Ali Mata
Ali Mata

Ali Mata i shpallur: Mjeshtër i merituar sporti, Nder i sportit shqiptar, trajner kombëtar, Mbajtës i urdhrit të mjeshtrit olimpik, Mbajtës i dekoratës nga Kuvendi popullor, Mbajtës i titullit të nderit si qytetar; ka lindur në Mat në vitin 1930dhe për 42 vjet rresht (1950-1992)qëndroi në krye të klubit”17 nëntori”, sot: ”Sport- klub Tirana”.

Në fillim si kujdestar dhe si trajner, ndërsa më vonë ngriti dhe mbajti klubin dhe sportin shqiptar të qitjes me pistoletë dhe pushkë në nivelin më të lartë kombëtar duke e çuar në nivele më të larta ballkanike, europiane dhe botërore.

Në garat e përvitshme kombëtare midis 10, 15 ekipeve nga Shqipëria, ku Tirana kishte 4 ekipe ekipi i “17 nëntorit“ fitoi 36 kampionate kombëtare, 35 kupa të Republikës dhe 6 spartakiada kombëtare i ka fituar të gjitha. Numëron gjithashtu disa kampione ballkanike, dy kampione të Europës, një nënkampion të Europës, dhe pesë vende të treta në kampionatet botërore.

Ekipi i tij rritej vit pas viti me anëtarë të rinj, duke kapur shifrën 120, 60 meshkuj të ndarë në dy grupe, po kështu të ndarë në dy grupe edhe 60 femra. Në këtë ekip numërohen 5 mjeshtra të merituar sporti, 38 mjeshtra sporti, një mjeshtre botërore e qitjes dhe një mjeshtër olimpik. Fëmijët e Aliut trajnoheshin në qitje, ku Diana, e bija, mjeshtre botërore e qitje dhe i biri Skënderi(1956-1998) treguan klas në nivele ndërkombëtare. Njohja me Aliun ishte e këndshme.

Një herë ai më tregoi sesi mbante në një kuti dekoratat prej ari, argjendi, bronzi, stema dedikuese me fjongo shumëngjyrëshe të fituara në veprimtari ndërkombëtare nga anëtarët e familjes së tij, peshonin 5 kg. Aliu tha se medaljet s’ishin gjë para nderimit që i ishte bërë himnit dhe flamurit kombëtar. Janë pikërisht ato dy raste të rralla ku u fituan dy vendet e para në Europë. Qitëset Ermira Dingu dhe Emanuela Kola, kampione Europe, me vite u trajnuan nga Aliu dhe gjithë këtë punë ato e shpërblyen me Medaljen e Artë.

Shokët e Aliut, por edhe ai vetë më kërkuan që shkrimet në gazeta mund të sistemoheshin si botim a libër më vete dhe unë kisha thënë se kjo qe e mundur. Me kalimin e muajve gjeta material, foto, mora intervista, po kur më pyetën, thashë se kisha mbetur në vend, më dilte se 95% e lëndës ishte për të tjerët, për ekipin e qitësave, tjetrën, punën, sakrificat e tyre, sukseset.

Megjithëse studiova diçka, nuk arrita ta njihja qitjen, dikur në stërvitje ushtarake vetëm njëherë kam arritur të kap tabelën. Sport i qitjes me pushkë e pistoletë më dukej sport i kotë, pa sportdashës a spektatorë dhe u thashë se këtë punë duhet ta bëjë dikush tjetër. Aliu u mërzit po insistimi ishte i madh. Ai më shpjegonte veçoritë e armëve për qitje sportive, preçizionin e tyre, jo çdo shtet mund t’i prodhonte si duhet, vetëm dy vende në Europë kishin standarde të larta, ato kushtonin shumë dhe vendi ynë nuk mund t`i blinte armët më të mira, qitjet për provë i kishim të rezervuara.

Mbas një specializimi në Kinë, Aliu më shpjegonte me pasion sekretet e qitjes duke më thënë se qitësi i mirë nuk është i lindur, ai mund të zgjidhet që fëmijë apo adoleshent, ku pasioni psikika personale dhe saktësia e shikimit dallohet në masën 10-20%;pjesa tjetër mbetet stërvitje e gjithanshme dhe e vazhdueshme. Formimi i grupeve me djem e vajza nga shkollat, ka qenë fidanishtja e qitësve të mirë sportivë.

Shpjegonte sesi qitësi dhe pozicioni i tij duhet të bëhet një, të mos ndjejë kontaktin fizik me të, armën duhet ta mbajë fort, të bëhet pjesë e trupit dhe të mos ndjejë shtrëngesë. Qitësi duhet të ndjejë pulsin e tij, ta komandojë në maksimum deri kur rrahja e zemrës për 3-4sekonda pa frymëmarrje, gati të mos ndjehet që syri të fitojë qetësinë maksimale. Muajt kalonin, shkrimi nuk po ecte, pyetjeve të tij u përgjigjesha me justifikime.

A e di, Ali se këto episode janë të lidhura me emra që nga kryeministri, anëtarë të byrosë politike, emra gjeneralësh dhe oficerësh madhorë, funksionarë të lartë të drejtimit të sportit shqiptar, atje ku shkoje për sigurimin e armatimit?Po kështu gjithë këto poligonë qitjeje të ndërtuara në qytetet e vendit, gjithë këto ekipe që stërviteshin , më del se vendi ynë është një poligon qitjeje sa sportive aq ushtarake. Kur lexoj lëndën ajo nuk më pëlqen, më duket sikur po i bëj analizë politike mbrojtjes së vendit, analizë që nuk di ta bëj apo koha ende s’i ka ardhë.

Pastaj jetoj me muaj jashtë vendit dhe kjo më ka penguar. Aliu thoshte se kohën nuk e kthen dot mbrapsht. Dihet se e sotmja e qesh të djeshmen, por ne jetojmë e ndryshojmë përditë, ashtu si edhe qeveritë dhe kur djersa shkon në të mirë të familjes dhe vendit, nuk ka gjë që na turpëron, dekoratat janë aty.

Koha kalonte. Sa herë që më takonte më merrte në qafë e më sillej gjithë mirësi. Ai e sillte këtë mirësi në trajtën e urtë dhe të dhembshur të një babaxhani dhe njeriu të mirë. Tregonte mbi stërvitjen në qitje, përgatitjen fizike të plotë veç për femra e meshkuj, përgatitjen teknike e cilësisë më të lartë. Zemra e mendja e trajnerit duhej të bëhej një me të qitësit, sepse trajneri duhet të kuptoje kur qitësi nuk ka zënë vend mirë në pozicion, ka ndonjë hall apo shqetësim, ai duhet ta njohë tipin e secilit, të futet në psikologjinë e tij, andaj duhet të ketë kujdes që edhe orientimet t`i japë me takt e në kohën e duhur.

Përpjekjet duhet të sillen në një etikë të ngrohtë të fjalës dhe mirëkuptimit, duke pasë në themel jo vetëm zotësinë po edhe dashurinë për njeriun. Një rast i thashë se kjo nuk është vetëm meritë e jotja, jo, vetëm ti nuk ke sakrifikuar në netët dhe ditët e gjata nëpër poligone stërvitore, për një njeri është fat edhe gruaja e tij. Ti, i thashë, ke gruan tiranase, ku edukata e femrave, besnikëria dhe sakrifica në familje dhe kujdesi ndaj burrave dhe fëmijëve është detyrë hyjnore, pikërisht ajo zonjë e madhe Myzejeni, e di vetë se ç`ka hequr në orët e mungesës tënde, kur ti me familjen e dytë, ekipin e qitësve ishe i detyruar tu nënshtroheshe stërvitjeve dhe trajnimeve me orë të gjata, dhe ajo, me mendje e zemër tek ti, bëhej pjesë e shqetësimeve të tua dhe ishte njëherit e detyruar tu bënte ballë edhe detyrave në mbajtjen e shtëpisë.

Sigurisht, më thoshte Aliu, prandaj të dua edhe më fort, sepse ti i kupton mirë privacionet dhe sakrificat e një sportisti që duhet të arrijë gjithçka me punë të palodhur. Ngjarjet e vitit 1997 ishin fatzeza, të kobshme. Qitësi i talentuar , krenaria e klubit “17 nëntori”, Gëzim Alimehmeti pësoi në mes të Tiranës një aksident automobilistik duke humbur jetën, makina ishte ushtarake. Shoferi nuk dinte të ecte rrugëve, pastaj gjyqi e më pas autori i vrasjes filloi të ecte lirisht. Pak muaj më vonë viktima tjetër ishte Skënder Mata. Ekipi humbi dy qitësat më të mirë, sportistë të talentuar, snajperistë të zotë. Ali Mata, djalin e vet të dashur.

Pas vitit 1992 Aliu doli në pension. Sporti i qitjes nuk ishte më ai i dikurshmi. Kushte të tjera, rrethana të tjera. Brenga e djalit e mundonte ndaj do ta shihje çdo të diel të shkonte tek varrezat dhe të pastronte varrin e të birit e të hidhte aty lule. Në raste të tilla gjithnjë shokët e vërtetë gjenden pranë, me fjalët e kuptueshme që japin forcë morale e shpirtërore dhe ai përsëriste:jetoj për familjen, shokët dhe kujtimin e tim biri…

Ky është Ali Mata, një nga figurat emblematike të sportit shqiptar të qitjes. Ishte ai 14 mars i vitit 2014 kur ai nuk priti dhe iku në përjetësi, ashtu thjesht e pa bujë siç ikën çdo njeri, por duke lënë pas një emër të madh në sportin shqiptar, emrin e një njeriu që ngriti lart vlera të qenësishme dhe bukura, me një numër të madh vlerësimesh kombëtare e ndërkombëtare, çka na bën që të përulemi me respekt dhe sa herë që vijnë përvjetorë apo data të tilla të hedhim sytë aty ku bëjnë hije të rëndësishme burra të tillë që duke ngritur veten ngritën edhe nderin e kombit në botë.

E kishim lënë që në 85 vjetorin e tij të mbaronim librin, ai do ta mbështeste, por kjo nuk ndodhi…Tani, ky libër pret të mbarojë dhe botohet…Jeta e tij mbetet një libër më vete, ku ke çfarë të shfletosh e të flasësh. Është krenaria e njeriut të talentuar të sportit që talentin e vet e vuri në shërbim të gjeneratave të reja duke krijuar një traditë të shkëlqyer në sportin e bukur të qitjes. Nderim për të…

Burimi: http://www.tiranaobserver.al/

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.