Dasma Tironase
Dasma Tironase

Edhe në Tiranë dasma fillon të enjten, ku hapen dyert e shtëpive dhe priten me muzikë e ëmbëlsi vizitat e shoqerisë. Pastaj e premtja është dita që nisin pajën për te shtëpia e dhëndrit, apo shtëpia e ardhshme e nuses. Gratë vijnë e shikojnë se çfarë do çojnë dhe gratë andej nga dhëndri shikojnë se ç’ka sjellë nusja. Shumë familje kanë traditat e tyre të vogla, që i kalojnë brez pas brezi. Dita e shtunë, për tironsit quhet dita e nuses. Kjo jo më kot, por sepse atë ditë nusja feston fundin e beqarisë dhe bën darkë pa burrin, si hera e fundit që “është e lirë”. Sipas zakonit, darka fillon rreth orës 20:00 dhe atëherë zhvillohej në ndonjë prej oborreve më të mëdha të lagjes, ndërsa në ditët e sotme kryhet sipas qejfit, në lokale të ndryshme pasi është më praktike dhe tradita ka humbur disi fillin e saj.

Krushqit vijnë në darkë vetëm pas mesnate dhe janë një rreth i ngushtë familjar i dhëndrit, por që siç thamë, të pashoqëruar nga dhëndri. Ata nuk qëndrojnë më tepër se një orë dhe janë të detyruar që sipas adetit, të hedhin valle për nder të familjes.

Kurse të dielën, nusja përgatitet që të lërë shtëpinë e nënës dhe zakonisht rreth orës 11 vjen dhëndri me dajën dhe me një fëmijë të vogël, i afërm të tyre, i cili i jep lule nuses ndërkohë që ajo duhet ta dorovitë. Më pas ata hipin në makinën e zbukuruar (dikur pelë e bardhë) dhe bashkë me shoqëruesit nisen drejt shtëpisë së dhëndrit, ku dasma zhvillohet sigurisht, në madhështinë e saj të tejplotë. Kur hyn dhëndri në dhomë, takohet me të gjithë dhe përpara i del vëllai i nuses, ose nëse nusja nuk ka vëlla një kushëri i saj, i cili më pas e gjuan djalin me një shuplakë. E gjitha kjo bëhet sa për t’i treguar dhëndrit, se ka dikush këtu për këtë vajzë dhe ai duhet të sillet me kujdes ndaj saj, ta respektojë dhe të mos ta përdhosë sipas qejfit.

Njëri nga krushqit e dhëndrit, është si zakon që duhet të tregohet i shkathët dhe më i zoti se njerëzit e shtëpisë së nuses, për t’i vjedhur një objekt apo send të çfarëdoshëm para se të dalin jashtë dhe më pas t’ia japë të zotit të shtëpisë, duke i thënë se “ne jemi më të zotët. Jua hodhëm…!”. Imagjinoni pak, një atmosferë me muzikë, urime, ecje dhe qëndrime me kujdesje në të njëjtën kohë, për t’u ruajtur se mos shkelet ndonjë zakon, sikundër duhet krijuar dhe atmosfera festive dhe humori që ndez festën. E mes këtyre të gjithave, përfytyroni krushqit që ruajnë palën tjetër se mos ju vjedh gjë, megjithëse gjithmonë del dikush i zoti nga “hajdutët” për shkak dhe të gjithë rrëmujës së krijuar. Nusja! Ka lezet të qajë pak…! Teksa nusja është duke kaluar pragun e shtëpisë i hedhin tek këmbët raki… Kjo ka mbetur si zakon, për të mbajtur larg shejtanin dhe syrin e keq. Por nusja pa lot në Tironë s’ka pas lezet, ndaj ka qenë si “modë” për nuset të bënin sikur qanin njëçikë.

Më pas, porsa nusja del jashtë, ia shtron valles me komshijtë e të afërmit përpara pallatit dhe shtëpisë, ku muzika dhe atmosfera festive nuk pushojnë për asnjë çast. Pas kësaj, nusen e zbukuruar e hipin në makinë, të cilës i kanë vënë dhe një sixhade sipër. Ndërkaq, nusja duhet të hedhë një vezë mbrapsht, motiv të cilit për momentin nuk ja kemi gjetur ende domethënien simbolike.

Pas kësaj, makinat nisen karvan duke u rënë borive dhe bëjnë xhiro në qytet. Të gjitha shkojnë ama në një vend të bukur, siç është Kopshti Botanik, ku dhe dasmorët bëjnë foto që t’i kenë kujtim.

Nusja te vjehrra

Sa i afrohen shtëpisë nusja me krushqit, shohin vjehrrën që del e pret te dera me një llokume, që gjysmën e ha vetë dhe gjysmën ia jep nuses, si dhe me një pjatë me mjaltë, në të cilën nusja ngjyen dy gishtërinj dhe i fshin te pragu i portës. Pasi mbaron dhe ky detaj ceremonial, zakoni e do që nusja të hyjë brenda dhe të qëndrojë e gjora për disa orë rresht me kokën ulur, pa shikuar askënd në sy e fytyrë, duke i takuar të gjithë, e duke u thënë veç “Faleminderit!”, teksa e urojnë që të trashëgohet dhe të ketë jetë të lumtur. Pas kësaj, nusen e marrin dhe e fusin në dhomën e saj, ku i tregojnë se si ja kanë mobiluar. Nëse nusja nuk e pëlqen kjo duket shumë shpejt, pasi acarimet me vjehrrën për pozicionimet e krevatëve, kolltuqeve, tavolinave, do të jenë të pashmangshme dhe sa vjen e më të shpeshta. Kur nusja hyn në dhomën e saj shkon tek krevati, ku i vjen një vogëlush i afërm i burrit, të cilin ajo duhet patjetër që ta dorovisë. Në atë çast në dhomë hyn dhëndri, i cili ia heq këpucën nuses dhe nis t’ia mbushë me florinj .

Burimi: Unaza Blog

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.