtjen e garderobës dhe kënaqet duke vështruar fotografitë nga “Belle Epoque”, kur i ati vishte atë kostumin e bardhë dhe mbathte përherë këpucë lustrafine të modës. “Megjithatë nuk ishim të pasur”, – kujton ajo. Shton se gjithsesi jetonin mirë pavarësisht se nuk merreshin me tregti. “Kishim disa prona dhe një çiflik në fshatin Kus, aty ku e kalonte kohën babai kur u largua nga funksionet që kishte pasur në kohën e Monarkisë”, – tregon e bija. Rexhep Jella, i diplomuar për shkenca politike në Universitetin e Kembrixhit në Londër, është më i shquari i familjes Jella së bashku me vëllain e tij Ramazan Jella, i cili gjithashtu u përndoq nga regjimi diktatorial derisa vdiq.

Historia e mëvonshme e familjes Jella është ajo e shume familjeve te tjera tiranse, që u internuan, burgosën e u dënuan me vuajtje për “privilegjet” që i kishin krijuar vetes dikur, ndërsa shtëpitë e pasuritë iu konfiskuan një më një. Pinjollët e sotëm të familjes Jella janë të shënjuar ende nga peripecitë e dikurshme. Hatixhe Jella, megjithëse tanimë banon në një apartament të mirë në pallatin që u ndërtua në këmbë të vilës së “Belle Epoque”, mbart një kalvar vuajtjesh dhe përbuzjesh nga e shkuara e saj dhe e bashkëshortit Dakli, që gjithashtu nuk gëzonte reputacionin e njeriut me biografi të pastër. Ajo nuk ka mundur të kryejë arsimin e lartë dhe ka punuar gjithë jetën mësuese filloreje në një fermë të Kavajës e pastaj në Peqin. Pas ndërrimit të regjimit ajo u shpërngul në Elbasan prej nga është i shoqi dhe ka jetuar aty deri përpara pak kohësh, ndërsa tanimë është rikthyer në Tiranë. Por fati nuk e deshi që të kthehej në një shtëpi-muze, që t’i ngjallte kujtimet e largme të së shkuarës të lavdishme. Vendosën, ashtu siç kanë bërë shumë pronarë të tjerë shtëpish të vjetra, me ose pa histori, një marrëveshje me një firmë ndërtimi e cila në këmbim të truallit të shtëpisë u ka dorëzuar Jellëve çelësin e pesë apartamenteve në pallatin shumëkatësh që ka ngritur diku në zonën pranë shkollës së Baletit.

Kapitulli i lavdisë Jella duket sikur është mbyllur në atë shtëpi, të një stili mjaft të veçantë, e vetmja në Tiranë në atë stil arkitekturor, me rreth 1800 metra katrore, rrethuar nga një bahçe me pemë e lule, dykatëshe dhe me një verandë të madhe dikur. Hatixheja tregon se i ati e kishte gjetur modelin e asaj shtëpie në një katalog zviceran dhe në fakt fotografitë e shtëpisë të kujtonte ato shtëpitë e stilit alpin. Fillimisht i pëlqeu një gjenerali rus, i cili banoi për një farë kohe në atë shtëpi pasi e përzunë që andej familjen e Rexhep Jellën. Mandej në të ka banuar Panajot Plaku etj. Në kthim, e bija e Rexhep Jellës thotë se nuk gjetën më në atë shtëpi sharmin e dikurshëm. Veranda ishte shndërruar në një dhomë me xhamllik ndërsa atmosfera e dhomave të zahireve e të gatimit kishte humbur. Shtëpia në fund fare ishte kthyer në çerdhe. Jellët e dhanë me qira, u shpenzuan rreth 20 milionë lekë për restaurim por përsëri destini i saj qe shembja. Një shtëpi më pak nga Tirana e vjetër e bukur, një pallat më shumë për Tiranën e re, jo me Tiransve.

Kujtime nga Belle Époque

Pushimet në Londër, garderoba e pasur, shërbëtorët. Kjo ishte bota e një “borgjezke” 12 -vjeçare në vitet ’30 në Tiranë. Privilegjet vinin nga i ati, Rexhep Jella, i cili ishte ndër të paktët politikanë të diplomuar. Njohës i pesë gjuhëve të huaja, me studime të kryera në Kembrixh, Londër ndërsa kishte mbaruar gjimnazin e famshëm “Robert Kolexh” në Stamboll, Rexhep Jella kishte arritur pozicione të rëndësishme shtetërore në atë kohë dhe ishte një përkrahës i politikës së Ahmet Zogut.

Një nga fotot më të bukura të sëndukut të kujtimeve të familjes Jella është ajo e e Rexhep Jellës me uniformën e studentit në Kembrixh dhe ajo me uniformë popullore. E bija tregon se ai vishej me shumë sqimë. “Ne jetonim mirë megjithëse nuk mund të thuhej se ishim shumë të pasur e nuk kishin as florinj të fshehur”, – kujton e bija periudhën e para ’45-ës në Tiranë, ku kanë jetuar brez pas brezi, që prej kohësh kur nuk mbahen mend Jellët. Rexhep Jella, pasi u burgos dy herë nga regjimi komunist, vdiq në vitin 1974 në rrethinat e Kavajës ku jetonte thuajse në mjerim të plotë. Pikërisht në Kavajë, qysh në vitet ’40 përfundon kjo “Belle Époque” e ndërprerë e familjes Jella.

Burimi: Aheng Tironas

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.