Pamje nga Tirana, Kel Marubi viti 1910
Pamje nga Tirana, Kel Marubi viti 1910

Ajo që e bënte interesant Pazarin e vjetër ishte jeta e gjallë që vlonte në të. Ishin zejet që ushtroheshin, të ndara sipas mjeshtërisë në rrugica: remtarë (bakërpunues), kujunxhinj (argjendarë), saraçë ose tabakë (lëkurëpunues), kallajxhinj, teneqexhinj, samarxhinj, kazanxhij, prodhuesit e shitësit e poçerive: shtëmba, qypa, sahanë e kupa balte etj., të sendeve shtëpiake prej druri: lugë, kupacë, okllai, qerthuj për petë etj., berberë, që, me raste, bënin edhe heqje dhëmbësh e dhëmballësh.

I jepte gjallëri edhe kush shiste drejt e në kalldrëmin e shtruar me gurë të mëdhenj lumi: gra katunare, që shisnin punime me vegjë: çarçafë pambuku me pëlhurë të trashë, por edhe pëlhura të holla mëndafshi thuajse të tejdukshme, punuar me mjeshtëri e shije.

Jevga që shisnin paja nusesh të endura e të qëndisura me dorë. Këto punime u çmuan mjaft prej të huajve.

Përpara dyqanit të vogël të shitësit të kadaifit, mund të rrije një copë herë të mirë duke parë me kënaqësi se si hidhej me shkathtësi brumi në tepsinë e bakërt, të stërmadhe, të fshirë e të nxehur mirë, e se si formoheshin fijet e holla të kadaifit.

Më kujtohet edhe kafeneja e pijetorja e vogël, prej nga nisej djali që ua shërbente kafenë në vend porositësve, në filxhanë të vegjël, vendosur në tabaka teneqeje me tri varëse që kapeshin te një unazë, prej nga e mbante djali me shkathtësi, pa derdhur asnjë pikë, ndërsa dukej sikur do t’i binin e t’i thyheshin për tokë filxhanët.

Nga ndonjë gjellëtore përhapej era e mirë e qofteve të pazarit, që shijonin ku e ku më shumë se ato të shtëpisë. Aromë edhe më e mirë vinte nga tezgat lëvizëse të shitësve të kukurecëve…

Uji sigurohej nga një pus, e vetmja mënyrë kudo nëpër shtëpitë tiranase për të pasur ujë.

Pronarë të pasur të Tiranës kishin aty edhe zyra, që shërbenin si vende takimi, ose që merreshin me qira nga shkrues gjyqesh, nga noterë…

Ky pazar i vjetër ishte si një qytezë e vogël brenda qytetit, ishte plot thirrje e tinguj: secili reklamonte me zë të lartë mallin e vet. Tek ky pazar vinin nga gjithë Shqipëria për të kundrruar bollik pa fund.

Burimi: Tirona Intellectum

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.