Shtëpia apo banesa tiranase është nga tipet më të lashta, dhe nga mënyra e ndërtimit dhe e funksionimit nuk haset në qytetet e tjera të Shqipërisë. Banesa tiranase, në fillimet e shekullit XVII, përbëhej nga një ambjent, 4-5m i lartë. Ajo quhej shtëpia e zjarrit (shpia e zjermit). Sipërfaqja e saj ishte 30-55m2, dhe forma drejtkëndore, zakonisht me përmasa 6x8m. E spostuar, rreth 2m larg një muri ishte vatra e zjarrit, (votra zjermit), që shërbente për gatim dhe për ngrohje. Ajo kishte formë drejtkëndëshe dhe ishte e ndarë në dy pjesë të shkallëzuara; në pjesën e ulët ndizej zjarri, ndërsa në pjesën e ngritur vendoseshin drutë. Të dyja pjesët ndaheshin nga dy gurë të ngulur në tokë, që quheshin carunj. Në trarët e tavanit kapej kamostra (zinxhir që përfundonte me çengelë ku vareshin enët e gatimit). Në vatër përdoreshin komjet, që ishin trekëndësha hekuri me këmbë, ku vendoseshin kazanë apo enë të tjera gatimi, për t’u zier apo pjekur ushqimi. Dyshemeja ishte prej dheu të ngjeshur, në nivelin e oborrit.

Shtëpia ishte pa tavan dhe tymi dilte nëpërmjet tjegullave. Streha e çatisë ishte veçanërisht e gjerë, për të mbrojtur muret e qerpiçit nga shiu, dhe përpara derës dykanatëshe formonte një hajat të vogël. Në shtëpinë e zjarrit familja jetonte, ushqehej, priste miqtë dhe flinte. Banesa ditën ndriçohej nga dy ose katër baxha, një ose dy prej të cilave binin mbi vatër. Dritaret, një ose dy, nga ana derës kryesore, duhet të jenë futur më vonë. Në fund të oborrit ishte nevojtorja -banja, dhe poshtë saj gropa septike. Më tutje ndodhej ahuri dhe koteci i pulave. Shekuj më parë, natën, banesa ndriçohej nga pisha. Në Tiranë nuk është përdorur bishtuku në formën e tij klasike me bishtin e gjatë, por kandili (kanili). Tiranasit e vjetër më kanë treguar për kokmet prej teneqeje me vaj, (apo me voj, siç themi në dialektin tonë), me fitil dhe me një si bisht, (si i filxhanit). Më pas kokmet prej teneqeje u zëvendësuan me kokme prej qelqi. Më e vonshme ka qenë llampa me vajguri, e cila mund të kishte një pasqyrë të rrumbullakët, përballë poçit të gjatë, të qelqit, për të shtuar dritën me pasqyrimin e saj. Kur tiranasve u duhej të dilnin natën, ata merrnin me vete fenerin për të ndriçuar rrugën. Kjo situatë vazhdoi, deri në vitet ’20 të shekullit të shekullit të kaluar, kur qyteti filloi të ndriçohej nga energjia elektrike.

Pranë vatrës ishte një pjesë e ngritur dhe e shtruar me dërrasa, që shërbente për ndejtje dhe për fjetje. Më vonë rreth vatrës shtroheshin hasrat, ku uleshin anëtarët e familjes. E gjithë dhoma ishte e rrethuar me sergjenë, të cilët mund t’i krahasojmë me etazherët. Aty vendoseshin enët e gatimit: kushonat -tenxheret, qepshja, gjyma të madhësive të ndryshme, kuzet -tepsitë, fteret -tiganet, tava e dheut, vorbja për zierjen groshës -fasuleve, xhezvja e kafes, mytia -dybeku, për përgatitjen e djathit dhe tlynit -gjalpit. Buka gatuhej në magje, që ishte një tip govate, dhe piqej në tepsi. Për të siguruar një pjekje më të mirë, tepsitë apo tavat mbuloheshin me saç, i cili ishte një lloj kapaku bakri. Por, simite (bukë) mund të blije edhe në furrat private. Në Tiranë, simiteve u thonin parur, dhe ky emër kishte mbetur nga koha kur simitet kushtonin një pare. Në dhomën e zjarrit nuk mungonte dymleku -vedeni, i cili përhapte erë të mirë dhe hahej në dimër. Kupaci ishte një “tas” druri me kapak, i cili përdorej për të ruajtur ushqimin në udhëtim.

Shtëpia tiranase ndërtohej me qerpiç dhe me breza druri. Qerpiçi, (tullat e baltës të thara në diell), përgatitej në vendin e ndërtimit me kallëp druri. Ai ishte i leverdisshëm nga pikëpamja ekonomike dhe me veti shumë të mira termoizoluese. Muret e qerpiçit ndërtoheshin 0,60-0,70m të gjerë. Qerpiçët lidheshin me llaç balte të përzierë me kashtë. Brezat e drurit viheshin çdo 0,7-1 metër lartësi dhe përbëheshin nga dy binarë, një nga brenda e një nga jashtë. Ata siguronin fortësinë dhe qëndrueshmërinë ndaj lëkundjeve sizmike. Themelet ndërtoheshin me gurë lumi. Banesa tiranase suvatohej nga brenda dhe nga jashtë me llaç balte, dhe lyhej me gëlqere. Shtëpia tiranase me një ambjent ka qenë zhdukur në qytet prej kohësh, por gjendej akoma në fshatra (si p.sh. në Mullet) deri në vitet ’60, ’70 të shekullit XX7.

Me kalimin e kohës shtëpia tiranase evoloi. Ajo u zhvillua horizontalisht dhe në lartësi. Quri ishte një dhomë e vogël ngjitur dhe pas dhomës së zjarrit, pa tavan dhe zakonisht i pasuvatuar. Aty mbaheshin qypa me vaj, ullinj, turshi, mishi, dhe zahire të tjera që përdoreshin për dimër, si shallamoja -salca e kosit, kakamori -bostani, etj. Kakamorit -bostanit të papjekur, i thonin kakaviç. Për të treguar se dikush bënte veprime të papjekura, tiranasit thonin është kakaviç, d.m.th. i papjekur. Në qur mbahej hardiçi në qypa, i cili përftohej nga fermentimi i degëve të dëllenjës në ujë, dhe shërbente si një tretës shumë i mirë. Deri në vitet ‘30 të shekullit XX, hardiçi shitej edhe në pazar. Në qur ishte hamari, i cili kishte madhësinë e një sepeti, por më i lartë. Hamari ishte i ndarë në dy pjesë: gjysma shërbente për mbajtjen e miellit dhe gjysma tjetër për gatimin e brumit. Ay ruhej edhe nardeni -një lloj prevedeni pa sheqer, i cili përftohej nga kumbullat, për të gatuar mish me narden, hashafi -hoshafi -kumbullat e thata, palët e fikut, bukë fiku -fiku i tharë dhe i bërë si kulaç, zanzërmaja -mishi i zier pa kocka. Në njëfarë mënyre kemi treguar këtu se me çfarë ushqeheshin tiranasit dikur. Duhet theksuar se hanin mirë, pasi “nuk mbahet stomaku me arna”, thonin ata, “trupi po”. Baza ushqimit ishte mishi, yndyra me bollëk, tlyni -gjalpi, dhe frutat e omëlsinat -ëmbëlsirat, hasudja dhe hallva. Byreku me hislla përdorej edhe si mjaft kurativ. Rakia nuk ka qenë e përhapur në Tiranë, pihej pak e për lezet dhe bëhej nga rrushi dhe nga mani.

Lartësia e banesës bëri të mundur, më vonë, ndërtimin e një ballkoni të brendshëm në gjysmëlartësi, (mafili), i cili nuk ndërtohej asnjëherë nga muri ku ishte vatra e zjarrit. Në mafil ngjiteshe me shkallë dhe nëpërmjet tij futeshe në ambjentet e tjera, që filluan të ndërtohen ngjitur me dhomën e zjarrit. Ato shërbenin për çiftet brenda familjes së madhe patriarkale. Të gjitha dhomat e tjera komunikonin me dhomën e zjarrit. Shiltet (çiltet) e dyshekët zëvendësuan hasrat. Tavanet dhe dyshemetë bëheshin prej dërrase, por përsëri dhoma e zjarrit ishte pa tavan. U shfaqën sofrat e më vonë minderët. Ngjitur me dhomat e gjumit u ndërtuan banjo për t’u larë. Dyshemeja e banjos shtrohej me çimento me një vrimë në mes, e cila shërbente për largimin e ujit. Uji merrej nga pusi, transportohej me gjyma në kazanët që ndodheshin në banjë. Për t’u larë ujin nga kazanët e merrnin me kokme -sapllake. Tiranasit laheshin me ujë të ngrohtë, por mjaft prej tyre preferonin larjen me ujë të ftohtë. Rrobat laheshin me sapun nga gratë, të cilat i rrihnin me forcë, me lasë, tek vija e ujit.

Edhe në ndërtesat dykatëshe, dhoma e zjarrit ishte ambjenti ku mblidhej e gjithë familja. Në këto shtëpi dhoma e zjarrit arrinte lartësinë e dy kateve dhe komunikonte direkt me ambjentet e tjera nëpërmjet një shkalle të brendshme. Përpara dhomës së zjarrit vazhdonte të ishte hajati, i cili shërbente më shumë gjatë periudhës së verës. Në dhomën ku priteshin miqtë, vatra ishte anës murit me oxhak. Në dhomat që mungonte oxhaku, ngrohja kryhej nëpërmjet tagarit -mangallit, ku futej prushi, i cili lëshonte nxehtësi. Më vonë, u shfaqën çardakët -sallonet, të vendosura përpara dhomës së zjarrit. Shtëpitë jashtë dhe brenda lyheshin me gëlqere. Në shumicë, fillimisht shtëpitë kanë qenë njëkatëshe, por me kohë filluan të shfaqeshin banesa dykatëshe, ku shkallët (prej druri) për t’u ngjitur në katin dytë ishin të brendshme. Këtu keni fotot e tri shtëpive shumë të vjetra tiranase; vini re se tek dy të fundit penxheret thuajse janë njëlloj.

Kur ndërtonin një shtëpi një të re, tiranasit therrnin një dash, (bënin kurban), për mbarësi; kokën e tij e shtinin në themele, bashkë me ndonjë pare sermi. Zakoni i kurbanit dhe spërkatja e themeleve, me gjakun e bagëtisë që therret, jo rrallë bëhet edhe sot. Kur hynin në shtëpi të re, miqtë i shkonin të zotit të shtëpisë, për urim duke hedhur e shpërndarë sheqer, oriz ose grurë; kjo ndodhte edhe për dyqanet e reja. Shtëpitë nuk ndërtoheshin buzë rrugëve; ato rrethoheshin gjithmonë nga oborri dhe baçja, të cilat në rrugë apo rrugicë kishin një portë të madhe dykanatëshe, që të mund të futeshin lirisht kafshët e ngarkuara (kali ose gomari). Porta ishte gjithnjë e mbuluar me çati dhe anash saj, në rrugë, kishte dy gurë të mëdhenj ku uleshin pleq, plaka dhe fëmijë. Rruga apo rrugica lagej dhe fshihej dy herë në ditë, nga banorët që banonin aty. Muret rrethues -havllitë përcaktonin mbarimin e pronës, apo kufirin midis dy komshinjve. Në njërën anë muri i qerpiçit kishte disa të futura në formë trekëndëshi, apo gjysmërrethi. Këto tregonin pronësinë e murit dhe përdoreshin për t’i vënë pulat squkë. Kur muret filluan të bëheshin me tulla, pronësia e murit tregohej nga bylmet -kolonat që bëheshin çdo dy-tre metra në njërën anë.

Oborri dhe kopshti -bahçja, ishin të mirëmbajtura dhe shumë të bukura. Oborri ndodhej përpara shtëpisë, ishte i shtruar me kalldrëm dhe kishte sipërfaqe më të vogël krahasuar me bahçen (baçen). Anash mbilleshin lule të mrekullueshme si dorëzoja, lulesahati, trëndafila dhe karafila. Aty nuk mungonin erëzat, si nenexhiku, selino-ja, kopra dhe perime. Në vazhdim vinte kopshti -baçja. Aty rrinin më së shumti gratë dhe fëmijët. Nuk kishte shtëpi pa baçe, dhe në raste jo të pakta, përmasat e tyre ishin tejet të mëdha. Baçet ishin ambjente pune e shlodhjeje. Pusi ishte element qendror i baçes, dhe i shërbente disa familjeve fqinjë, pasi jo të gjithë kishin pus. Ai shërbente edhe si frigorifer, pasi tiranasit mbanin aty varur në enë të ndryshme, bylmetin e freskët. Mbi pus ishte i vendosur çikriku, i cili me anë të litarit bënte të mundur ngritjen dhe uljen e kovës, për të mbushur ujë. Element tjetër qendror ishte pema e manit, pasi tiranaset ishin të dalluara në punimin e mëndafshit. Me vegjë -tezgjah përgatiteshin pëlhurat e pambukta e të mëndafshta, ndërsa me gjergjef qëndisej. Në baçe ishin edhe dybekët për të shtypur grurin dhe orizin, dhe aty prodhohej dikur niseshteja. Tiranasit mbanin pula, por jo pëllumba për të cilët besonin se sillnin tersllëk. Jo rrallë në baçet tiranase rritej caraci, i cili është një pemë e madhe, me fruta të vogla. Rreth 90% e frutit të vogël të caracit përbëhet nga bërthama, sidoqë ai kishte një shije, (për mua), të këndshme. Nga ana tjetër, druri i caracit nuk vlente as për t’u djegur. E lidhur me këtë pemë (dhe frut), është një nga sharjet më të këndshme të tiranasve: “O carac!”

Baçet e tiranasve ishin plot me drurë frutorë: fiku, sheftelia -pjeshka, kajsia, dardha, qershia, vishnja, kumbulla, muçmolla, mallmuça, vollat, hardhia, (rrushit me erë tiranasit i thonin qelbs), etj, dhe me pemë dekorative. Deri në vitet ‘30 të shekullit XX, frutat nuk shiteshin në pazar. Ato konsumoheshin së bashku me komshinjtë, të cilët komunikonin midis tyre edhe me dyer të brendshme oborresh, pa dalë në rrugë. Në Tiranë dyert e shtëpive nuk mbylleshin me çelës, havllitë -muret që ndanin baçet ishin të ulët pasi nuk vidhte kush. Mbyllja me dry e me çelës e shtëpive filloi në masë aty nga vitet 1943-’44 të shekullit të kaluar, për shkak të gjendjes së pasigurt që po kalonte kryeqyteti. Kopshtet tiranase rezistuan deri pas vitit 1944, kur në masë u shpronësuan nga regjimi komunist. Territori i tyre u përdor për ndërtime pallatesh, rrugë, shkolla etj.

Në vitet ‘20 të shekullit XX, tipi i shtëpisë tiranase pushoi së ndërtuari, pasi nuk mund t’i adaptohej më zhvillimit, dhe kërkesave të kohës. Për më tepër, ligji i bashkive, i vitit 1922, ndalonte ndërtimin e shtëpive me qerpiç. Në vitin 1925 filloi ndërtimi i shtëpive dhe vilave moderne, si në perëndim. Një pjesë e këtyre vilave që nuk janë prishur përgjatë socializmit dhe në 20 vitet e fundit, ju mund t’i shikoni në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Edhe kur nuk janë të restauruara, apo kur janë të restauruara keq, mund të them se ato janë pasuria dhe bukuria e vërtetë e Tiranës. Mjaft prej tyre sot janë prishur për pallate, të tjera kanë nevojë për rikonstruksion, por një pjesë kanë rimarrë shkëlqimin e dikurshëm, duke zbukuruar qytetin.

Veshja

Veshja e burrave në Tiranë nuk ndryshonte nga pjesa tjetër e Shqipërisë së mesme. Ajo përbëhej nga brekushet (shallvaret), të mbathurat e gjata, (poshtë tyre), këmisha, jeleku i qëndisur në ar, (ose mintani), xhoka prej leshi, çorapet e shkurtra e të qëndisura, opingat-sandalet, qeleshja. Zakonisht brekushet ishin të bardha, prej pëlhure, por përdoreshin edhe brekushet e zeza prej leshi, sidomos në dimër. Ato mbaheshin në bel me ushkur, i cili luante rolin e rripit të sotëm. Përsipër mbahej një brez leshi, i punuar me kujdes, i cili së pari të mbronte nga të ftohtit në dimër, por ai shërbente për të mbajtur kutinë e duhanit, sahatin me qostek, koburen apo jataganin, etj. Mbi brez jo rrallë mbahej një çerve, e cila ishte një shami e madhe që shërbente për t’u fshirë, pasi burrat merrnin abdesin përpara se të faleshin në xhami. Meshkujt ishin të qethur, mustaqet ishin gjithmonë të pranishme (si kudo në Shqipërinë e asaj kohe), dhe mjekra mbahej nga klerikët.

Qeleshet ishin të larta dhe të bardha (në formën e trungut të konit), ndërsa fesi, prej stofi të zi, ishte më i shtrenjtë, dhe tregues i një gjendjeje të mirë ekonomike. Çorapet e leshit mund të ishin të bardha, të zeza ose me ngjyra. Sipër këmishës vishej mintani i basmës në verë, ose xhamadani i shajakut në dimër. Xhamadani i bardhë zbukurohej me gajtan të zi, por për ceremoni të ndryshme përdorej xhamadan me copë të kuqe, i cili qëndisej me gajtan të zi me fije ari.

Jakucet ose gjurditë ishin veshje prej shajaku të zi, të cilat i quanin xhoka, që ishte e gjatë sa një xhaketë. Pikërisht nga heqja e qeleshes dhe nga xhoka filloi ndryshimi i veshjes së burrave, pasi kjo e fundit filloi të zëvëndësohej me xhaketën (setrën, -e thënë kjo turqisht). Kostumi me fustanellë dhe çakshirët, në Tiranë, janë përdorur nga shtresa e lartë…

|hardcopy|2007/01/29 22:43:15
Shefqet cakiqi
Console / ACER-59DE6FF88D

Në veshjet e grave dominonte ferexheja që ishte një pelerinë që hidhej nga koka deri tek këmbët, ose çarçafi që përbëhej prej një fundi të zi dhe një pelerine që hidhej në kokë. Të dyja këto lloje veshjeje për femra shoqëroheshin me perçen, që mbulonte fytyrën. Gratë i mbanin flokët përgjithësisht të gjata dhe i lyenin me këna.

Zonjat (hanëmet) e shtresës së lartë mbanin veshje luksoze orientale, me çitjane, pirpiri dhe xhybe stofi të zi ose kafe. Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, në Tiranë u pëlqye shumë një pëlhurë e hollë dhe e pambuktë, që erdhi nga jashtë dhe që quhej “nansuk”.

Ai në Tiranë u quajt “mermer” dhe dimitet filluan të bëheshin prej “mermeri”, të cilat për një kohë u përdorën si veshje për martesë. Kur martoheshin dhe më pas, gratë patjetër varnin stoli në qafë dhe në gjoks. Në fshatra, përdorej këmisha e gjatë, përparja dhe xhoka me ose pa mëngë. Në malësi përmbi këmishë visheshin brekushet e gjera dhe të leshta. Çorapet i mbanin të leshta, të shkurtëra dhe me ngjyra të ndryshme…

 

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.