Biblioteka Karnavon
Biblioteka Karnavon

Biblioteka Karnarvone u ndërtua në vitin 1928 dhe më 12 maj 1929, u inaugurua Bibloteka për të rinjtë e Tironës, e quajtur ”Për Djelmërinë” ose ”Instituti Herbert” e njohur dhe si ”Biblioteka Karnarvon”. Ajo u ngrit në lagjen e Tabakëve, Rruga “Shen Gjergjit” dhe kushtoi 40.000 franga ari. Ndërtesa u dorëzua nga Z. Mervin Herbert, Zotit Sait Toptani, Presidenti Komitetit të Djelmërisë së Tironës. Z. Mervin tha midis të tjerash: ”Nëna ime e ngriti këtë bibliotekë si një monument për kujtimin e vëllait tim Aubrey Herbert.

Na pëlqen të shpresojmë se kjo bibliotekë do të jetë po si atë kohë dhe një monument për kujtimin e nënës s’ime, sepse kjo bibliotekë pasqyron në formë materjale dashurinë e saj për këtë vend dhe besimin që kish ajo te djalëria”. Zoti Toptani mori në dorëzim çelësin dhe iu përgjigj Mervin Herbert dhe zonjës Aubery Herbert: Kolonel Herbert qe një personalitet që përgatiti pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve”. Ministri i Arsimit, Abdurrahman Dibra do të përshëndeste me këto fjalë: “Kontesha Karnarvon më në fund na jep edhe këtë ushqim moral, q’është biblioteka.

Kujtimi i saj ka me u shkruajtë me shkronja t’arta në historinë e rilindjes shqiptare”. Lumo Skendo do të shprehej: “Mirënjohja nuk është vetëm një cilsi që i ushqen dhe i shton virtytin njeriut, po është dhe një detyrë. ]anë do njerëz, vepra dhe ndihma e të cilve vlen një ushtri të tërë. Kështu qe për neve i ndjeri Aubrey Herbert”.

Koloneli Aubrey Herbert (1880-1923) ishte diplomat dhe deputet anglez. Gjatë periudhës së Luftës I Botërore dhe më pas, kur çështja shqiptare dhe trojet e saj u vunë në rrezik të madh, ai u përpoq me përkushtim si në parlament dhe në media, në përkrahje të kombit shqiptar. Biblioteka që do mbante emrin e tij, kishte sallën e leximit me 9 dritare të mëdha, 20 rafte për libra me nga 7 dollapë, një oxhak të madh me fytyrën e Aubrey Herbert të gdhëndur në gur dhe dhoma për administratën. Salla u përdor për të shfaqur filma, si dhe për të bër aktivitete të ndryshme.

Biblioteka ka pasur në fondin e saj 3000 volume librash në shqip, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe gjuhë të tjera, me tematikë të kulturës së vjetër e të re ndërkombëtare. Ajo do bëhej vatër e dashur për rininë e Tironës. Drejtor i saj u emërua Ibrahim Laçi. Në vitin 1934 aty u ngrit dhe një fushë tenisi.

Kontesha Elisabeth Countes of Carnarvon, sikundër thotë Islam Sharofi, rridhte nga aristokracia e lartë angleze. Ajo ishte e veja e Sir Henri HaWord Molyneux Herbert, i quajtur Konti Karnarvon, i cili ka qenë zëvendësguvernator britanik në Indi nën lordin Derby e  më pas nën Disraelin, dhe e ëma e Aubrey dhe Mervin Herber. Ajo ishte gruaja e dytë e të ndjerit Camarvonem.

Ajo krijoi në Londër një shoqatë për të ndihmuar emigrantët kosovarë në Shqipëri, themeloi në Kavajë një fshat për 48 familje refugjatë kosovarë me emrin Herbert, (tani fshati ”Qerret”), si dhe kontriboi në luftën kundër malarjes, duke sjellë një personel të madh me shpenzimet e veta. Në vitin 1927 ajo filloi bonifikimin në Vlorë dhe Durrës, vepër që e mori përsipër shoqëria Rock Feller. Vdiq fatkeqësisht më 2 shkurt 1929 në Portofino të Italisë, pa pasur fatin të merrte pjesë në inaugurimin e bibliotekës, që do mbante emrin e djalit të saj.

A se çfarë shkruhej në gazetën “JETA”, organ i Kryqit të Kuq Shqiptar në dhjetor të Vitit 1928931: (Kontesha Elisabet sikurse thamë më sipër, vdiq më 2 shkurt 1929, por gazeta e dhjetorit të vitit 1928 doli me vonesë, kështu që shkrojti për këtë rast të hidhur. S.M).

NËNËN E POPULLIT SHQIPTAR, KONTESHËN CARNARVONE e ndjen Zoti ditën e shtunë, më dy të shkurtit n’orën 5 M.D. në Portofino, Itali. Vdekja e së ndjerës asht nji pikëllim i madh për popullin t’onë. KONTESHA CARNARVON ishte zonja e KONTIT CARNARVON, Zav. Mbreti në Hindi, dhe e ama e SIR HUBERY HERBERT-it, anëtar në dhomën e Lordëve. Para se me vdek i biri i u lut së ndjerës nënë që ta dashuronte dhe ta ndihmonte Shqipërinë posi ai, e kjo, që n’ë atë koh, dashurinë që kish për të birin, e shtiu në popullin shqiptar, dhe pa marrë ndër sy shkallën e naltë të familjes së Saj as rrethanat e Anglis, vinte shpesh herë ndërmjet nesh dhe na ndihmonte, aqë sa me plot meritim ka fl tue emrin

“NËNA E POPULLIT SHQIPTAR”.

Themelimi i katundit dhe shkollës ”HERBERT”afër Kavajës për të mjeruemit Kosovarë, të stërvitunit e vajzave dhe të grave të të mjeruemve në punëdore, mbajtja e dy infermjerave në spitalin e Vlonës, shpërndamje kininosh pa të holla nëpër të vobekët, ndihma për të permirësuem ushqimin dhe veshjen e të burgosunve, të prumit e Degës Rockefeller për të luftuar malarjen në Shqipni, t’organizuemit e gjurmuesve shqiptarë, themelimin e një librarie për studentët në Tironë, kujdesimi për Kryqin e Kuq Shqiptar, janë vetëm disa nga mënyrat, me të cilat KONTESHA CARNARVON ka ndihmue Shtetin t’onë. Tash themeloi një shoqni në London për përhapjen e Arsimit në Shqipni, e cila ka këto pika në program:

1.-T’ë ndihmojë shkollat teknike dhe mjeshtrore.

2.-Të ndihmojë për arsimin e mësuesve dhe të mësuesave dhe t’u japë bursa atyne, që dëshirojnë me vazhdue mësimet e tyne në degën e medicinës, në degën e të rritunit të fëmijëve, në bujqësi, pedagogji etj.

3.-Të jap ndihmë n’organizimin e Gjurmuesvet Shqiptarë.

4.-Të mbledhë e të shpërndajë dhurata për qëllime edukative (libra dhe karta gjeografike, piktura dhe fotografina, filme edukative, prozhektorë dhe pllaka gramafoni, vegla, fara bujqësore, orendi për Kindergaten dhe laboratorë, footballë e sende të tjera sporti).

5.-Me formue librarina për studentët.

6.-Me themelue kopshte dhe ferma për shkolla.

7.-Me u dhanë një dijeni higjenike dhe anti-malarike mësuesve dhe nxensve.

8.-Me u dhanë një dijeni mbi ekonominë Shtëpijake dhe mjeshtërin e të rritunit e fëmijve, nxënsave shqiptarë.

Kryqi i Kuq Shqiptar ndjeu një dhimbje të madhe për kët humbje, q’i merr për jetë Miken e paharrueshme të tij, emni i së cilës ka me mbetë përgjithmonë i gjallë në ndjenjën mirënjoftëse të shqiptarvet’i

Mbasi ky numur i revistës ”Jeta”, botohet pas Vdekjes së të ndyerës Konteshë, e pam për detyrë t’i kushtojmë këto rreshta
ngjarjes së hidhët, e cila i mori Shqipnisë Miken më të vyer. Redaksia.

Mbreti ZOGU I. Mbreti i Shqiptarve, më 28.XII-28, Dekretoj Dekorimin e 4 Zonjave Engleze. Si më poshtë:

ZOG 1.

Elizabeth Countess of Carnarvon: Oficerin e Math t’Urdhnit Skenderbeg.

The Honourable Mrs. Aubery Herbert : Oficerin e Math t’Urdhnit Skenderbeg.

Miss Edith Durham: Oficere e Math t’Urdhnit Skenderbeg.

Mis. Ruth V. Pennington: Oficire i Urdhnit Skenderbeg.

Fatkeqësisht më 26 maj 1929 vdiq në Romë, zoti Mervin Herbert, 14 ditë pas premovimit të bibliotekës. Me pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939 nga Italia fashiste, filloi mbyllja e bobliotekës. Këshilli i Ministrave i qeverisë së parë fashiste vendosi që biblioteka deri në atë kohë private, të merrej në dorëzim nga Prefektura e Tironës dhe kjo t’ia dorëzonte Komandës së Përgjithshme për Djalërinë. Librat u vendosën në 23 arka, nga të cilat thuhet se 12 prej tyre i mori gjeneral Pariani kur u emërua guvernator në Korfuz. Në kohën e luftës së Italisë me Greqinë, komanda italiane vendosi aty për të fjetur një skuadër kundrajrore dhe nga ai moment filloi prishja e mjediseve të brendshme.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.