Besim Daja
Besim Daja

Besim Daja lindi në Tironë më 26-1-1923. Studimet e larta i filloi në Lubjanë (1945-1948) dhe i përfundoi në San-Peterburg (1951). Emërohet shef i seksionit të arkitekturës në ndërmarrjen ”Projekti” (1951-1953), prej nga kalon zv-drejtor i Institutit të Lartë Politeknik (1953-1957).

Me themelimin e Universitetit Shtetëror të Tironës, ai merr disa detyra: zv-dekan i fakultetit të inxhinierisë (1957-1965), dekan i fakultetit të inxhinierisë (1965-1970) dhe zv-rektor i Universitetit (1970-1983). Gjatë gjithë kohës ka qenë shef i katedrës së arkitekturës (1951-1983). Në të dy këto institucione ai ka shpalosur një aktivitet të suksesshëm në procesin mësimor.

Ka zhvilluar me nivel të lartë metodik-shkencor lëndën e gjeometrisë deskriptive dhe lëndë të tjera të rëndësishme. Në fushën e botimeve ai është përgjegjës i grupit për hartimin e tekstit ”Gjeometria deskriptive”, 1974, i ribotuar më 1981 e 1986 si dhe autor i librave ”Bazat e projektimit të shtëpive të banimit”, 382 fq, 1986 dhe “Bazat e projektimit të godinave social-kulturore”. Ka shkruar edhe një numër të konsiderueshëm artikujsh shkencorë.

Ka mjaft referate shkencore dhe ka udhëhequr disa disertacione. Për kontributin e tij në përgatitjen e mjaft brezave studentësh e specialistësh dhe për ndihmën që i ka dhënë pedagogëve të katedrës, ai konsiderohet si themeluesi i shkollës së arkitekturës shqiptare.

Besim Daja nuk e ka ndërprerë asnjëherë punën projektuese si arkitekt. Në vitin 1957, me projektin e pesë konvikteve të para, të cilat shënuan një kthesë të rëndësishme nga realizmi socialist i asaj kohe, ai nisi hapat e parë të arkitekturës moderne.

Ai ka projektuar gjithashtu, me një arkitekturë të bukur e funksionale Teatrin e Operës dhe të Baletit, ka udhëhequr, pas një konkursi kombëtar, grupin e projektimit të Varrezave
të Dëshmorëve të Atdheut dhe ka projektuar shumë objekte të tjera social-kulturore si shtëpi banimi, shtëpi pushimi, ekspozita etj.

Për aktivitetin e gjithanshëm pedagogjik, shkencor e drejtues, ai është dekoruar me ”Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” të klasit I, Urdhrin për shërbime të shquar shtetërore dhe shoqërore” të klasit I; “Urdhër pune” të klasit të I dhe dy të klasit 11 si dhe ”Mjeshtër i punës”.

Nga këshilli bashkiak i Tironës është nderuar me titullin ”Mirënjohja e qytetit të Tironës” dhe nga Shoqata “Tirona”, me “Fisnikëria tiranase”. Eshtë anëtar efektiv i Akademisë së Shkencave të RSh.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.