Ali Bakiu
Ali Bakiu

Kryetari i Bashkisë së Tironës Ali Bakiu, i pari mbas luftës dytë botërore, shkonte në punë me biçikletë dhe rrefuzonte rrogën për t’i ardhur në ndihmë shtetit.

Ali Bakiu, bir i një familje të herëshme e të njohur të Tironës, e që lindi më 20 tetor 1911, do të trashëgonte vetitë më të mira patriotike të trevës tonë. Pa iu ndarë punës, ai kreu me sukses shkollën teknike dhe gjimnazin e shtetit. Me të atin dhe vëllanë e tij themeluan firmën “Hasan Baki dhe djemtë”, që trajtonte artikuj të kancelarisë dhe të librarisë. Shumë shpejt, në vitet 30 të shekullit të kaluar, kjo firmë u bë njëra nga sipërmarrjet më serioze dhe më të njohura në kryeqytet.

Duke komunikuar edhe në frengjisht e në italisht me partnerë europianë dhe duke mbajtur lidhje me fotografët më të shquar të kohës, falë edhe pasionit për këtë art, Aliu arriti të merrte edhe eksluzivitetin e kompanisë së njohur fotografike ”Agfa”. Ai kishte njëherësh pasion mjaft të madh edhe për librin, për filatelinë dhe për gjithshka lidhej me historinë e këtij vendi. Megjithëse mjaft i ri, në Vitet ’30 të shekullit të kaluar, atij iu ngarkua detyra e këshilltarit në Dhomën e Tregëtisë, që, me sukses, e mbajti për gjashtë vjet me rradhë.

Pikëpamjet dhe formimin nacionalist, si dhe dhe vendosmërinë e tij kundër nazifashistëve, Aliu i shprehu që prej pushtimit të vendit në prill të vitit 1939 e sidomos në radhët e Frontit nacionalçlirimtar të krijuar në Konferencën e Pezës, ku bënte pjesë edhe ai. Për këto angazhime të tij, Aliu është dekoruar edhe me ”Urdhërin e Flamurit” dhe me “Medaljen e Kujtimit”.

Falë këtyre veçorive dhe figurës së tij morale; në janarin e vitit 1945, atë e emëruan kryetar të Bashkisë së Tironës (apo kryetar të Komitetit Ekzekutiv, siç u quajt ky institucion i pushtetit vendor në kohën e rregjimit komunist), detyrë në të cilën, sidomos për shërimin e plagëve të luftës, ai punoi me mish e me shpirt.

Megjithatë, vragë të pashlyeshme la në ndërgjegjen e tij pamundësia për të ndaluar prishjen e Xhamisë së vjetër, e cila ishte pa dyshim ndërtesa më e rëndësishme e qytetit të Tironës, për shkak të veçorisë së saj historike. Ndërkohë, duke shërbyer plot përkushtim dhe duke shfaqur vetitë më të mira të tironasve, ai nuk u mërzit kurrë së dëgjuari bashkëqytetarët e tij.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.