Enver Toptani
Enver Toptani

Enver Toptani lindi më 10 korrik të vitit 1910, dhe po në Turqi, në qytetin e Konies. Bashkë me vëllezërit dhe kushërinjtë e tij, arsimin fillor e mbylli në Krems të Austrisë.

I lidhur gjithnjë me Shqipërinë, sikurse vëllai i tij më i madh Alajdini, edhe Enveri erdhi në Atdhe, megjithëse disa vjet më pas. Në Tironë ndoqi Shkollën Teknike Amerikane, të cilën e përfundoi më 1928. I kthyer përsëri në Austri, për të vazhduar studimet e larta në Universitetin Teknik të Vjenës, regjistrohet për Arkitekturë. Shkaqet e veçanta familjare e detyruan Enverin të mos i përfundojë këto studime; kështu që, në vitin 1930, ai është përfundimisht në Shqipëri.

Pa iu shmangur krejtësisht formimit teknik të fituar deri në ndërprerjen e studimeve; për 16 vjet rresht, Enveri u angazhua me menaxhimin e pronave bujqësore të familjes së vet, angazhim të cilin e vazhdoi deri në vitin 1944, pas të cilit gjithçka u kthye në pronë shtetërore.

Duke ndërthurur përgatitjen e tij, qoftë edhe të pjesshme në fushën e ndërtimit, me përvojën dhe dashurinë e fituar për gjelbërimin, ai krijoi një individualitet të rrallë profesional. Prej vitit 1946, Enveri punoi si teknik gjeometër për problemet e dekoracioneve të disa objekteve të rëndësishme shtetërore.

Më tutje, duke ruajtur me një farë mënyre këtë linjë dhe falë prirjeve artistike, çka vihej re edhe te pjesëtarë të tjerë të familjes, prej vitit 1954 deri në vitin 1970, kohë kur doli në pension, ai kontribuon si shef i repartit të pikturës e të skulpturës në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore në Tironë.

Ishte i dekoruar me “ Urdhërin e Punës” të klasit të tretë.

Enveri vdiq më 5 maj 1980, i nderuar nga të gjithë miqtë e dashamirët e vet.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.