Besim Fagu lind më 11 mars të vitit 1925 në një familje qytetare tironase dhe vdiq në vitin 1999. Ka mbaruar shkollën e mesme në Tironë dhe studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Shën Peterburg (Leningrad) të Rusisë, më 1951. Zotëronte gjuhët ruse dhe italiane.

Veprimtarinë futbollistike të nisur në vitet 1942-1943, me skuadrën “Shprefeja”, e cila, përkrah sportit, ishte një çerdhe e të rinjve patriotë tironas të frymëzuar me ndjenja antifashiste. Këtë aktivitet, Besimi e ndërpreu përkohësisht. Ai u radhit luftëtar për çlirimin e Atdheut, së pari në Batalionin partizan “Dajti” dhe, më pas, në Brigadën 23-të. Për trimërinë, guximin, shpirtin e lartë patriotik dhe aftësitë e tij organizuese, Besimit iu ngarkuan mjaft detyra të rëndësishme.

Me çlirimin e vendit, rikthehet edhe në lojën e futbollit, ku, në kampionatet 1945 dhe 1846 luajti me ekipin e Tironës. Ai mbajti peshë të rëndësishme sidomos në dy finalet me skuadrën ”Vllaznia” të Shkodrës që u shpall kampione.

Besimi është organizatori i krijimit të KS “Partizani”, në të cilën, deri më 1959, duke qenë kapiten i skuadrës dhe njëkohësisht shef i klubit, bëhet lojtar mjaft përcaktues. Në. karrierën e tij futbollistike me këtë klub ka zhvilluar mbi 300 ndeshje në aktivitete kombëtare dhe ka marrë shtatë herë titullin kampion i vendit, si dhe katër herë kupën e Republikës. Në takimet ndërkombëtare me klubin, ka fituar dy medalje argjendi në

Spartakiadat e Ushtrive të bllokut të lindjes, më 1958 në Laipzig të Gjermanisë dhe më 1963 (si drejtues ekipi) në Hanoi të Vietnamit.

Për nivelin e tij të lartë në lojën e futbollit, i shquar për fizikun, teknikën, lojën e ajrit, goditjet e forta e të rrafshta dhe angazhimin e tij përherë konstant, nga viti 1946, kur Shqipëria fitoi kupën ballkanike dhe medaljet e arta, Besimi ka merituar edhe qenien në ekipin kombëtar të futbollit.

Si mbrojtës i shkëlqyer, ishte barikadë e fortë për skuadrën e tij. Specialistë dhe gazetarë të huaj, Besimin e kanë cilësuar “Postblloku” ose “Polici i Bonikadit”. Duke qenë njëherësh edhe kapiten i ekipit, vazhdoi të aktivizohej me sukses deri në fund të karrierës së tij, më 1959. Ai ishte gjithnjë i shquar për kontributin e tij të vyer në mjaft ndeshje ndërkombëtare.

Veç vlerave të tij në fushë, ai ka merita edhe për përkushtimin si funksionar i lartë në forumet drejtuese të fizkulturës. Duke mbajtur detyrën e shefit të klubit ”Partizani” nga themelimi i tij e deri në vitin 1967, ai ndikoi për shndërrimin e këtij klubi të madh e të rëndësishëm në një qendër moderne të zhvillimit të sportit. Në ato Vite, në të, u stërvitën dhe u formuan dhjetra sportistë cilësorë që më vonë veshën edhe fanellat e ekipeve kombëtare.

Falë vlerave profesionale e morale, për mbi 20 vjet radhazi, Besimi ishte zgjedhur në organet e BFSSh, FShF etj.. Në vitet 1967-1974, si shef i përgatitjes fizike në Ministrinë e Mbrojtjes, ka dhënë po ashtu kontribut të rëndësishëm për organizimin dhe zhvillimin e sportit në ushtri. Të lidhura direkt me aftësitë e tij drejtuese dhe organizuese janë edhe disa spartakiada të ushtrisë nga të cilat dolën edhe dhjetra talente të shquara në drejtime të ndryshme të sportit shqiptar dhe që vazhduan më tej këtë rrugë të bukur.

Për disa kohë, Besimi ka qenë edhe kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit (1974-1977). Në këtë detyrë, veç aftësive të tij profesionale për të drejtuar këtë institucion të rëndësishëm, si një qytetar i ndershëm dhe intelektual i formuar, ai shpalosi vlera të tjera edhe më të vyera. Shërbeu me ndershmëri dhe maturi në zgjidhjen e të gjithë ceshtjeve të futbollit dhe për këtë ka lënë mbresa të mira e të pashlyeshme.

Si njeri që donte sportin, ai ishte objektiv dhe mbrojtës i së drejtës, pavarësisht se cilit klub i përkiste sportisti apo edhe problemi për të colin bëhej fjalë. Për këto tipare, ai mbetet përherë i nderuar nga komuniteti ynë.

Për cilësitë e tij të shumëanëshme morale, patriotike, sportive, profesionale dhe qytetare, përveç shumë dekoratave: ”Urdhëri i Punës” i klasit III dhe II, Urdhëri “Skënderbeu”, Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit II dhe I, ”Medalja e Çlirimit”, ”Medalja e Trimërisë”, “Medalja e Kujtimit”, Urdhëri “Ylli i Kuq”, ai mban edhe këta tituj të tjerë sportivë: “Kuadër i Nderuar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tironës”.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.