Ali Bakiu
Ali Bakiu

Aliu Bakiu, bir i një familje të herëshme e të njohur të Tironës, e që lindi më 20 tetor 1911, do të trashëgonte vetitë më të mira patriotike të trevës tonë. Pa iu ndarë punës, ai kreu me sukses shkollën teknike dhe gjimnazin e shtetit.

Me të atin dhe vëllanë e tij themeluan firmën “Hasan Baki dhe djemtë”, që trajtonte artikuj të kancelarisë dhe të librarisë. Shumë shpejt, në vitet 30 të shekullit të kaluar, kjo firmë u bë njëra nga sipërmarrjet më serioze dhe më të njohura në kryeqytet. Duke komunikuar edhe në frengjisht e në italisht me partnerë europianë dhe duke mbajtur lidhje me fotografët më të shquar të kohës, falë edhe pasionit për këtë art, Aliu arriti të merrte edhe eksluzivitetin e kompanisë së njohur fotografike ”Agfa”.

Ai kishte njëherësh pasion mjaft të madh edhe për librin, për filatelinë dhe për gjithshka lidhej me historinë e këtij vendi. Megjithëse mjaft i ri, në Vitet ’30 të shekullit të kaluar, atij iu ngarkua detyra e këshilltarit në Dhomën e Tregëtisë, që, me sukses, e mbajti për gjashtë vjet me rradhë.

Pikëpamjet dhe formimin nacionalist, si dhe dhe vendosmërinë e tij kundër nazifashistëve, Aliu i shprehu që prej pushtimit të vendit në prill të vitit 1939 e sidomos në radhët e Frontit nacionalçlirimtar të krijuar në Konferencën e Pezës, ku bënte pjesë edhe ai. Për këto angazhime të tij, Aliu është dekoruar edhe me ”Urdhërin e Flamurit” dhe me “Medaljen e Kujtimit”.

Falë këtyre veçorive dhe figurës së tij morale; në janarin e vitit 1945, atë e emëruan kryetar të Bashkisë së Tironës (apo kryetar të Komitetit Ekzekutiv, siç u quajt ky institucion i pushtetit vendor në kohën e rregjimit komunist), detyrë në të cilën, sidomos për shërimin e plagëve të luftës, ai punoi me mish e me shpirt. Megjithatë, vragë të pashlyeshme la në ndërgjegjen e tij pamundësia për të ndaluar prishjen e Xhamisë së vjetër, e cila ishte pa dyshim ndërtesa më e rëndësishme e qytetit të Tironës, për shkak të veçorisë së saj historike. Ndërkohë, duke shërbyer plot përkushtim dhe duke shfaqur vetitë më të mira të tironasve, ai nuk u mërzit kurrë së dëgjuari bashkëqytetarët e tij.

Për një vit e gjysmë, kohë gjatë së cilës qëndroi në krye të Bashkisë, rrogën ja dhuroi ”Asistençës sociale”, në ndihmë të të varfërve të kryeqytetit, çka është përmendur dhe vlerësuar edhe nga shtypi kohës. Po kështu, ai kishte refuzuar edhe përdorimin e makinës, përveç  rasteve të veçanta, duke patur në vend të saj një biçikletë krejt të zakonëshme, ashtu siç nuk pranoi kurrë të bëhej anëtar i Partisë Komuniste, që më vonë do të quhej Parti e Punës.

Duke mos qenë dakort me drejtimin komunist dhe projugosllav që kishte marrë vendi ynë, ai kishte hyrë faktikisht në konflikt të pashpallur me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës. Megjithate, Aliu ishte shprehur dhe shprehej hapur kundër tatimeve të jashtëzakonshme të luftës, të cilat synonin shpronësimin e tironasve dhe të shqiptarëve në përgjithësi.|

Duke mos pasur asnjë hapësirë dhe mundësi për të kundërshuar apo për të ndaluar shitjen e interesave të vendit te jugosllavët dhe vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri; në qershorin e vitit 1946, ai dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tironës; çka pa dyshim përbënte një akt të lartë moral në përputhje me integritetin e tij si person i pakompromentuar. Dorëheqja nuk u përmend fare, por me shpejtësi u krye ”shkarkimi” i tij, çka bëri bujë në Tironën e asaj kohe.

Do të kalonte më pak se një vit dhe më 16 maj të vitit 1947, atë e arrestojnë së bashku me 200 intelektualë e patriotë të tjerë kryeqytetas. Arrestimi i tyre bëhej në kuadrin e zhdukjes së elitës dhe të vendosjes së diktaturës. Për Aliun ky akt ishte një dramë brenda dramës, sepse ndodhte vetëm dy muaj pas martesës së tij me Hyrie Tominin, që kishte mbaruar Institutin ”Nëna Mbretëreshë”, vajzën e farmacistit të njohur Faik Tomini.

Ali Bakiu
Ali Bakiu

Megjithatë, ai nuk pranoi asnjë nga akuzat e hetuesisë dhe të gjyqit farsë të zhvilluar një vit më vonë, më 1948. Më 30 mars 1948, pa asnjë fakt, Gjykata ushtarake e dënoi atë me vdekje, si “armik i popullit” dhe që kishte dashur të përmbyste pushtetin e ashtuquajtur popullor. Gjykata e lartë, atë vendim e ktheu në 20 vjet burg, megjithate, “i dënuari pa faj” u privua nga liria për plot 12 vjet. Ishin vite të rënda, të cilat ai i përballoi me kurajë, për të pritur rikthimin pranë familjes, gjëja më e shtrenjtë për të.

Ali Bakiu doli nga burgu më 25 qershor 1959, dhe më tutje u angazhua vetëm në punë të vështira; gjithmonë i survejuar dhe i spiunuar në çdo lëvizje që bënte. Ndërkohë, preokupimi i tij i vetëm ishin familja dhe librat që nuk i lëshonte kurrë nga dora.

Pas daljes në pension, ai ndërroi jetë më 10 maj të vitit 1981, në moshën 70-vjeçare.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.