Bedri Hasan BYLYKU – Profesor, Doktor
Bedri Hasan BYLYKU – Profesor, Doktor

Ka lindur në Tironë më 1934. Më 1957 mbaroi fakultetin e mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës me titullin ”mjek i përgjithshëm”. Menjëherë emërohet në Institutin e Luftës kundër Tuberkulozit. Më tutje, gjatë dy vjetëve, kualifikohet për kirurgji në specialitetin e TBC prej nga, bazuar në rezultatet e arritura, më 1964 i jepet titulli specialist i TBC ekstra pulmonar. Në kuadrin e shkëmbimit të eksperiencës dhe të kualifikimit me profesorë të shquar të vendeve të huaja, ka qenë në Institutin e parë të Mjekësisë në Pekin (1965-1966), në Institutin e TBC në Korany, në Institutin e Neurokirurgjisë dhe Onkologjisë në Budapest për Vertebrotomin si dhe në Sanatoriumin Ekstrapulmonar në Novy Smokovec Visoke Tatri të Çekosllovakisë.

Bedriu, si një pionier dhe novator i shquar në specialitetin e TBC, është krijuesi i mjekimit të organizuar mes hallkave të institucioneve të vendit. Me dëshirën dhe pasionin që e karakterizon, duke përballuar vështirësitë, ai ka arritur ta mjekojë me nivel bashkëkohor këtë sëmundje të rëndë. Për këtë ai ka aplikuar ndërhyrjet kirurgjikale më të vështira në kolonën vertebrale si nekroabscesoektomit transtorakale me mbushje dhe fiksime anteriore (spondylodeza e korzorodeza), dekompresionin posterolateral në rastet e paraplegjive si edhe ndërhyrjet trans dhe ekstraartikularë në koksitet dhe gonitet TBC. Këto rezultate janë shoqëruar me shkurtimin e ndjeshëm të kohës së qëndrimit në spital dhe me uljen e invaliditetit të të sëmurëve. Ka qenë mjaft domethënëse deklarata e Prof. Petro Canit, në mbledhjen mbi analizën e punës në IFP, se “..po mësonte nga Dr. Bylyku
gjatë kohës që po zhvillonte kirurgjinë torakale”.

Më 1986, ai ka mbrojtur para këshillit shkencor të fakultetit të mjekësisë disertacionin me temë ”Mjekimi kompleks konservativ-kirurgjikal i spondilitit TBC”.

Përveç detyrës si shef i shërbimit për kirurgjinë e TBC në IFP, Bedriu ka udhëhequr nga ana teknike edhe sanatoriumet ekstrapulmonare të Vlorës e Sarandës; ai ka qenë edhe konsulent i spitaleve të Tiranës dhe i sanatoriumeve pulmonare të Shkodrës e të Korçës.

Në të njëjtën kohë, nga Viti 1962 deri në nëntor 2003, ka punuar si pedagog i jashtëm në fakultetin e mjekësisë për TBC ekstrapulmonar. Ka ndihmuar ndjeshëm në ngritjen teknike të mjekëve të specialitetit duke u inkuadruar edhe në specialitetet e roentgenologjisë, ortopedisë, reumatologjisë dhe neurologjisë.

Në fushën e botimeve ka përkthyer për studentët e fakultetit të mjekësisë tekstin e TBC me autor N.I. Alpern dhe për mjekët tekstin Tuberkulozi” me autore Z.A. Lebedjeva. Ai është bashkëpunëtori i vetëm i librit “Tuberkulozi” në dy vëllime të Prof. Dr. Sh. Ndroqit (1974). Në këtë fushë, ai është bashkautor edhe në librat e tuberkulozit, të botuar në vitet 1977-1988 dhe në atë që pritet të dalë nga shtypi. Ka botuar, gjithashtu, mjaft artikuj në revistat mjekësore të fakultetit dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Bedriu ka realizuar edhe një film shkencor me ngjyra për dokumentimin e ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ka marrë pjesë aktive në simpoziumet e IFP dhe të institucioneve të tjera shëndetësore e mjekësore të Tironës. E rëndësishme ka qenë pjesëmarrja e tij në simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare si në Bolonja, Leçe, Budapest, Pragë, Stamboll, Riad dhe Teheran. Ai dallohet edhe me botimet shkencore mbi TBC në revistat e Çekisë, Italisë dhe Iranit.

Gjatë afër 50 vjetëve pune, Bedri Bylykun e ka karakterizuar vitaliteti, gatishmëria, humanizmi dhe përpjekjet për të ecur me kohën. Mbi këto cilësi ai ngriti në formë të organizuar trajtimin e TBC osteoartikulare. Ai ka meritë edhe në impenjimin shembullor të zhvillimit në nivel bashkohor të ortopedisë specifike shqiptare.

Prej vitit 2004, kohë kur shkëputet nga puna, Dr. Bylyku vazhdon të japë kontributin e tij për problemet diagnostiko terapeutike në aktivitetin e tij privat ”Klinika Mjekësore Internacionale IGLI”, duke pasur kënaqësinë të bashkëpunojë me specialistët okulistë rusë, të cilët japin për pacientët shqiptarë ndihmë bashkëkohore në mikrokirurgjinë e syrit. Prej vitit 1960 ai vazhdon të kontribuojë edhe si anëtar i komisionit të lartë të përcaktimit të aftësisë në punë.

Përdor dhe zotëron me dëshmi gjuhët ruse, frënge dhe italiane.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.