Arben Cela
Arben Cela

Arben Çela ka lindur në Tironë më 16 korrik 1948. Pasi mbaroi shkollën e mesme, në vitin 1970 kreu studimet e larta në ILKF “Vojo Kushi” për mësues të edukimit fizik, profesion të cilin e ushtron edhe sot në shkollën e mesme “Qemal Stafa”, dhe më vonë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, për gjuhën italiane. Me punën e tij serioze dhe plot pasion, me meritë, ai ka fituar respektin e kolegëve dhe të nxënësve.

Karakteristikat e një futbollisti cilësor i shfaqi menjëherë me ekipin e të rinjve të Tironës që drejtohej nga i shquari Xhavit Demneri. Në vitin e tij të parë të aktivizimit, më 1967, shpallet kampion i vendit. Prej atëherë e deri më 1980, ai mbetet pjesëtar aktiv i ekipit të të rriturve “17 Nëntori”.

Në aktivitetet tona kombëtare, “Beni i vogël”, siç e thirrnin dashamirësit e futbollit (për të mos e ngatërruar me Ben Bukovikun) ka zhvilluar qindra ndeshje me këtë skuadër. Në rolin e mesfushorit, ai dallohej për grintën sportive, optimizmin për fitore dhe korrektësinë e lojës. Këto veçori e të tjera si këto e bënin Benin të barabartë me lojtarët “Yje” që luanin në atë kohë në ekipin “17 Nëntori”. Edhe pse ka kaluar mjaft kohë, ai mbetet përherë i dashur dhe i respektuar nga tifozët.

Në karrierën e tij futbollistike e të përherëshme me ekipin e Tironës, ai del me një bilanc mjaft të mirë, është shpallur dy herë kampion, më 1968 dhe 1969-1970; ka fituar dy kupa të Republikës, në vitet 1976 dhe dhe 1977; kupën e Spartakiadës së dytë Kombëtare më 1969 dhe disa kupa si ajo 25 vjetori i Çlirimit”, “Sporti Popullor” etj..

Kontributi sportiv dhe cilësia e lojës së Arbenit spikat edhe në 22 ndeshjet ndërkombëtare që ka zhvilluar me skuadrën e tij për kupat e Ballkanit dhe të Europës. Mes tjerave, ai kujton përballjjet e “17 Nëntorit” të Tironës, brenda dhe jashtë vendit, e sidomos ato me “Standard” të Liezhit, me “Ajaksin” e Amsterdamit etj.

Loja e Arbenit ka qenë efektive dhe e vlerësuar edhe në përbërjen e ekipit kombëtar “Shpresa” në ndeshjet për Kampionatet Ballkanike dhe Europiane. I paharruar mbetet për te goli i shënuar ndaj ekipit polak.

Në vitin 1978 është shpallur ndër “10 Sportistët më të mirë të KS 17 Nëntori” dhe është dekoruar me Medaljen “Naim Frashëri” dhe Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit III.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.