Asllan Rusi
Asllan Rusi

Asllan Rusi lindi në Tiranë më 4 tetor të vitit 1945 në një familje intelektualësh. Pasi mbaroi shkollën e mesme, kreu studimet e larta në lLKF “Vojo Kushi”, ku u diplomua “mësues i edukimit fizik”. Ky sportist i shquar vdiq nga një sëmundje e pashërueshme në vitin 1983.

Me dashurinë për sportin, ai, që në fëmijëri organizonte me bashkëmoshatarët e vet lojrat e futbollit, të atletikës etj. Me volejbollin aktivizohet fillimisht, me ekipin e KS “17 Nëntori” (1959-1960). Por, përherë, mundësitë e klubeve më të fuqishme, bënë që gjatë gjithë karrierës së shkëlqyer të tij, nga viti 1961 e deri më 1975, ai të luajë për KS “Dinamo”.

Falë të dhënave të shumta fizike e teknike dhe punës këmbëngulëse të tij, ai bëri hop të dukshëm cilësor sportiv duke u kthyer në një kolos të vërtetë të volejbollit dinamovit dhe shqiptar. Gjatë 14 vjetëve në këtë ekip, duke u aktivizuar në qindra ndeshje, është shpallur 12 herë kampion i vendit, 7 herë fitues i kupës së Shqipërisë dhe fitues i Spartakiadës kombëtare të vitit 1969.

Nivelin e lartë të volejbollit të tij e ka treguar edhe në 45 takimet ndërkombëtare të zhvilluara në bazë klubi në takimet me ekipe të Ballkanit dhe të Europës. Nga të 10 edicionet pjesëmarrëse në kupën e kampioneve, në atë të vitit 1971-1972, falë edhe kontributit të çmuar të tij, “Dinamo” radhitet në katër skuadrat më të mira të këtij aktiviteti.

Për disa vite, ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të volejbollit, me të cilin ka zhvilluar mbi 35 takime ndërkombëtare. Për t’u theksuar janë pjesëmarrjet në eliminatoret e kampionatit botëror të vitit 1969 zhvilluar në Sofje dhe në kampionatin europian të vitit 1967 zhvilluar në Turqi, në të cilat u cilësua si shuteri më i mirë. Për vlerat e tij të padiskutueshme, në vitet 1966 dhe 1967, është fitues i anketës së gazetës “Sporti Popullor”.

Me edukatën e formuar qytetare, Asllani ishte shembull i figurës së sportistit të vërtetë jo vetëm në stërvitje e në lojë, por edhe jashtë tyre. Për nder të tij, punës së madhe të tij dhe angazhimit model në sportin e volejbollit shqiptar, organet kopetente i dhanë emrin “Asllan Rusi” pallatit kryesor sportiv të Tiranës.

Për kontributin dhe cilësinë e lartë, ai mban edhe titullin ”Nderi i Sportit Shqiptar”.

Burimi: Gazeta Vatra

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.