Ali Xhixha
Ali Xhixha

Nuk kisha dëgjuar dhe nuk kam patur asnjë informacion rreth figurës të një artisti të madh, ekuilibristit  me famë për kohën kur punoi e jetoi, Ali Xhixhës. Të parën herë që u përballa me Ali Xhixhën ishte Cirku i Tiranës, emrin e të cilit ai mban qysh nga viti 1976, mbi bazën e vendimit të Këshillit Bashkiak të Kryeqytetit. Për të hedhur pak dritë rreth figurës të këtij “magjistari” të çuditshëm, e që për veprimet e tij si pehlivan kish mahnitur të madh e të vogël, të gjithë ata që kishin patur mundësinë të shikonin me sy të jashtëzakonshmin e cirkut shëtitës, mu desh të kthehem në vite. Mu desh t’i  përgjigjesha  sadopak pyetjes që i bëra vetes: more, cili qenka ky Ali Xhixha?

Ai paskësh qenë tiranas. Me rrënjë. Lindi në vitin 1918, atëhere kur Tirana nuk ishte bërë ende Kryeqytet, por që, mesa duket, do të ishte ndër të parët që do ta bënte me emër, emrin e saj. “Unë nuk kam ndryshuar asgjë, stili im i lojës është ende ai i një fëmije”, mbaj mend të ketë thënë futbollisti i famshëm Leonel  Messi, i cili shkëlqeu në kampionatin më të fundit botëror. Edhe Ali Xhixha gjatë gjithë jetë së tij si artist-akrobat e ekuilibrist mbajti dhe luajti me pasionin që e bartte që kur ishte fëmijë. Rrezikun e “kërcimit” përmbi tel e mori që kur ishte vetëm 10 vjeç, e që do të “lozte” me të plot 46 vjet të tjerë, deri në moshën kur vullneti i lodhur i thoshte “Kurrë më” e ndërsa zemra, duke rënkuar, i belbëzonte “Provoje edhe një herë!”.

Për ç’profesion bën fjalë talenti i Ali Xhixhës? Ali Xhixha luante me jetën, duke “lozur” përmbi tel. Profesion cirku. Por që të tregohet, për ta bërë diçka të prekshme “çmendurinë” e tij, na duhet të  sjellim shembuj nga shfaqjet që ai jepte përpara publikut. Unë kam parë disa fotografi dhe kam lexuar kronikat që jepnin gazetat e kohës për të. Janë mahnitëse, vërtet të pabesueshme. Fjala vjen, në një rast pehlivani Ali Xhixha ka “lidhur” me një fije teli dy nga godinat, ku sot ndodhen ministria e Bujqësisë dhe ajo e Ndërtimit. Distancën prej 13 metra ai e ka përshkuar më këmbë, duke ecur, duke “shëtitur” përmbi tel.

Jemi në vitet ’35-45 të shekullit të kaluar kur nuk kishte as salla teatri, e as një mjedis tjetër ku të mund të jepej shfaqja. Ato realizoheshin tërësisht në sheshe të improvizuar, aty ku mund të mblidheshin më shumë shikues. Gjithçka formatohej e ngjizej me mjete rrethanore. Në ato mjedise krejt në natyrë të hapur, populli shikonte, argëtohej e gëzonte, duke mbetur me sy hapur nga “magjitë” e këtij artisti të madh. Në çdo qytet ku shkonte trupa e udhëhequr nga Ali Xhixha, lajmi përhapej si rrufe: “Ka ardhur pehlivani Ali Xhixha!”.  Atë ditë që jepej shfaqja nuk vinin vetëm qytetarë, por edhe nga fshatrat  e zona përreth, duke ecur me orë të tëra për të parë “magjistarin” e ardhur nga Tirana. Në qytetin e Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Vlorës, Lushnjes, Durrësit, Peshkopisë  etj. Ali Xhixha pritej si hero, si njeriu që kishte aftësinë të “zbriste zotin në tokë”. Në ato vite nuk kishte mundësi që aktiviteti të mund të filmohej. Të vetmet dokumente janë disa fotografi, të cilat, edhe ashtu si janë fiksuar, e sjellin si të pabesueshme, si një sajesë, lojrat mbi tel të djalit tiranas. Kur ishte vetëm 17 vjeç, në një spektakël që u dha përpara Prefektit të Tiranë,  Rexhep Jallës, njeriut që ishte arsimuar e diplomuar në Kembrixh, në Londër, i erdhi, si i thonë fjalës, zogu në dorë. Prefekti mbeti me gojë hapur, i mahnitur,  për lojën  që të kërkonte jetën. Nga kënaqësia që përjetoni ai e shpërbleu akrobatin e vogël me një napolon flori. Aili Xhixha nuk iu gëzua më shumë napolonit-flori sesa iu hap rruga për të marrë firmën e Prefektit që nga ajo ditë e më pas të merrte liçencën për të punuar si privat.

Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë. Artisti, për të cilin flasim, ishte një i lillë. Ai, gjatë gjithë jetës, mbeti pasionant për të sjellë tek ky profesion me rreziqe të mëdha numra që pasqyronin majat e letërsisë e artit Botror, të papërsëritshëm për mesazhet që përcillnin tek shikuesit e thjeshtë. Ali Xhixha arriti të luante ne tel “Romeon dher Zhuljetën”, tragjedinë e famshme të Shekspirit. Dikur ai përgatiti shfaqen “Ali Xhixha dhe 7 xhuxhat”, numër që la mbresa të pashlyeshme tek artdashësit e shumë qyteteve të vendit. Vetëm nga kaq fakte merret vesh sesa me kulturë, sesa me intelekt e i lexuar ka qenë ky ekzekutues i ushtrimeve të numrave më me rrezik të cirkut.

Të gjesh lojtarë të mirë është e lehtë. T’i bësh ata të luajnë së bashku, është pjesa më e vështirë. Trupa e cirkut të drejtuar nga Ali Xhixha përbëhej nga një ekip prej 5 vetash. Vetëm kaq. Dhe ata ishin në gjendje të grumbullonin e mrekullonin me mijra shikues, me mijra fansa. Sigurisht, aktorët nuk ishin dogmatikë. Nuk ishin as lojtarë që shpalosnin numra të mërzitshëm, si një herë e një here, të njëjtat gjëra. Vërtet Aliu “kërcente” mbi tel, por në një numër ai shfaqej vetëm me shkopin e ekuilibrit, herën tjetër ecte mbi tel me biçikletë dhe një herë “shëtiste”, po në tel, i futur këmbë e kokë në një thes të mbyllur. Mos u çuditni! Ali Xhixha ka arritur të therë dashin  përmbi tel. Ia kishin sjellë për kurban, si njeri i shenjtë, si njeri me aftësi të falura nga zoti. Dhe ai, në  respekt e dashuri për fansat e tij që i kishin taksur  kurban, bëri atë që njerëzit nuk e prisnin, ta therte dashin-kurban mbi tel, 12 metra mbi sipërfaqen e tokës. Bashkëpunëtorja e tij, akrobatja po me kaq famë, Vitore Sollaku, tregon: I kam akoma në kujtesën time duartrokitjet e spektatorit, shikimin dhe dëshirën për të na takuar, biseduar e prekur, e pastaj për t’u treguar se ishin njerëz si ata.

Trimi i mirë me shokë shumë, thotë populli. Akrobati me famë, për vet specifikat e profesionit, kishte shumë pak. Vetëm pesë. Sigurisht, shokë pune, profesionistë që mbanin të gjallë cirkun. Po të shikosh ecurinë dhe sa e si Ali Xhixha kapi majat e mundshme të kohës në cirk, dalin edhe bashkëpunëtorët e tij, artistë po kaq virtuozë e magjikë. I kish përzgjedhur e përgatitur me dorën e tij, me mendjen dhe mençurinë e tij.  Të pazëvendësueshmit e cirkut të Tiranës  Bajram Kurti, Vitore Sollaku, Kosta Papanikolla, Dylbere Kadria, Sakine Petrela, Liri Jonozi,  Arjan e Xhuljeta Miluka, ishin dhe mbetën produkt të të famëshmit Ali Xhixha.

“Jeta ka kuptim dhe bukuri vetëm kur lufon për të me dhimbje, me vuajtje…”. Ky shënim është nxjerrë nga Ditari i mbajtur prej tij, ditën kur shfaqja jepej në qytetin e Shkodrës e teli ku ai aktronte u këput në 15 metra lartësi. Kjo lë të kuptosh se Ali Xhixha  ishte i vetëdijshëm për profesionin  që kish zgjedhur, për rreziqet që e shoqëronin nga çasti në çast, në çdo moment kur lunate në lartësi nga ku shikoje vdekjen me sy. Ai e pat provuar jo një herë të gjendej shumë pranë vdekjes, por asnjëherë, kurrë nuk u tërhoq të bënte frikacakun.

Menjëherë pas çlirimit ai u inkuadrua me trupën e cirkut të Kryeqytetit. Edhe aty punoi shumë, jashtëzakonisht shumë, me atë forcë e talent që e kish nisur në moshën kur ishte fëmijë. Deri në vitin 1953, kur mosha e detyroi “të zbriste nga teli”.

Por për nga fama e emri që kish lënë, Ali Xhixha  mbeti “hipur mbi kalë”.  Mbeti njeri me vlera të larta qytetare e intelektuale, mbeti si themeluesi i Cirkut Shqiptar. Ai mban titullin “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, dhënë nga Këshilli Bashkiak i Kryeqytetit, me vendimin Nr. 59, datë 21.04. 2000. Vite më pas, ky talent me vlera të jashtëzakonshme, iu akordua një titull tjetër, ai i “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës me Dekretin Nr. 6398, datë 15 shkurt të vitit 2010.

Artistët me emër nuk lindin, ata bëhen. Ata bëhen ashtu si gjithçka tjetër, me punë, përmes dashurisë për profesionin, përmes ambicies për të realizuar më të mirën. Këtë rrugëkalim e rrugëtim kreu edhe ekuilibristi me famë,  i madhi Ali Xhixha.

Burimi: Gazetadita.al