Qysh atëherë kanë kaluar mjaft kohë. Saktësisht, gati 41 vjet. E megjithatë, përherë një ngjarje e tillë më ka grishur për ta cekur dhe hapur këtë “Dosje”, e cila krejt natyrshëm është e mbuluar nga pluhuri i kohës dhe i harresës.

Dhe nuk jam i vetmi, i përfshirë në këtë “lëvizje”. Shoqata e tifozëve “Tirana Fanatics”, në adresën e saj elektronike, merret shumë me të dhe kampionatin e sezonit 1966 1667 e konsideron të fituar nga Tirana. Madje, ajo jo një herë i ka bërë apel FSHF së, që të ndërhyjë për ta korrigjuar historinë dhe për ta ndrequr këtë padrejtësi.

Besoj se i kemi parë herë pas here parullat e tyre, të vendosura në shkallët e stadiumeve të kryeqytetit. Ndërkohë, gazetari i njohur sportiv, shkrimtari Skifter Këlliçi, i nxitur nga kjo dramë e madhe sportive e vitit 1967, siç e konsideron ai, ka shkruar edhe një roman me titullin “Tirana”, dy orë para dënimit”

Më tepër se një dekadë më parë, e kam hapur për herë të parë këtë “Dosje tabu” sportive të vitit 1967. Nuk ishte shkruar kurrë më parë për këtë histori, ndonëse për të flitej në qarqet sportive apo në mjediset e tifozëve të kryeqytetit. Ndërrimi i sistemeve, ardhja dhe vendosja e sistemit demokratik në vendin tonë, ma krijoi këtë mundësi. Të flisje apo të shkruaje për të, në kohën e sistemit monist, ishte një gjë mjaft e frikshme, pasi konseguencat apo pasojat, mund të çonin përpara “Nenit 55” dhe çdokush mund të akuzohej për agjitacion e propagandë. Në gjurmim të fakteve, kam kontaktuar me personazhet e kësaj ngjarjeje “tragjiko komike” për ditët e sotme. Kam biseduar gjatë dhe për shumë gjëra me trajnerin e 17 Nëntorit të asaj kohe, të ndjerin e famshëm Myslym Alla.

Kam folur me dy personazhet kryesore të implikuar në këtë ngjarje incident, ish futbollistin e bardhebluve, mjeshtrin Osman Mema, dhe ish futbollistin e Partizanit, kavajasin Agim Dizdari, i cili tani jeton në Itali. Kam kontaktuar edhe me Zyber Konçin, që atëherë ishte sekretar, dhe Alfred Kazanxhiun, që ishte kryetar i FSHF së, për ta ndriçuar këtë ngjarje, por ata nuk më kanë thënë ndonjë gjë me vlerë, duke u justifikuar me kujtesën dhe largësinë kohore të ngjarjes. Këto shkrime, në një cikël periodik dhe të gjatë, mund t’i gjeni në arkivat e gazetës “Sporti shqiptar” të vitit 1996. Ato mbylleshin me një apel drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit për nevojën e rishikimit të historisë së futbollit tonë dhe rikthimin e një titulli kampion Tiranës, i cili në mënyrë arbitrare dhe aspak të ndershme, pas intrigave dhe kulisave të qarqeve të caktuara të atij sistemi diktatorial, u ishte “vjedhur” asokohe bardhebluve, kupë që për të qenë të ndershëm dhe luajalë, ende sot e ka vendin bosh në vitrinën e trofeve të Tiranës.

Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë, në atë ndeshje të 25 qershorit 1967, ku nis edhe kjo histori mbi 40 vjeçare, e veshur ende me tisin e harresës dhe të enigmës?

Në kampionatin e vitit 1966, për herë të parë pas çlirimit, kampione e Shqipërisë u shpall 17 Nëntori, siç quhej atëherë Tirana. 6 titujt e fituar nga SK “Tirana” (1930 1937) në kampionatet kombëtare të futbollit gjatë periudhës së Mbretërisë, jo vetëm që nuk llogariteshin, por as guxoje t’i mendoje. Kështu që kjo ishte një ngjarje me përmasa të veçanta për futbollin në vendin tonë. Bardheblutë prishën hegjemoninë e Partizanit dhe Dinamos në fitimin e titujve kombëtarë të futbollit, që për dy dekada alternonin njëri tjetrin.

Fillimisht, nga gjeneralët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Mbrendshme, që “de facto” ishin edhe si presidentët e sotëm të këtyre ekipeve, kjo ngjarje, për ngushëllim, u konsiderua si rastësi. Por koha tregoi se nuk ishte kështu. Në kampionatin pasardhës, 17 Nëntori nuk e uli tempin, vazhdoi të luante me petkun e kampiones dhe të kryesonte renditjen. Katër javë para se të përfundonte ky kampionat, Tirana kryesonte me 33 pikë, e ndjekur nga Dinamo me 31 dhe Partizani me 25 pikë. Ndeshjet e kësaj jave ishin kyçe për fatin e titullit. Tirana do të luante me Partizanin, ndërsa Dinamo do të luante në Shkodër me Vllazninë.

Dhe ja tek erdhëm tek 24 qershori, kur në stadiumin « Qemal Stafa » do të ndesheshin 17 Nëntori me Partizanin. Për çudi, atë ditë ishte e shtunë. Themi për çudi, pasi atëherë në vendin tonë ndeshjet e futbollit zhvilloheshin vetëm të dielave. Psenë e këtij ndryshimi nuk kam arritur ta mësoj, por vetëm ta hamendësoj, pasi një ditë më pas, të dielën, në Shkodër do të luante Vllaznia me Dinamon (?!)

Sidoqoftë, atë ditë, Tirana fitoi 2 1 ndaj Partizanit, në një ndeshje mjaft të fortë, ku veçanërisht në pjesën e dytë pati aty këtu edhe lojë të ashpër. Megjithatë, golin e fitores për bardheblutë e shënoi i ndjeri Bahri Ishka, i cili luante sulmues i majtë i bardhebluve. Pas këtij rezultati duhet nënkuptuar gëzimi i tifozëve të Tiranës, të cilët tani e kishin thuajse të hapur rrugën drejt titullit, pasi ata do të ndesheshin me Tomorin e Beratit, Lokomotivën e Durrësit dhe Traktorin e Lushnjës, kundërshtarë relativisht më të lehtë për t’u mundur…

Ndërkohë që futbollistët u ishin drejtuar dhomave të zhveshjes, në mjediset e brendshme të stadiumit « Qemal Stafa » ndodh një incident midis futbollistit të Tiranës, Osman Mema, dhe futbollistit të Partizanit, Agim Dizdari, i cili në atë ndeshje nuk u aktivizua. Zënka u shua menjëherë. Mirëpo kaq ka mjaftuar, që « gijotina » e atij sistemi « të qoftëlargut » të godiste pa mëshirë Tiranën.

Të martën, më 27 qershor, në gazetën « Sporti Popullor », e vetmja gazetë sportive që dilte asokohe në vendin tonë, botohet « ferman katili » i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili përjashtonte nga kampionati kombëtar të dyja skuadrat, si 17 Nëntorin dhe Partizanin, për shfaqje të theksuara antisportive në ndeshjen ndërmjet tyre (?!)

Që nga ajo ditë ka kaluar shumë kohë, por jo sa për ta harruar. Një pjesë e mirë e personazheve të saj janë gjallë dhe e rikujtojnë me saktësi se çfarë ka ndodhur atë ditë. Të tjerë heshtin, punë e tyre. E megjithatë, ne, në prag të derbit të 129 të midis Tiranës dhe Partizanit, po e rihapim këtë « Dosje ». Thjesht për të revokuar një ngjarje, por, pse jo, edhe për ta ndrequr historinë e futbollit tonë. Qoftë edhe moralisht…

Rivaliteti me Tiranës dhe Partizanit

Edhe sot e kësaj dite, rivaliteti midis dy ekipeve kryeqytetase, Tiranës dhe Partizanit, është shumë i madh, si brenda fushës dhe jashtë saj. Tifozëritë respektive, në derbin e fundit, nuk harruan të ironizonin edhe me banderola të ndryshme, për të poshtëruar psikologjikisht kundërshtarin. Sipas trajnerit të njohur Enver Shehu, e gjithë kjo situatë ka precipituar deri këtu, sepse Partizani ka qenë ekip i shtetit dhe bënte çfarë të donte me lojtarët e skuadrave të tjera. “Partizani atë periudhë ka pasur mbështetjen e shtetit dhe trajtohej shumë mirë në të gjitha aspektet, në krahasim me Tiranën apo ekipet e rretheve.

Kushtet e tyre të stërvitjes, por edhe ushqimi, ishin të një niveli të lartë për kohën që kalonim. Shpeshherë, lojtarët që spikatnin te 17 Nëntori drejtuesit e shtetit i rrëmbenin gjoja me justifikimin për të kryer zbore apo shërbimin ushtarak dhe më pas nuk i lejonin më të largoheshin. Kështu ndodhi edhe me Panajot Panon, i cili ka dalë nga ekipet e 17 Nëntorit, por famën e arriti te klubi i kuq. Duke parë të tilla favorizime, si dhe për faktin se ata që ishin te 17 Nëntori konsideroheshin kundër shtetit, lindi dhe kjo urrejtje respektive mes të dy ekipeve,” bën të ditur Enver Shehu.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.