Doktor Janko Theodhosi
Doktor Janko Theodhosi

Megjithëse nuk ishte tiranas autokton, duke ushtruar aktivitetin e tij mjekësor vetëm në Tironë dhe në atë kohë specifike kur ky qytet ishte i vogël, ai u integrua plotësisht me komunitetin vendas, çka te pasardhësit e vet, që sot ushqejnë të njëjtat aspirata, kjo dukuri Vihet re edhe më dukshëm. Për familjet tiranase, kontributi i Janko Theodhosit është i paharruar, ai mbetet i nderuar edhe tani, megjithëse kanë kaluar mbi 40 vjet nga Vdekja e tij (1968). Ky rast i veçantë, për mënyrën dhe misionin se si erdhi në Tironë ky ”jabanxhi”, është një shembull i shkëlqyer i qytetarisë dhe i bujarisë së
viseve dhe kombeve të ndryshme. Për të gjithë vendasit, tani, ai konsiderohet dhe pranohet si “autokton”. Madje, kjo është “sanksionnuar” edhe nga Këshilli Bashkiak i qytetit përmes çertifikatës “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, me motivacionin ”Për vlerat e larta qytetare dhe intelektuale të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës dhe për të cilat qytetarët e saj i shprehin mirënjohjen e tyre” (21-4-2000).

Janko lindi në Ohër më 25-12-1893, në familjen e një intelektuali të mirëfilltë, me profesion jurist. Pas arsimit fillor e të mesëm në Manastir diplomohet mjek në Universitetin e Athinës (1919). Por, dëshira dhe vullneti i tij për një formim sa më të plotë shkencor nuk mbyllet këtu. Gjatë viteve 1920-1925, në fakultetin e mjekësisë në Universitetin “Sorbonne” të Parisit, ai kryen specializimin e plotë pesëvjeçar për fushën e patologjisë. Ndërmjet mjekëve të rinj, francezë dhe atyre të ardhur nga vende të tjera, ai u dallua për aftësitë diagnostikuese dhe për nuhatje klinike, elementë të cilat gjatë karrierës së tij i zhvilloi gjithnjë e më tej. I kompletuar me dije të thella dhe zotërues i gjashtë gjuhëve, përkundrejt ofertave të atjeshme, preferoi të kthehet në vendlindje.

Por, jeta ka edhe kthesat e saj. Më 1927, nga vendi i tij, ai zhvendoset në Shqipëri, ku filloi aktivitetin e tij mjekësor. Në Tiranë, ku ai u vendos përfundimisht takoi edhe shokun e ngushtë të Gjimnazit të Manastirit, autoktonin farmacist Athanas Shundi, për të cilin gjatë gjithë jetës pat konsiderata të veçanta. Po në këtë vit, bashkë me mjekët vendas Sabri Tefiku etj., ai bëhet ndër themeluesit e Spitalit të Tironës, i cili u vendos në një godinë pranë kullës së sahatit, por që sot nuk ekziston. Në detyrën e patologut, krahas vetive të dukshme morale e njerëzore, u shqua si mjek i aftë dhe i padiskutueshëm, me horizont të gjërë dhe me profesionalizëm të thellë. Me veshin e tij, ishte në gjendje të dallonte bronkopneumoninë, të cilën e mjekonte me miksturat e tij të pavdekshme nga tuberkulozi. Me kolegët e vet të kohës, gjithnjë po me këto tipare, profesionin e nderuar të mjekut e ushtroi edhe jashtë specialitetit të tij. Në detyrën e reanimatorit, si pjesë e ekipit të Osman Jonuzit, ai ka marrë pjesë edhe në mjaft operacione kirurgjikale, madje të vështira për kohën e të vlerësuara mjaft edhe nga profesorët austriakë Dengu dhe Bauri.

Për këto vlera, Janko mbeti përherë një mik i familjeve tiranase, pa bërë asnjë dallim ndërmjet tyre. Sikundër edhe mjekë të tjerë, me humaniz- min e tij, për raste të caktuara, ai shërbente edhe falas. Për të gjitha këto, meritoi vlerësimin e pacientëve.

Karriera e tij profesionale karakterizohet nga studimi, observimi dhe pasurimi i vazhdueshëm i njohurive klinike për kurimin e pacientit; si dhe nga shërbimi i vazhdueshëm mjekësor ndaj tij. Nga ana tjetër, Janko Theodhosi, që mbante edhe gradën ”kandidat i shkencave”, mbeti përherë i
kujdesshëm dhe i komunikueshëm edhe me kolegët e veçanërisht me mjekët e rinj, si e ardhmja e këtij profesioni mjaft të rëndësishëm e fisnik. Me këto koncepte, dhe përherë i ndershëm e modest, ai vlerësonte edhe këmbimin e përvojës ndërmjet tyre.

Por, me të drejtë, ai kishte edhe një merak. Një nga djemtë e tij duhej të studionte për mjekësi. Dhe kjo sepse, siç thoshte ai “që të jesh mjek nuk do të thotë se ke zanat, por je misionar në shërbim të nevojtarëve, qofshin këto të pasur ose të varfër, të gjithëve duhet t’i shërbehet njëlloj”. Në këtë mënyrë, edhe Nuni, duke punuar me profesionalizëm, përkushtim dhe ndershmëri, çoi në vend amanetin e të jatit, ai u bë mjek. Me të njëjtat tipare, u përgatitën edhe djemtë e tjerë të tij. Telemaku ka përfunduar fakultetin e inxhinierisë elektrike, duke qenë njëherësh edhe një atlet i shkëlqyer.

Për meritat e tij, Janko Theodhosi është dekoruar nga Kuvendi Popullor me ”Urdhërin e Punës” të klasit III dhe me atë të klasit të I.

Burimi: Shoqata Tirana
Përgatiti për faqen Tirona: Olsi Ferazini