Eglantina Leka
Eglantina Leka

Lindi më 14 Nëntor 1957 në Tironë. Fare e re, dhe vetëm 12 vjeç, filloi qitjen nën drejtimin e trajnerit të të rinjve M. Dashi. Me punë e vullnet të fortë dhe falë aftësive e talentit të saj, një vit më vonë theu rekordin kombëtar për të rinjtë në garën 1×60 m preçizion, të cilën e ushtroi gjatë gjithë karrierës së saj. Prej kësaj kohe, në përbërje të KS ”17 Nëntori”, rezultatet erdhën vazhdimisht në rritje.

Kështu, në takimin kombëtar të të rinjve (1970), zuri vendin e parë dhe theu rekordin kombëtar me 578 pikë, ndërsa në kampionatin kombëtar të kategorisë së parë, arriti në 583 pikë. Duke qëndruar afër kësaj kuote, ajo arriti më vonë, 578 pikë (1972) dhe 576 pikë e 573 pikë (1973) dhe deri më të lartin prej 588 pikësh (1974), në spartakiadën kombëtare.

Nën drejtimin e mjeshtrit Ali Mata, me ekipin e të rriturve të klubit dhe me ekipin kombëtar, të inkuadruar prej vitit 1975, ajo gjithnjë përparoi. Në kampionatet europiane të zhvilluara në Romë të Italisë, në tetor të vitit 1977, arriti 590 pikë; ndërsa në Hamenlina të Finlandës, më 1978, 591 pikë. Ekipi kombëtar, ku bënte pjesë edhe Eglantina, zuri vendin e katërt me 1773 pikë.

Në kampionatin kombëtar të po këtij viti shkoi në 593 pikë. Rezultatet ishin shumë të mira edhe më 1979: në spartakiadën kombëtare, ku fitoi medaljen e artë; në kampionatin kombëtar, me 592 pikë; në kampionatin europian (Frankfurt) dhe më 1980, sidomos në takimin ndërkombëtar të Finlandës, me 596 pikë. Ajo e vazhdoi këtë gjendje edhe në takimin miqësor në Prishtinë dhe në kampionatin europian të Madridit.

Gjithnjë me rezultate të larta kombëtare e ndërkombëtare dhe me kontribut të shquar për zhvillimin e sportit të qitjes, si dhe duke mbajtur kurdoherë qëndrim shembullor e moral, edhe pse me disa ndërprerje, për shkak të rritjes së fëmijëve, ajo i vazhdoi rezultatet e shkëlqyera në të gjitha takimet.

Pas kampionatit europian të qitjes në Athinë, me 585 pikë, në garat e kupës së Republikës më 1983, ajo realizoi 593 pikë që konsiderohet e nivelit botëror. Më tutje, me tregues të përafërt, konkuroi me dinjitet në kampionatin ballkanik që u zhvillua në Stamboll, në takime të tjera kombëtare, në kampionatin ballkanik të Sofies, ku zuri vendin e dytë me 592 pikë (1984) etj.. Kohët e fundit militoi në KS ”Studenti”. Prej vitit 1995, ka emigruar familjarisht në Greqi, ku vazhdon të jetojë edhe sot.

Eshtë dekoruar me medaljen ”Naim Frashëri” dhe është përfshirë në ”Librin e Artë” të KS ”Tirona”.

Burimi: Shoqata Tirana

 

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.