Bahçet Tironse - Foto Arben Mirdita
Bahçet Tironse - Foto Arben Mirdita

Bahçet Tironse
“Bahçet tironse?! E ku ka mbetur më gjë prej tyre!” Ishte e pritshme dhe kështu reaguan në Institutin e Monumenteve të Kulturës disa specialistë dhe tironsa të mirë. Bahçet e famshme të Tironës, ato oaze të vjetra të kryeqytetit janë zhdukur të gjitha. Nuk ka mbetur as edhe një që të përfaqësojë modelin e kësaj strukture të dikurshme rreth banesës qytetare të Tironës. Ndërsa metropolet e botës janë përfshirë nga ethet e kopjimit të së shkuarës, në Tironë ndodh e kundërta.

Vazhdojnë të “flijohen” ato “gërmadha të shëmtuara e të padobishme prej qerpiçi” për pallate shumëkatëshe, së bashku me gjithë ç’ka mbetur rreth e rrotull tyre si mbeturinë e bahçes së dikurshme, kryesisht pemë, kalldrëme, puse. Dhe në Institutin e Monumenteve vjen një ditë e të thonë se nuk ka mbetur më asnjë model jo i bahçes së Tironës jo e jo, por as edhe i banesës tipike të Tironës. Për bahçen tiranse nuk gjetëm as ndonjë studim të mirëfilltë specialistësh.

Megjithatë ka ende dëshmitarë që e kanë përjetuar epokën e bukur të bahçes tiranse. Panorama e saj nuk është e vështirë të ndërtohet me anë të kujtimeve të tyre. I vështirë duket rikthimi i saj dhe i një morie detajesh dhe elementesh magjike të së shkuarës së qytetit, që i ka përpirë harresa.

Kur del në bahçe…
Këngëtarja Fitnete Rexha është e para që i ka kënduar bahçes së Tironës. Bahçes së luleve. Këto të fundit nuk i kanë munguar asnjëherë bahçes tironse. Po nocioni i bahçes sipas banorëve të Tironës është shumë më i gjerë. Ai përfshin edhe kopshtin me gjithë oborrin e shtëpisë e ndonjëherë edhe veçmas saj. “Vend çlodhjeje dhe njëherazi “epiqendër” e bahçes ishte pema e manit.

Ajo lidhej edhe me një aspekt utilitar të familjes tirnase, punimin me gjergjef të mëndafshit”, – fillon të tregojë një nga pinjollët e një familje të hershme tiranse, Sulejman Dashi, i cili është njëkohësisht edhe specialist në Institutin e Monumenteve. “Me gjethet e manit ushqeheshin krimbat e mëndafshit, fijet e të cilëve më pas, gjithnjë me punë artizanale, përfundonin në gjergjef prej nga dilnin pëlhurat dhe të linjtat, sepse tekstilet në atë kohë ishin prodhim vetjak i familjes”, – vazhdon të tregojë Sulejmani jo pa nostalgji. “Në bahçe mblidheshin zakonisht gratë dhe fëmijët që kishin të drejtë të rrinin pranë tyre gjithë kohës.

Ndërsa burrat dilnin. Bahçja ishte një vend i mirë për të përgatitur ushqimet dhe veshmbathjet. Kështu për shembull mbaj mend si përgatitej niseshteja në bahçen e hallës sime, në ca çarçafë të mëdhenj. Ajo ishte një bahçe e mirëfilltë dhe ishte e ndarë në tre pjesë”, – vazhdon të rrëfejë Sulejmani. Më tej ai shton se një nga elementët kryesorë të bahçes së Tironës ishte edhe pusi. Një pus i përbashkët për disa familje të mëhallës, i cili luante edhe funksionin e një frigoriferi në natyrë. Aty, sipas tironsit, mbaheshin ftohtë dhe larg kafshëve shtëpiake bulmetrat, varur në paretet e pusit si edhe shtampat e mbushura me ujë.

Sipas kujtimeve të këtij tironsi të apasionuar pas magjisë së të shkuarës, në bahçe mbilleshin një mori erëzash si nenexhik, selino, kopër në parcela të caktuara për to dhe padyshim shumë lule si dorëzonja dhe trëndafila, lule-sahati dhe karafila. Megjithatë sipas specialistit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, koncepti i shtëpisë me bahçe nuk ekziston më. Nga pikëpamja funksionale, bahçet nuk ekzistojmë, sepse nuk ka më hapësirë prodhimi vetjak. Po nga pikëpamja e trashëgimisë së qytetit?

Pak histori për bahçen Tiranse…
Në një planimetri të Tironës të vitit 1916, Emin Riza dhe Koço Zheku vërejnë se qyteti kishte një shtrirje shumë të madhe dhe se ai ishte zhvilluar kryesisht në rrafshinën që gjendet ndërmjet lumit të Tiranës dhe përroit të Lanës. “Nga sa na lejon kjo planimetri, vërejmë se banesat janë të veçuara nga njëra-tjetra e të rrethuara me kopshte të mëdha”.

Po kështu edhe sipas hulumtuesve të historisë, Skënder Jasa dhe Xhavit Maçi në librin e tyre të përbashkët për historinë e Tironës. “Shtëpitë e qytetarëve komunikonin me njëra-tjetrën me anën e dyerve të kopshteve të rrethuara me mure qerpiçi.

Mund të komunikohej me tërë qytetin nëpërmjet dyerve të brendshme, pa qenë nevoja të dilje rrugëve”. Tirons 24 karatësh, piktori Sali Shijaku është ndoshta i vetmi që ruan një shtëpi tipike tiranse dhe ruan gjithashtu plot detaje nga bahçja e “Belle Epoque”. Vegjët janë ornamenti më i bukur sipas tij për të dekoruar oborrin e shtëpisë ku nuk mungojnë qypat e detit, një rrotë mulliri e nxirë, punime te kashtës dhe të drurit si edhe oborri me gurë lumi (kalldrëm). Në atë oborr dikur nëndaja e tij tirrte me elemine fillin e krimbit të mëndafshit dhe më pas e kalonte në vegjë.

“Më kujtohej si e tirrte mëndafshin në oborrin e shtëpisë, ajo atmosferë, si zgjatej filli nga njëri cep i oborrit në tjetrin. Përveç kësaj kujtoj edhe dybekët, jo ato që tundin dhallin por dybekët për të shtypur grurin ose orizin. Dy-tre punëtorë rrihnin në dybek grur ose oriz”, – kujton Sali Shijaku. Vajzat dhe gratë tiranse, pothuajse pa përjashtim, punonin tërë jetën në vegjë, duke endur pëlhura të pambukta e të mëndafshta për nevojat e shtëpisë dhe për t’i shitur.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.