Enver Shehu
Enver Shehu

Enver Shehu ka lindur në Tironë më 24 janar të vitit 1934, në një familje qytetare. Pas shkollën së mesme; në vitin 1969 kreu edhe studimet e larta.

Në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, u aftësua për të ushtruar profesionin “mësues i edukimit fizik”.

Si futbollist, karrierën e tij sportive e nisi dhe e përfundoi po me ekipin e “17 Nëntorit”. Për nivelin e lartë të parametrave të tij, ai arriti deri në ekipin kombëtar të Shqipërisë, me të cilin ka zhvilluar një ndeshje.

Skuadra, me të cilën luajti për dhjetë vjet rresht, mund të konsiderohet si prologu i një tjetre të madhe që po vinte dhe ku, gjithsesi, edhe ai do të ishte protagonist. Enveri u bë më i njohur me kontributin e tij 25 vjeçar të trajnerit të futbollit. E filloi këtë detyrë më 1963 si ndihmës i të mirënjohurit M. Alla, kur u formua edhe brezi i parë i lavdishëm i pasluftës, i kurorëzuar me titujt e kampionit në vitet 1965, 1966, 1968 dhe 1970.

Me afate të ndryshme, Enveri ka bërë disa specializime brënda vendit dhe jashtë tij, madje deri në ekipe të kategorisë së parë të Italisë. Duke sjellë edhe përvojën e shkëlqyer të asaj periudhe, të viteve 80-të, kur falë aftësive të tij, bëhet trajner i parë, vazhdoi me sukses rrugën e nisur, atë të futbollit total.

Me përshtatjet e duhura sipas kontigjentit që dispononte, dhe me Ali Memën në krah, ai dha përsëri rezultate. Krahas ngritjes së nivelit të lojës dhe futjes së elementëve modernë të futbollit, u fituan kampionatet e sezoneve 1982-1983 dhe 1984-1985.

Por mbi të gjitha u shënua ardhja e brezit të dytë të shkëlqyer. Me ekipin e Tironës, në cilësinë e ndihmëstrajnerit dhe të trajnerit të parë, ai grumbulloi gjashtë tituj të kampionit kombëtar, pesë kupa të Shqipërisë dhe tre kupa të spartakiadave kombëtare. Po aq të rëndësishme mbesin disa takime ndërkombëtare: me Ajaks” të Amsterdamit; kualifikimet me “Lindfild” të Belfastit, për kupën e kampioneve dhe me “Dinamo” të Bukureshtit për kupën e kupave.

Megjithëse me ndërprerje, por në kohë më shumtë me KS “17 Nëntori”, që në vitin 1990 rimori emrin KF “Tirona”, detyrën e trajnerit, ai e ushtroi deri më 1998. Punoi edhe me ekipat e para “Besëlidhja” dhe “Teuta”. Në periudha të ndryshme u aktivizua edhe si këshilltar pranë ekipeve kombëtare të futbollit.

Për meritat dhe vlerat e tij, ai është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit III (1990) dhe mban titujt “Mjeshtër i sportit” (1958) dhe Mirënjohje e qytetit të Tironës” ( 2000).

U nda nga jeta më 24 Dhjetor 2009

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.