Me caracin në Tironën e zemrës sime më lidhin kujtime të numërta. Nisesha për të shku tek nona dhe kur arrija “çu bone mi t’keqen u qelle (vonove) fort” më thoshte nona që s’i dinte aventurat e mia me caracat. Kacavjerrja në mur për të arrirë degët rrugës në bahçet e disa tironasve të mirë. Ose gërvishtjet nëpër tela gardhesh. Do ti që mua caracat e këputura tek të tjerët më dukeshin më të mira. Tek baçja ime le ta merrte dikush tjetër kënaqësinë që merrja une “vjedhurazi” diku tjetër. Kujtim tjetër është si rrija përkulur duke gjurmuar caracat e rënë tek baçja. “Kur bi caraci vet m’bar t’keqen nona asikohe osht ene mo i omël.” Dilja me një tas t’vogël dhe i mblidhja me qef. Ishin shumë të ëmbla kur ishin të bëra siç duhej. Pastaj i lante nona me hare dhe na i bënte gati. “Amon se caract mo shum t’lodhin se nai gjo tjetër” më thoshte nona ime e urtë duke ju referuar faktit se caracat kishin fare pak tul si kokërr, e që t’ja merrje vërtet vlerat duhet të haje shumë kokrra.

ÇFARË ËSHTË CARACI?

Nga fjalori shqiptarë na jepet ky shpjegim:
“Dru i lartë i vendeve të ngrohta, me lëvore të lëmuar, me gjethe të vogla të dhëmbëzuara, që bën kokrra të vogla e me bisht të gjatë; kokrrat e këtij druri, të cilat kur piqen bëhen të zeza e hahen. Dru caraci. U poqën caracët.”

Nga faqja shumë edukative www.agroweb.com dhe pse i trajton caracat sikur të ishin vetëm një fenomen shqiptarë (gjë që s’ështe e vërtetë) në një blog tyrin mësova se:
“Ekspertët thonë që caracat kanë 14.35 % proteina, por ato përmbajnë edhe acid fosfori dhe minerale. Kjo kokërr është një burim i mirë ushqyesish dhe përfiton nivel të lartë karbohidratesh, proteinash dhe yndyrnash. Caracat përdoren për të trajtuar një sërë sëmundjesh dhe simptomash si ato të cikleve menstruale me gjakderdhje të rënduar ose të pakët, dhe dhimbjet e barkut. Ato funksionojnë edhe si qetësues për njerëzit që vuajnë nga ulçera peptike, diarea dhe dizenteria. Lëvorja e pemës së caracave është përdorur për të trajtuar problemet me fytin dhe përshpejtuar proçesin e lindjes dhe kuruar. Gjethet e caracave përmbajnë sasi domethënëse antioksidantësh që ngadalësojnë plakjen dhe parandalojnë kancerin.”

Për shumë kohë kam menduar se caraci nuk njihej në botën amerikane. Sepse gjithmonë kam kujtuar se caraci ishte një pemë mesdhetare. Ky konstatim nga ana ime sigurisht që ishte si rrezultat nga padija, por edhe nga mentaliteti shqiptarë që kultivojmë ndër breza sikur vetem ne dhe kërkush tjetër. Gjatë udhëtimeve të mia nëpër Amerikën e Veriut e kam parë caracin aq shumë dhe në vende të ftohta si Michigan apo Illinois, në Mississipi, por edhe tutje përgjatë rrugës për në Kaliforni. Në Amerikë caracin e quajnë common hackberry, që po ta përkthejmë na del “caraci zakonshëm” dhe në latinisht caraci quhet celtis occidentalis. Amerikanët fermerë shkojnë deri aty sa e quajnë “caraci amerikan” aq autokton e mbajnë caracin. Na dolën dhe amerikanët si tironsit, të cilët dikur thonin “nqse je tirons 24 karat ke në oborr ide, carac, ene mon” kështu dhe puna amerikanve që e quajnë “american hackberry” caracin e tyre.

S’qekemi vetëm ne shqiptarët që duam të përvetësojmë gjërat, mbase?!

Çfarë është caraci për amerikanët?
Hackberry është autokton në Amerikën e Veriut nga jugu i Ontarios dhe Quebec, përmes pjesëve të New England, në jug të Karolinës së Veriut (Appalachia), në veriun e Oklahomës dhe në veri të Dakotës së Jugut. Hackberry (caraci i zakonshëm) është një pemë e mesme, 9 deri në 15 metra në lartësi, me një trung të hollë. Në kushtet më të mira në zonën e Luginës së Misisipit, caraci mund të rritet deri në 40 metra. Ka një kokë të bukur të rrumbullakët dhe degë të varura. Caraci preferon tokën e pasur me lagështi, por mund të rritet dhe në kodra me zhavorr ose në rrelieve shkëmbore. Rrënjët janë fibroze dhe rriten me shpejtësi. Mosha maksimale e arritur nga hackberry është ndoshta midis 150 dhe 200 vjet në kushte ideale. Lëkura është ngjyrë kafe e çelët ose gri e argjendtë, e thyer në sipërfaqe në shkallë të trashë dhe ndonjëherë të përafruar me kreshtime; kokrra është shumë e dallueshme. Modeli i lart i lehonisë është edhe më i theksuar në pemët e reja, me kreshtat e parregullta të ngjashme me ato të shkëmbinjve të gjata gjeologjike të formacioneve të rrënuara sedimentare.
Caracat hahen nga një numër zogjsh dhe gjitarësh. Shumica e farave shpërndahen nga kafshët, por disa fara gjithashtu shpërndahen nga uji. Caracat me një madhësi drithërash janë të ngrënshëm, dhe piqen në fillim të shtatorit. Ndryshe nga shumica e frutave, caracat janë jashtëzakonisht të larta në kalori, karbohidrate dhe proteina, dhe këto kalori janë lehtësisht të tretshme pa patur nevojë për gatim ose përgatitje. Indianët e Amerikës së fisit Omaha i hanin caracat shumë, ndërsa në Dakota i përdornin për tu dhënë shije mishit, i godisnin me gurë për t’i bluar bashk me bërthamën. Fisi Pawnee gjithashtu i grinin caracat me gurë u shtonin pak yndyrë dhe i përzienin me kokrra misri të pjekur. (Përkthyher nga Wikipedia prej meje)

Kush do të mësoi më shumë për caracin nga Departamenti Amerikan i Agrikulturës të klikoi këtu: https://plants.usda.gov/plantguide/pdf/pg_ceoc.pdf
Meqë jemi dhe në tetor ju ftoj të hani caraca këtë sezon vjeshte. Për këdo që është rritur me to do t’i kthehen ndërmend kujtimet e bukura fëminore.