Ali Mema
Ali Mema

Ali Mema lindi më 1-2-1943 në Tiranë. Thuajse të gjithë meshkujt e familjes së tij janë të lidhur veçanërisht me futbollin. Mbaroi arsimin e lartë në ILKF Vojo Kushi”, me diplomën “mësues i edukimit fizik”. Këtë profesion, gjatë periudhës 1968-1991, e ka ushtruar pandërprerë në shkollën e mesme industriale “7 Nëntori” (sot “Harry Fulltz). Duke patur vlerësimin e nxënësve dhe të kolegëve, bëri një emër të dytë, pas atij të futbollistit. Për punë të mirë është nderuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit II dhe të klasit I.

I pasionuar pas sportit të bukur të futbollit, Aliu është njëri prej pesë Memave të dalë nga një familje mjaft e njohur tiranase. I treti futbollist i ardhur prej saj, pas Haxhiut dhe Osmanit, ai arriti nivelin më të lartë edhe pse pas tij militoi brezi tjetër, i përfaqësuar nga nipi, Sulejmani, i të njëjtës natyrë loje, dhe i biri, Ardiani.

Pasi u aktivizua që fëmijë me ekipet e moshave, shumë shpejt, kaloi me ekipin e të rinjve të klubit, me emrin e atëhershëm ”17 Nëntori”. U shqua veçanërisht në të rriturit e klubit. Debutimi i tij, në vitin 1960 dhe në moshë fare të re, vetëm 17 vjeç, shënon dhjetë minutat e fundit të një ndeshje kundër “Partizanit”, që siç tregon ai vetë ju dukën sa për katër orë. Prej atëherë, Aliu nuk u shkëput më nga formacioni dhe madje deri në fund të karrierës së tij. Skuadra e futbollit e KS “17 Nëntori” të Tiranës, e shquar për të gjithë treguesit tekniko-taktikë e fizikë të futbollit, me të drejtë, mund të konsiderohet si më e madhja në historinë e futbollit tonë. Në te, Aliu kreu një nga detyrat më të rëndësishme, për çka kujtohet edhe sot. Ai ishte i shkëlqyer për organizimin e lojës, për teknikën e tij të lartë, goditjet e sakta dhe të fuqishme me të dy këmbët dhe me kokë, për kërcyeshmërinë dhe për shpirtin e garës si rrallëkush, por edhe për moralin e tij. Për Aliun, të gjitha ndeshjet ishin njëlloj, dhe këtë mentalitet vazhdon t’a ketë edhe për ekipet e tanishme. Me të gjithë këto parametra, ai la gjurmë në historinë e ekipit, për çka mbahet mend edhe sot.

Ky mesfushor kolos, ishte mjaft rezultativ në mbrojtje e në sulm dhe njihet si golshënues i dalluar (12 në kampionatin e vitit 1968). Sa për statistikë, goli i fitores në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër KS Flamurtari”, që skuadrës së tij, “17 Nëntori”, i dha titullin e parë kampion të pasçlirimit, ishte i tij. Një ndeshje më parë në Korçë, dhe njëkohësisht mjaft delikate për fatin e titullit të pritshëm, ku ishte arritur vetëm një barazim 3-3, njëri nga golat ishte përsëri i Aliut. Mund të përmendet edhe një rast tjetër, në një ndeshje të kampionatit kombëtar, të I përfunduar 5-0, megjithëse mesfushor, të pesë golat u shënuan prej tij. Por, ai mbetet edhe si lojtari shqiptar ndoshta më shumëplanësh. Ishte i shkëlqyer kur i dha kupën e Republikës skuadrës së tij. Në ndeshjen finale në Kavajë (1963), kundër skuadrës vendase, në garën e 11-metërshave, pasi ishin dëmtuar dy portierët e lojës, priti tre të tillë. Me KS “17 Nëntori”, ka fituar katër tituj kampion (1965, 1966, 1958 e 1970), një kupë të Republikës (1963), si dhe disa kupa të ndryshme.

Duke kontribuar dukshëm në thyerjen e mitit të skuadrave të favorizuara ushtarake, ai u “dënua” që stërvitjen passtudentore t’a kryejë jashtë Tiranës, madje tej afateve ligjore. Si njeri i ndershëm dhe i dashuruar me futbollin, luajti po me aq dinjitet, edhe me ekipin “Vllaznia”, ku qëndroi gati një vit, për të plotësuar atë detyrim. Shkodra sportive e nderon edhe sot Aliun për kontributin dhe karakterin e pastër. U largua prej futbollit në mbarim të sezonit 1971-1972, pasi ishte rikthyer më parë në klubin e tij.

Veçoritë kualitative në futboll, i ruajti edhe në aktivitetet ndërkombëtare. Ndeshja e parë e këtij niveli ka qenë një miqësore në vitin 1960, atëherë kur ishte 17 vjeç. Ai luajti shumë mirë kundër skuadrës “Admiraltejec”, ashtu siç ka zhvilluar me sukses të gjitha ndeshjet për kupat ballkanike, si ato kundër “Minjor” e “Çernomorec” të Bullgarisë; “Beshiktash” të
Turqisë; “Rapid” të Rumanisë etj.. Po kaq mirë luajti edhe për kupat europiane kundër “Kilmarnok” të Skocisë, “Standard” të Belgjikës, “Ajaks” të Amsterdamit, e pikërisht në atë vit kur kjo skuadër do të fitonte kupën e Europës, etj.. Aliu kujton me dhimbje moszhvillimin e ndeshjes me norvegjezët, në vitin 1966, për shkak të tërheqjes së ekipit, gjithnjë për shkaqe politike. Kjo ndodhi n’atë kohë kur skuadra kishte ndoshta gjendjen më të mirë. Mjaft herë, Aliu ishte përforcues në ekipet e “Dinamos”, të Partizanit” dhe të “Vllaznisë”. Tiparet pozitive e kanë shoqëruar atë edhe si lojtar aktiv, gjatë viteve 1963-1970, në 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Shqipërisë dhe tre të tjera me ekipin olimpik. Ndër to, ai dallon veçanërisht takimin e 16 dhjetorit 1969, kundër RF Gjermane.

Ka edhe diçka të veçantë për Aliun, bashkë me të birin e tij, Ardianin, ata përbëjnë një nga dy çiftet shqiptare të këtij lloji që kanë luajtur në ekipin përfaqësues. Tjetri është P. Pano me djalin e tij, Ledion. Në arkivin e Aliut ka gjithsej mbi 80 takime ndërkombëtare të të gjitha llojeve. Në sezonin 1975-1976 kaloi si ndihmës trajner, ku duke punuar me
mjaft përkushtim ishte pjesë e atij kontributi që përgatiti gjeneratën e dytë të shkëlqyer të futbollit, atë të Baçit, Hodjes, Kolës, nipit të tij Sulës, Mingës, Muçës e të tjerëve. Këtë detyrë e ka përsëritur edhe në periudha të tjera kohore.

Për merita të veçanta sportive ka titujt “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”. “Libri i Artë” e përfshin Ali Memën në 15 futbollistët më të mirë të KS “17 Nëntori”.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.