Bedri Llagami
Bedri Llagami

Midis arsimtarëve shqiptarë, emri i të cilëve nuk mund të përmendet veçse me nderim të veçantë, dhe që ka zënë tashmë vend plotësisht të qëndrueshëm e të merituar, është edhe Mësuesi i Merituar Bedri Llagami. Me jetën e punën e tij, ai arriti të ngrihet në nivelin e figurave që u dhanë fjalëve mësues dhe njeri atë tingëllim, sa të madhërishëm, aq edhe fisnik.

Bedri Llagami, u lind më 15 shkurt 1899, në një familje të dëgjuar tiranase me tradita atdhetare-kulturore dhe arsimdashëse. Është i biri i avokatit dhe patriotit të mirënjohur Myslym Llagami, që u bëri ballë përpjekjeve të pushtuesve osmanë dhe shovinistëve serbë.

Bedri Llagami mësimet e para i mori në shkollën turke të asaj kohe dhe më pas ndoqi me rezultate të shkëlqyera Shkollën Normale të Elbasanit. Pas mbarimit të kësaj shkolle, punoi mësues për 50 vjet rresht, duke u shquar për punën e mirë me nxënësit dhe prindërit e tyre.

Ishte vetëm 19 vjeç, kur më 1 tetor 1917, çeli shkollën e parë shqipe në fshatin Sharrë të Tiranës. Me ndihmën e banorëve të këtij fshati ngritën ndërtesën e shkollës me mure prej thuprash të lyera me baltë. Frymëzimi patriotik, interesat e gjera, kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit e thjeshtë i shtuan interesimin për më tepër kulturë dhe dëshirën për gjuhën shqipe. Kështu, figura e tij si mësues vazhdonte të rritej. Më pas ai vazhdoi mësuesinë, duke u emëruar në poste drejtuese. Për vite me radhë, ai shërbeu si drejtor në shkollat Naim Frashëridhe Koto Hoxhitë Tiranës.

Pra, një jetë të tërë, më se gjysmë shekulli në përkushtim të arsimit dhe rrugës së vështirë të dijes. Bedri Llagami zgjodhi si profesion mësuesinë, jo si rrugën më të lehtë, por atë më të ndershmen dhe të vështirën. Ishte pikërisht kjo që e ngriti atë në rangun e arsimtarëve të shquar, me përgatitje pedagogjike dhe interesa të gjera, duke dhënë kontribut të shquar e me përmasa të admirueshme.

Më e plotë dhe e kompletuar paraqitet figura e Bedri Llagamit si mësues kur vërejmë vlerësimet dhe respektin që ai gëzonte nga nxënësit e tij. Në vitin 1942-1943, nga 179 mësues dhe drejtorë të shkollave të Prefekturës së Tiranës, Bedri Llagami u përzgjodh nga Ministria e Arsimit mes 12 arsimtarëve më të dalluar, me motivacionin: Do të ishim të lumtur po të kishim shumë burra të tillë në arsim&. Është një rast krejt i veçantë që nga trungu i Llagamëve, 30 prej tyre kanë qenë arsimtarë. Nga pesë fëmijët e tij, tre, Suzana, Vera e Bujari, kanë qenë kuadro në arsim duke dhënë lëndë si Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi e Kimi-Biologji.

Disa rrugë të Tiranës mbajnë emra të personaliteteve të familjes Llagami. Nga kjo familje rrjedh dhe heroi i Luftës së Kosovës e trojeve shqiptare përreth, e që do ti mbetet historisë, Skerdilajd Llagami Komandant Shpendi.

Nga kjo vatër arsimdashësish e patriotësh vjen Mësuesi i Merituar Bedri Llagami, shembull frymëzues vetëmohimi e i dashurisë për dije. Ai ka qenë e mbetet një personalitet i arsimit shqiptar e një figurë emblematike.