Adem Rada
Adem Rada

Adem RADA ka lindur në një familje vendase qytetare tironase, më 16 qershor të vitit 1918. I ati i tij, i arsimuar në Stamboll, që duke qenë tregtar bënte edhe detyra të përkthyesit, vdiq shpejt e atëherë kur Ademi ishte nëntë vjeç.

E ëma, Havaja, një grua shtëpiake e mjaft energjike, si dhe i vëllai i tij më i madh, Isufi, morën përsipër shkollimin e tij. Me rezultate të shkëlqyera, ai kreu arsimin e mesëm në vitin 1937 në Gjimnazin e qytetit të lindjes. Më tutje, gjysma e bursës, e akorduar nga qeveria për studimet e larta, u plotësua me kontributet financiare të familjes dhe të miqve të tij. Po me rezultate mjaft të mira, ai përfundoi edhe dy vjetët e parë të fakultetit të mjekësisë në Universitetin e Torinos.

Në verën e vitit 1941, kur lufta e dytë botërore kishte filluar, ky i ri, i bindur për pikëpamjet dhe idealet e tij revolucionare e komuniste si dhe me dashurinë për Atdheun, kthehet në Tironë. Me shokë të tij të shkollës, por edhe me të tjerë, ai është pjesë e Grupit të të rinjve në aktivitetet e tyre antifashiste dhe në prag të krijimit të Partisë Komuniste ngarkohet me detyra të rëndësishme organizative. Në fund të po këtij viti dhe tamam në atë kohë kur vëllanë e tij e kishin dënuar me vdekje, ai dhe të tjerë arrestohen dhe dërgohen në burgun famëkeq të Barit në Itali.

Ata lirohen prej andej vetëm pas protestave të popullit të Tironës. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ishte shumë aktiv edhe në veprimtaritë ilegale në Tironë, duke qenë komandant i njësiteve guerile të qytetit deri në kapitullimin e Italisë. Më tutje, Ademi u angazhua në organizimin dhe formimin e batalionit “Dajti”. Në përbërje të. Brigadës së 23-të sulmuese, ai mbeti përfundimisht deri në mbarim të luftës. Me këto arritje, ai kishte realizuar vetëm njërën nga ëndrrat e tij.

Pas çlirimit të vendit, me detyra të ndryshme drejtuese dhe gjithnjë me profesionalizëm e qytetari, Ademi punoi në Sekretariatin e Bashkimit të Rinisë, në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Për shumë vjet ishte sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Tironës (Bashkisë së sotme). Ndërkohë, ai kishte realizuar edhe ëndrrën e dytë, arsimimin e lartë të tij. Edhe pse i martuar dhe me dy fëmijë, mbaroi fakultetin e historisë e të filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tironës. Kur doli në pension në vitin 1982, ishte drejtor i Pallatit të Kulturës në Tironë.

U nda nga jeta më 18 nëntor të vitit 1985. Për kontributet e tij në luftë dhe në punë, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, është dekoruar me shumë Medalje dhe Urdhëra.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.