Arben Tafaj
Arben Tafaj

Tirana e përcjellë në memorjen e paraardhësve të mi është qyteti tradicional i vlerave të gjithanëshme, por sidomos i atyre shpirtërore dhe shoqërore si harmonia dhe shkueshmëria e madhe me fqinjët dhe të afërmit, kur shtëpitë tiranase ndaheshin nga avllitë (muret) me deriçka nga ku mund të hyje në shtëpitë e fqinjëve me të cilët ndanin jo vetëm gëzimet e hidhërimet por shpesh edhe ushqimet apo veshjet. Portat e shtëpive apo dyqaneve rrinini hapur pasi vjedhja ishte diçka e panjohur për tiranasit të cilët dalloheshin jo vetëm si tregtarë apo zejtarë të ndershëm por edhe si besimtarë të devotshëm.

Po në kujtimet e fëmijërisë suaj çfarë mbani mend?

Fëmijëria ime i përket brezit të viteve 1960-1970. Në këtë kohë Tirana ruante ende disa nga tiparet e saj tradicionale, sidomos në lagjet e saj autoktone, ku unë jam rritur. E kujtoj mjaft mirë atë periudhë të fëmijërisë kur hynim e dilnim në oborret e komshinjve si në shtëpitë tona, hanim frutat e pemëve në kopshtet e tyre; kur mblidheshim pasditeve në rrugicën e “Tafajve”, pranë Selvisë, kur këndonim me kitarë hitet italiane dhe britanike të viteve 1960-1970, por gjithmonë mbasi mbaronte orari i studimit dhe mësimdhënies së motrave Tafaj që prisnin deri pasdite vonë studentët e tyre të piano-fortes. Ishte një lloj jete idilike plot fantazi, por edhe me një “prekje modernizmi”!

Cilat janë traditat më të hershmë të këtij qyteti?

Traditat e këtij qyteti si mikpritja, bujaria, dashuria për punën dhe respekti i ndërsjelltë, janë tipare që Tiranasit i ndajnë me të gjitha trevat e tjera shqipëtare; por karakteristika e tyre më dalluese besoj se është përthithja e atij diversiteti kulturor me të cilin Tirana është rrahur gjatë 200 viteve të fundit.

Çfarë mendoni se është ruajtur ende nga Tirana e vjetër?

Thuajse të vetmit elementë integral të Tiranës së vjetër që ruhen ende sot janë ato që gjenden në rrugën “Murat Toptani” pra rrënojat e kalasë së Tiranës, Sarajet e Toptanëve dhe Ura e “Tabakëve”, që së bashku me kullën e Sahatit dhe Xhaminë e Et’hem Beut përbëjnë kompleksin e bërthamës historike të Qytetit. Pjesa tjetër e ndërtesave të vjetra tiranase janë ngërthyer midis pallateve shumëkatëshe si të ishin relitke të braktisura për të cilat nuk kujdeset askush përveç pronarëve të tyre që shpesh e kanë të vështirë të marrin edhe një leje rikonstruksioni. Sigurisht që për ne dhe prindërit tanë kjo është si “agonia” e atij identiteti urban që përputhej aq mirë me harmoninë dhe tolerancën të cilat kanë karakterizuar gjithnjë tiranasit.

A u dhemb të parëve tuaj ky trasformim? Po ju vetë çfarë ju trishton më shumë ndërsa jetoni në Tiranën moderne?

Ajo që më tepër më shqetëson sesa më trishton në Tiranën moderne është se “modernizimi” i Tiranës prej disa dekadash është bërë sinonim i kaosit dhe amullisë urbane. Kjo nuk është një ndjesi emocionale prej tiranasi të vjetër por një shqetësim real prej qytetari që duhet të prekë çdo banor të Tiranës. Tirana e sotme moderne, ka nivele të frikshme të ndotjes ambientale dhe akustike disa herë më të larta se normat e BE-së ndërkohë që dyzet vjet më parë ajo ishte kryeqyteti më i gjelbër i kontinentit tone. Këto nuk kanë të bëjnë vetëm me identitetin kulturor, por në rradhë të parë me cilësinë e jetës në Tiranë.

Cila është përpjekja juaj për të ruajtur sat ë mundeni prej së kaluarës?

Si kryetar i Shoqatës “Tirana”, të cilën e kryesoj që prej 15 vjetësh, bashkë me disa mijra antarë dhe simpatizantë të kësaj shoqate, kemi ndërmarrë disa lëvizje qytetare në mbrojtje të vlerave të qytetit dhe interesave të qytetarëve.  E tillë ishte edhe lëvizja “Çdo të bëhet me historinë” në mbrojtje të kalasë së Tiranës dhe objekteve historike përreth saj, ku pati pikënisjen edhe shpallja e kësaj zone si “e mbrojtur dhe me vlera të veçanta” si edhe kthimi në pedonale e rrugës “Murat Toptani”, e cila ishte parashikuar si pjesë e “unazës së vogël të Tiranës”. Krahas kësaj Shoqata Tirana ka organizuar qindra aktivitete për ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë kulturore të Trevës sonë siç janë edhe “Sofra Tiranase” apo “Ditët e Trashëgimisë Kulturore”.

Cila mendoni se ka qenë koha më e lavdishme për këtë qytet?

Lavdinë e këtij qyteti, Tiranës, do ta krahasoja me “Lavdinë e Romës”; askush nuk mund të thotë se kush është periudha më e lavdishme e Romës; a është ajo Periudha e Mbretërisë Romane, Periudha e Perandorëve, Periudha e Papatit apo Periudha e shtetit Modern Nacional Italian. Tirana nuk do të krahasohet me Romën për nga përmasat apo rëndësia hisotike, por ajo i ka kaluar të gjitha etapat: atë prehistorike, antike, mesjetare, perandorake, byzantine,  perandorake otomane, moderne nacionale. Treva e Tiranës, që sot quhet “Tirana e Madhe” apo Bashkia e Tiranës, mbart gjurmë dhe relikte të rëndësishme të të gjitha këtyre periudhave, pra një civilizim të vazhdueshëm për të cilin duhet të jemi krenar jo vetëm ne tiranasit autoktonë por të gjithë shqiptarët. Dëshmi e kësaj janë 13 kala të epokave të ndryshme, bazilikat, xhamitë dhe objektet e tjera të kultit me vlera të vëçanta.

Koha e diktaturës çfarë dëmesh mendoni se i ka sjellë Tiranës?

Periudha e diktaturës komuniste solli disa zhvillime negative në ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit urban të qytetit. E kam fjalën këtu për pallatet pesë katshe të së njëjtës prerje dhe arkitekturë që nuk bënin dallim midis Tiranës dhe lokaliteteve industriale të provincës së Përrenjasit, Rubikut, Memaliaj, etj. Pallatet e banimit të të cilave ishin njëlloj si ato që u ndërtuan në Tiranë. Po kështu “rikualifikimi” i sheshit “Skënderbeg” me prishjen e pazarit të vjetër, Bashkisë së Tiranës etj., e cënoi dukshëm fizionominë e qendrës së qytetit, por nga ana tjetër, kjo periudhe e diktaturës, qoftë për shkak të pamundësisë finaciare, qoftë për shkak të centralizimit të administrimit arriti të ruajë më mirë identitetin urban-arkitektonik të Tiranës psh: numri banesave monument kulture ishte më i madh dhe restaurimi përballohej nga shteti.

Po prej ndryshimit të sistemeve çfarë ju dhunua kryeqytetit?

Ndryshimi i sistemit (në fillim të vitit ‘90) duhet të rivendoste bazat e sistemit demokratik liberal pa prekur  shtetin. Mendoj se tek ne, më shumë se në disa vende të tjera lindore ish-komuniste, u ngatërrua pikërisht koncepti i sistemit me atë të shtetit. Ndërkohë që sistemi u transformua shumë ngadalë, shteti pësoi një kolaps të fortë që kulmoi me ngjarjet e vitit 1997. Kësaj goditjeje të shtetit dhe pasojave të saj nuk i shpëtoi as Tirana. Kaosi urban, ndotja ambientale, uzurpimi i pronës dhe konfliktet sociale që prekën veçanërisht Tiranën janë pasojë e kësaj goditjeje.

Ç’mendoni për Tiranën e kioskave e Lanës së zaptuar?

Tranzicioni në vetvete është një lëvizje drejt një objektivi, por për Shqipëri kjo ishte një lëvizje pa një trajektore të qartë. Tranzicioni ynë i ngjan më tepër lëvizjes së fiseve nomade që nuk mund të mbartin veçse çadrat (lëndët) e tyre të cilat gjatë rrugës i ngrejnë në brigjet e lumenjve. Kështu ishte edhe puna e kioskave që u ngritën në brigjet e Lanës: njerëzit nuk kishin as mjete financiare dhe as siguri për investime të qëndrueshme prandaj ju drejtuan “kjoskave” ashtu si Nomadët çadrave.

Po Tirana e ngjyrosur e Ramës ç’shije i një tironsi të vjetër?

Viti 2000 që përkoi me fillimin e “Periudhës Rama” të Tiranës, shënoi fillimin e një epoke të re të zhvillimit: atë të investimeve të mëdha private në ndërtim. Koha e kioskave kishte mbaruar. Filloi betonizimi i qytetit dhe bashkë me të informaliteti dhe amullia urbane. Rama do të duhej të jepte një zgjidhje dhe për këtë duket se iu drejtua prirjeve të tij artistike:  e konceptoi Tiranën si një “tablo” apo “kanavacë” ku kishin hedhur penelat e tyre gjithfarë “piktorësh diletantë”. E vetmja zgjidhje ishte një pikturë abstraksioniste-impresioniste.

Tirana sot, a ju pëlqen?

Tirana e sotme  “post-Rama” po përpiqet t’i rikthehet historisë së zhvillimit aty ku u la 60 vjet më parë, me zgjerimin e bulevardit të parashikuar nga plani Italian i kryeqytetit. A do t’i lagohen pasardhësit e Rames  abstraksionizmit dhe si do t’i kthehen ata klasicizmit që ëndërronin italianët!? Kjo është një enigmë që do ta zgjidhë vetëm koha (nese ka një zgjidhje!!!).

Ju vetë cilën zonë preferoni më shumë? Jetoni në pallatet shumëkatëshe apo në shtëpinë tradicionale?

Gjatë jetës sime, kam patur fatin të jetoj në të gjitha nivelet kryesore të banesave në Tiranë: kam lindur dhe jam rritur në një shtëpi private me oborr, kopësht, lule e pemë; pastaj për shkak të zgjerimit të familjes kam jetuar për disa vite rrjesht në një apartament vetem pak metra larg shtepisë së vjetër, ndërsa sot banoj, bashkë me familjen, vëllain dhe nënën, në një shtëpi të re në periferi të Tiranës, sërisht me kopësht, oborr, lule dhe pemë. Mund ta quaj një rigjetje të identitetit.

A e kanë prishur identitetin e kryeqytetit shembja e shtëpive përdhese e ngritja mbi to e shumëkatësheve?

Më lejoni të saktsoj se identitet arkitektonik i Tiranës së para viteve 1944, nuk përbëhej vetëm nga shtëpitë përdhese të cilat ishin banesat e shtresave më të varfra të popullsisë. Termi shtëpi përdhese ishte një gjetje e propagandës së diktaturës komuniste për kontrastin e saj të preferuar “bardh e Zi”; përndryshe shumica e shtëpive tiranase të viteve 1900, jo vetëm ato të të pasurve por edhe ato të shtresës së mesme, që përbënte shumicën e banorëve të qytetit, ishin vila me plot hapësirë dritë, disa prej të cilave të stilit monumental.

Fatkeqësisht, shumë prej këtyre banorëve pamvarësisht vlerave të tyre estetike, po ua a lenë vendin ndërtesave shumëkatëshe: një nga arsyet është edhe se këto shtëpi të ndërtuara një shekull më parë nuk plotësojnë më nevojat e trashëgimtarëve të tyre për hapsira banimi. Të gjithë do të donim të jetonim në shtëpi të tilla në mes të qytetit ashtu siç bëjnë londinezët por për shqiptarët duket se ky është një luks.

Çfarë mendoni se mund të ruhet ende në këtë kryeqytet?

Tirana ka nevojë për një mendësi të re të drejtimit ku vazhdimësia e traditës dhe zhvillimi urban të shkojnë krahas njëri-tjetrit.

Ju lëvizni me makinë zakonisht, në këmbë apo biçikletë?

A lënë për të dëshiruar rrugët e trotuaret?

Unë i kam kaluar vitet e fëmijërisë dhe rinisë në një kohë kur qytetarët e zakonshëm lëviznin ose në këmbë, ose me biçikleta. Për fat të keq rrugët ku mund të lëvizësh me biçikleta sot janë shumë të pakëta, ndërkohë që duhet 30-40 minuta për të shkuar me makinë, në një vend ku deri dje shkoje për 15 minuta me biçikletë; sidomos në orët e pikut.

Prej 30 vjetësh qyteti i Tiranës është rritur disa herë si në shtrirje ashtu edhe në popullsi, por sistemi rrugor i Tiranës është po ai i 30 viteve më parë dhe ndërhyrjet e bëra në të janë rikualifikuese e jo zhvilluese. Kjo histori vazhdon!!!

Nëse infrastruktura është dhunuar, po nga tradita kulturore, artistike dhe e tryezave, kuzhinës, çfarë kanë ruajtur tiransit?

Trashëgimia artistike është ndoshta një nga pjesët më të konservuara të traditës Tiranase: duket se këtu ka ndikuar edhe fakti që folklori, qoftë ai burimor qoftë ai i përpunuar arrin t’i rezistojë më tepër kohës pasi mbartet në rradhë të parë nga vetë njerëzit. Kështu për shembull kompozitorët popullorë tiranas si Muharrem Gurra, Enver Shëngjergji… apo mjeshtrat e koreografisë si Gëzim Kaceli apo Ramaz Bogdani, që krahas të qenit prej figurave më të njohura të artit shqiptar janë edhe pinjollë të familjeve të vjetra tiranase kanë dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim. Por mbi motivet popullore tiranase kanë krijuar dhe kompozitorë të veprave të mëdha skenike dhe orkestrale si Nikolla Zoraqi, Pëllumb Vorpsi etj. E gjithë kjo krijimtari është konservuar në fonotekën e RTVSH. Përpjekjet tona në kuadër të Shoqatës “Tirana” janë drejtuar kah promovimi i kësaj tradite nëpërmjet spektakleve massive si “Sofra Tiranase”, e cila organizohet nga kjo Shoqatë çdo vit, në Pallatin e Kongreseve me mbi 2000 spektatorë dhe dhjetra mijra të tjerë që e ndjekin atë përmes valëve televizive dhe satelitore.

Ku mblidhen më shpesh tironsit e vjetër?

Eventet masive si “Sofra Tiranase” frekuentohen rregullisht nga të gjithë brezat e qytetarëve, që nga më të moshuarit e deri tek grupet rinore apo edhe fëmijët. Kjo është mrekullia e traditës si hallkë lidhëse midis brezave. Përveç kësaj, Shoqata “Tirana” ka edhe formumin e saj rinor, dhe 30 % e antarëve të forumeve drejtuese të saj janë prej të rinjve. Në vitin 2008, me mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës, ne iniciuam një traditë që u quajt “Ditët e Trashëgimisë Kulturore”. Ky event që u organizua në Petrelë, ishte një festival i tipit “Fair” me shfaqje muzikore, produkte të kulinarisë tradicionale të trashëgimisë etno-kulturore, si edhe të produkteve bujqësore të rrethinave të Tiranës. Uroj që kjo traditë të vazhdojë edhe më tej.

Ju keni qenë e vazhdoni të jenë dhe pjesë aktive e politikës në këtë qytet. Cili ka qenë kontributi juaj për ta ruajtur por dhe për ta zhvilluar këtë qytet, edhe si politikan?

Aktiviteti im politik nuk lidhet vetëm me qytetin e Tiranes. Unë kam mbajtur për disa vjet rrjesht pozicionin e Nënkryetarit të Partisë Republikane dhe më pas atë të Sekretarit për Çështjet Politike të kësaj Partie. Falë këtij angazhimi, njohjet e mia shtrihen në të gjitha trevat shqiptare. Por sigurisht aktivitetin më të dendur e kam pasur në Tiranë ku jam zgjedhur për 3 mandate rrjesht si Kryetar i Njësisë Bashkiake Nr 8 Tiranë si pjesë e koalicioneve të djathta.

Në vitin 2015, u vura në krye të një force politike të sapo krijuar, Lëvizja Demokratike për Vlera Mirëqënie Progres, LDVMP, me mbeshtëtjen e së cilës kandidova për Kryetar Bashkie në Tiranë. Krahas kësaj vendosëm kandidaturat tona për Kryetar Bashkie dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak edhe në Bashkinë e Shkodrës edhe atë të Malësisë së Madhe, ku ia dolëm të përfaqësoheshim me anëtarë të Këshillit Bashkiak. Kjo ishte një përvojë e mirë e garimit në nivel Kombëtar, ku arritëm të sigurojmë dhe mijëra vota.

Së fundmi jeni angazhuar me PPA-në. Cili do të jetë këtë herë misioni juaj, kryesisht për Tiranën?

Disa muaj më parë PAA nisi një proçes Rinovimi. Ky proçes fillon me ndryshimin e kryesisë dhe të strukturave drejtuese ku në krye të partisë u zgjidh Z. Agron Duka, një figurë e njohur e politikës Shqiptare dhe aktualisht Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. PAA tashmë është një Parti parlamentare. Pas kësaj unë pata një ftesë nga Z. Duka për t’ju bashkëngjitur PAA dhe në 2016, në një dalje të përbashkët për median, unë dhe Z. Duka bëmë publike marrëveshjen për shkrirjen e LDVMP me PAA. Aktualisht unë mbaj pozicionin e Nënkryetarit të PAA. Ndërkohë rinovimi i strukturave drejtuese të PAA po pasohet nga rinovimi i Programit dhe objektivat politike të kësaj partie të cilat do të jenë shumë më ambicioze. Aktiviteti im politik fillon në vitet 2000 por para kësaj edhe pse i diplomuar në Ekonomi Financë për shumë vite rrjesht i jam përkushtuar sipërmarrjes kryesisht në industrinë e përpunimit të mishit. Në këtë periudhë kam qenë për disa vjet rrjesht edhe Kryetar i Këshillit Shqiptar të Agrobiznesit (KASH). Kjo ishte një përvojë e vyer sepse më mundësoi të njihem nga afër me problematikat e agrobiznesit e sidomos të industrisë agro-përpunuese.

Pikërisht në këtë periudhë kam patur kontakte të shpeshta edhe me asistencën ndërkombëtare për këtë sektor, në kuadër të së cilës kam zhvilluar disa sesione trajnimi në SHBA dhe në disa vende europiane, kryesisht për menaxhimin e ndërmarrjeve të përpunimit të produkteve bujqësore e blektorale. Përfaqësuesit e kësaj asistence ndërkombëtare ishin të gjithë të një mendimi se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë duhet të fillojë pikërisht nga bujqësia, kjo për dy arsye: e para: kushtet e favorshme gjeoklimaterike; E dyta: investimet në bujqësi rikthehen më shpejt se në çdo sektor tjetër. Fatkeqësisht, këto këshilla të asistencës ndërkombëtare duket se u injoruan për një kohë të gjatë.

Pasoja është që sektori më i rëndësishëm i ekonomisë së vendit të jetë edhe më i prapambeturi dhe me vëllimin më të vogël të investimeve. Aktualisht, Bujqësia dhe Turizmi mbeten të vetmit sektorë me aftësi të mira absorbuese të investimeve. Zhvillimi i këtyre dy sektorëve kërkon politika të mirëmenduara dhe të mirëorientuara agrare e ambientaliste. Në këtë drejtim PAA, e rinovuar, mund të luaj një rol shumë të rëndësishëm për jetën ekonomike e politike të vendit. Sigurisht që Tirana si zona me popullsinë më të madhe dhe me kontributin më të madh në produktin kombëtar, do të ketë një peshë specifike të konsiderueshme edhe në aktivitetin e PAA, ku edhe unë do të jap kontributin tim.

Burimi: Mapo.al

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.