Zyhdi Caslli
Zyhdi Caslli

Zyhdi Caslli lindi në Tironë më 31.7.1937, nga një familje qytetare tiranase. Studimet e larta me titullin ”inxhinier mekanik” i përfundoi më 1960 në fakultetin e inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të Tironës.

Menjëherë pas diplomimit emërohet pedagog në katedrën e rezistencës së materialeve të këtij fakulteti, ku punoi deri në fund të jetës. Duke u angazhuar në lëndë të ndryshme të inxhinierisë mekanike, si ”Mekanikë teorike” dhe ”Vizatim teknik”, por sidomos në atë të ”Rezistencës së materialeve”, bëhet edhe titullar i saj dhe një nga pedagogët më të vlerësuar.

Në vitin 1981, pasi kishte përfunduar më parë tezën ”Mbi shfrytëzimin racional të çeliqeve të konstruksionit”, mbrojti me sukses disertacionin me temë: ”Mbi disa probleme të prodhimit dhe të përdorimit racional të çeliaeve të konstruksioneve dhe kriteret e ndërtimit të nomenklatarës optimale në kushtet e vendit tonë”.

Studimi i materialeve mbeti fusha kryesore e kërkimit shkencor të tij, në të cilën ai ka kryer dhjetëra studime dhe projektime për nevoja të subjekteve të ndryshme ekonomike dhe të prodhimit. Në drejtim të kualifikimit pasuniversitar, ka përgatitur dhe dhënë leksione në lëndën Suplemente të rezistencës së materialeve për konstruktorët mekanikë” dhe ka kryer disa reçensa disertacionesh.

Si autor dhe bashkautor, prej vitit 1975 deri në 1987, ka botuar tekste universitare mbi rezistencën e materialeve. Ai ka një bilanc të pasur edhe në botimin e artikujve shkencorë dhe të monografive.

Kontribut i tij i rëndësishëm në Universitetin e Prishtinës përmendet edhe në botimin e veçantë ”Universiteti i Kosovës, 1981-1983”. Për disa vjet, ai ka zhvilluar leksione të plota të rezistencës së materialeve, duke e paraqitur veten përpara studentëve dhe kolegëve të atjeshëm si një pedagog të përgatitur dhe me nivel të lartë pedagogjik e shkencor.

Është nderuar me certifikatën ”Mirënjohje” me rastin e 35-vjetorit të fakultetit të inxhinierisë mekanike të atij Universiteti. CV-ja e tij është evidentuar edhe në monografitë jubilare të botuara atje.

Prej Vitit 1977 ka qenë anëtar i këshillit shkencor të fakultetit të inxhinierisë. Është dekoruar me Urdhrin ”Naim Frashëri”. Zotëronte gjuhët ruse dhe frënge.

Vdiq në Tironë në vitin 1990.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.