Enver Begeja
Enver Begeja

Kujtimet e tij të sintetizuara në thënien “në shkollë e veçanërisht në familje, mësova ti dua njerëzit, shokët, të sillem mirë, të jem i drejtë e i ndershëm”, u përpoq t’i zbatojë gjatë gjithë jetës. Ai lindi në Tironë më 20 shkurt 1920. Pas shkollimit fillor e të mesëm në gjimnazin e qytetit, më 1938 plotësoi dëshirën e tij për të vazhduar studimet e larta ushtarake. Po në ato kujtime, ai tregon me krenari se si, në fillim të majit 1939, studentët shqiptarë të-atij kolegji bojkotuan ceremoninë e betimit ndaj Perandorit dhe Duçes.

Me gjithë rezultatet shumë të mira të arritura në Milano dhe duke u vlerësuar madje si një nga studentët më të dalluar, ai i ndërpreu studimet në dhjetor të vitit 1941. Në Atdhe, falë ideve dhe bindjeve të tij jo të njëjta edhe me vëllezërit më të mëdhenj, inkuadrohet në grupet edukative e njësitet guerile të Tironës dhe bëhet pjesëtar aktiv i demonstratave dhe i luftës nacionalçlirimtare. Emërohet komisar batalioni për zonën e Shijakut (dhjetor 1943) dhe në brigadën 11 (prill 1944), detyrë që e mbajti deri në nëntor të po atij viti, kur shtabi i përgjithshëm e emëroi shef operativ dhe njëkohësisht shef të shtabit të divizionit VII në Korçë.

Pas çlirimit, transferohet në Tironë me detyrën e shefit operativ në shtabin e korparmatës, për të shkuar më pas (nëntor 1945-nëntor 1947) në Moskë, ku mbylli studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Frunze”. Me gjithë vështirësitë në mësimin e gjuhës ruse, arriti rezultate shumë të mira.

Me t’u kthyer në Shqipëri, atij ju ngarkuan dy detyra: në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, zëvendëskomandant për stërvitjen, dhe në Drejtorinë e përgatitjes luftarake të Ushtrisë, me hartimin e rregulloreve bazë të ushtrisë e të taktikës së këmbësorisë. Në vitin 1959, Enveri u emërua komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, detyrë që me nder e devotshmëri e mbajti për gati 15 vjet. Më tutje, deri në fund të karrierës së tij, kur doli në pension më 1974, punoi në Institutin e Shkencave Ushtarake.

Pa qenë i sëmurë asnjëherë, Enver Begeja ndërroi jetë më 26-1-2004 në moshën 83 vjeçare. Për të gjithë ushtarakët shqiptarë, të titulluar e diplomuar në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve gjatë viteve 1948-1972 e që numërohen me mijëra, kolonel Enver Begeja kujtohet si oficeri i përgatitur e edukator, kërkues e korrekt, i ndershëm dhe i drejtë. Sa herë përmendet Shkolla e Bashkuar, aq herë mendja shkon edhe te ai.

Për kontributin e dhënë, nga Kuvendi Popullor është dekoruar me 11 urdhëra dhe medalje nga të cilat spikat ”Urdhëri Skënderbeu” i klasit ll.
Një rrugë në Tironë, e ndodhur përballë Spitalit nr. 1, ka emrin e tij.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.