Bukurije SKENDERI (Hyka)
Bukurije SKENDERI (Hyka)

Ka lindur në Tironë më 30.8.1943. Studimet e larta i përfundoi më 1965 në fakultetin e histori-filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tironës, për diplomën ”mësues i gjuhës angleze dhe i gjuhës shqipe”. Menjëherë emërohet pedagoge në departamentin e gjuhës angleze të atij fakulteti. Më tutje, karrierën e saj e vazhdoi në Bashkimin e Grave të Shqipërisë (prej vitit 1967) fillimisht si instruktore dhe, pastaj, shefe e seksionit të jashtëm dhe kryetare e BGSh për Tironën (prej vitit 1985).

Duke qenë pa ndërprerje pedagoge e jashtme, në vitin 1991 rikthehet përfundimisht në të njëjtin fakultet dhe departament, ku punoi deri më 2004. Tani vazhdon përsëri si pedagoge e jashtme. Në drejtim të kualifikimit të saj shkencor, ajo ka shlyer të gjitha detyrimet përkatëse dhe më 1990 ka mbrojtur disertacionin me temë “Lëvizja e grave për barazi gjinore”.

Bukurije Skënderi ka aktivitet të gjërë në planin e botimeve. Eshtë autore e tekstit mësimor ”Gjuha e folur” për studentët e gjuhës angleze dhe e mjaft artikujve studimorë, shkencorë e shoqërorë në shtypin e përditshëm e periodik, shqiptar dhe të huaj. Veçanërisht i rëndësishëm është aktiviteti i saj në fushën e përkthimeve.

Ndër më të rëndësishmet janë dokumentet për zbatimin e kartës së Bolonjës si: programi mësimor, kurrikulat dhe kreditet për departamentet e gazetarisë, historisë, gjeografisë, gjuhës dhe letërsisë shqipe të fakultetit të histori-filologjisë dhe teksti “Atlasi gjeografik i popullsisë së Shqipërisë”, 2003.

Për nivelin e lartë të njohjes së gjuhës angleze, ajo është aktivizuar edhe si konsulente në përkthimin shqip të materialeve mjaft të rëndësishme si ”Deklarata politike dhe plani ndërkombëtar i veprimit mbi moshimin, Madrid 2002”, 2005 etj..

Ajo është aktivizuar gjallërisht edhe në veprimtari të ndryshme shoqërore. Në vitin 1998 ishte ndër themelueset e ASAG- “Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat”, anëtare e bordit drejtues të saj dhe e ngarkuar për marrëdhëniet me jashtë.

Zotëronte gjuhën angleze (me diplomë), gjuhët frënge dhe ruse (me dëshmi) dhe përdor gjuhën italiane.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.