1902, kryengritja kundër turqve në Shëngjergj të Tiranës. Zbardhen raportimet e diplomatëve austriakë

Kontributi i krahinës së Shëngjergjit të Tiranës ka qenë i pranishëm direkt dhe indirekt në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që ka kaluar Shqipëria. Duke qenë se historianët me ose pa dashje nuk e ka bërë si duhet punën për pasqyrimin e ngjarjeve të vitit 1902, është me vend të sjellim me fakte të pakundërshtueshme  kryengritjen e popullsisë së Shëngjergjit kundër pushtuesve turq. Megjithëse ka dokumenta të arshivuara për këtë ngjarje të sjella nga Viena, në mënyrë të çuditshme heshtet sikur të mos ketë ndodhur asgjë, apo më keq bëhet loja e të paditurit.

Pavarësisht se ka kaluar vite e vite, raportimet e diplomatëve austriakë të kohës na e sjellin të qartë ngjarjen, si për të na thënë se “ne e bënë detyrën tonë, tashmë është radha juaj ta publikoni”. Po ashtu dhe dëshmitarët e këtyre ngjarjeve nuk reshtën së treguari, duke na e bërë më të lehtë të tregojmë se çfarë ndodhi në Shëngjergj në korrik të vitit 1902.

Si rezultat i punës së madhe që bënë patriotët e organizuar në klubet përparimtare të kohës, në drejtim të inkurajimit dhe të nxitjes së urrejtjes për pushtuesin e të dashurisë për lirinë indipendencën,  gjuhën, kulturën e zakonet, populli i Shëngjergjit bëhet përkrahës i flaktë duke u hedhur me armë në dorë kundër okupatorit dhe tradhëtarëve të vendit.

Pikërisht më 11 korrik 1902 ushtarë turq dhe bashibozukë  të komanduar nga majori (bimbashi) Kurt beg Çela dhe majori H.Vogli  në mënyrë të befasishme shkojnë në Shëngjergj të Tiranës, pozicionohen në vende dominuese dhe në të njëjtën kohë kryejnë edhe punime fortifikuese.

Qëllimi ishte i qartë: të ndëshkoheshin të gjithë ata që nuk zbatonin ligjin e mobilizimit ushtarak, nuk paguanin taksat me shumën 50 mijë groshës dhe padyshim goditja e tyre që përkrahnin idetë e rilindasave dhe vendimet e Lidhjes se Prizrenit. Në atë periudhë, në Shëngjergj shumë patriotë të kësaj krahine po bashkëpunonin me organizatat patriotike kundër Turqisë për liri dhe mësimin e gjuhës shqipe.

Në dëshmitë e kohës, të cilat janë të arshivuara, diplomatët austiakë janë shprehur se krahina e Shëngjergjit nuk i përfillte masat e qeverisë turke. Pra e vetmja rrugë për turqit ishte ta shuanin qëndresën e kësaj krahine me anë të raprezaljeve.

Për ta realizuar qëllimin, një grup ushtarësh dhe mercenarësh u drejtuan fillimisht drejt shtëpisë së Xhafer Shtëpanit ku ishin të pozicionuar mjaft persona të gatshëm për të dhënë jetën si: Xhafer & Islam & Osman Shtëpani, Haxhi Dusha, Muharrem Duka, Arif Keta dhe 100-vjeçari Dan Varrosi. Rreth 100 metra larg shtëpisë, rruga ishte e bllokuar me gurë. Sipas dëshmitarëve të kohës dhe diplomatëve austriakë, turqit kishin urdhëruar të digjej shtëpia, sepse kjo familje ishte ngritur kundër Portës së Lartë. Në këtë kohë, Islam Shtëpani i drejtohet ushtarëve të largoheshin se nuk kishin punë me ta. Po ashtu t’i dërgonin selam Kurt begut se po ja mbajti le të vijë vetë e t’i vërë zjarrin shtëpisë. Pas këtij ultimaumi, ushtarët zgjodhën rrugën e largimit.

Krahas forcave vëndase në Shëngjergj kishin ardhur në ndihmë të fshatarëve shumë forca nga Martaneshi, Çermenika dhe Zallbastari. Dy bimbashët ishin stacionuar në shtëpinë e një shëngjergjasi, ku dhe komandonin mercenarët. Disa djem trima të kësaj krahine si: Veli Dusha (i vjetri), Musa Pema ,Dervish Toska(Shtëpani) i kërcënuan ato se do t’i digjnin brenda duke i detyruar  të largoheshin nga kulla. Të nesërmen e kësaj ngjarje forca të tjera mercenarësh mësyjnë drejt Shëngjergjit, por rezistenca e popullsisë së krahinës i detyrojnë të kthehen nga kishin ardhur. Vazhdimi i rrethimit të Kurt begut nga kryengritësit e detyruan Valiun e Shkodrës të urdhëronte largimin e forcave turke nga Shëngjergji.

Raportimet e diplomatëve austriakë

Diplomati  Kucatkovski  raporton më datën 19 korrik 1902. “Kam bërë një turne më 16 të këtij muaji në malësinë e Tiranës(Sanxhaku i Durrësit) në një krahinë që deri më sot nuk është vizituar nga asnjë i huaj Unë arrita në Shëngjergj pas një udhëtimi 8-orësh më kalë. Ky është një lokalitet që ka 500-600 shtëpi me afërsi  2500 banorë, shqiptarë myslimanë e që janë administruar deri diku më vete”. Diplomati austriak thotë se më 11 korrik 1902 kishin ardhur këtu në Shëngjergj  Kurt beg Çela së bashku me majorin H.Vogli me  50 ushtarë e 45 të ashtuquajtur xhandarë, por në të vërtëtë kusarë nga më të dëgjuarit në malësitë katolike. Kurt begu kërcënonte se do të shkatërronte gjithë fshatin, nëse nuk do të plotësoheshin kërkesat e tij. U vendos me disa forca në qendër të fshatit, ku bëri shumë përforcime. Qëndronte në pritje të ardhjes së forcave të tjera. Fshatarët kishin vendosur të kalonin në ekstremitet. Fëmijët dhe gratë ishin larguar nga fshati për në Bizë, ndërsa fshatarët kishin lidhur besën me njëri-tjetrin për të mbrojtur të drejtat e tyre. Në ndihmë të fshatarëve kishin ardhur 2500 pushkë nga krahina e Bendës dhe Çermenikës, të cilët pushtuan lartësitë mbi fshat të gërshetuara këto forca me vendorët. Kjo qe arsyeja që unë vendosa të njoftoj Kurt begun për një përplasje të mundshme, ky i fundit nuk më përfilli duke deklaruar se ai vepronte sipas urdhërave të Valiut të Shkodrës. Ardhja e forcave dështoi, pavarësisht përpjekjeve të tij. Pasi pa situatën në terren, diplomati kthehet në Tiranë me qëllim që të vinte në dieni Kajmekanin për seriozitetin e situatës. Ai mund të ishte informuar keq.

Kurt begu me veprimet e tij nuk kishte qëllim të vendoste masa administrative (pagesën e taksave), por kishte si qëllim humbjen e shpresës së bejlerëve të Tiranës patriote, se nuk do të mbështeteshin nga malësorët e Shëngjergjit në interest të atdheut, kombit, për liri e pavarësi.

Diplomati Polanz raporton “marr leje dhe i drejtohem Shkëlqesisë tuaj që të kthehet vëmendja e Portës së Lartë mbi veprimtarinë e Kurt begut që t’i jepet fund veprimtarisë së tij të rrezikshme. Identikisht unë po raportoj në Stamboll e në Shkoder me numër 14 pol. Respekti im i thellë V. Polanz.

Diplomati Kviatkovski në relacionin e tij bën me faj Valiun e Kajmekanin që kishin lejuar këtë gjendje e që mashtrohen nga Kurt begu. Ai raporton se përveç nënshtrimit të Shëngjergjit Kurti kishte në plan dhe hakmarrjen personale kundër familjes Shtëpani duke e menduar këtë si punë të lehtë. Ai nuk kishte marrë parasysh, as propozimet e Mytesarfit të Durrësit i cili e njihte shumë mirë situatën në Shëngjergj.

Shumë i nderuar Kont!

Për shkak të qëndrimit të pavendosur të qeverisë, situate në Shëngjergj dhe në malësi është keqësuar dhe më tej. Kurt begu nuk e zbatoi urdhërin për t’i larguar forcat, ndërsa malësorët janë të vendosur t’i largojnë me forcë ato. Deri më tani gjak nuk është derdhur, forcave kryengritëse vazhdojnë tu vijnë në ndihmë krahinat fqinje. Numri i forcave kryengritëse arrin në 5700 vetë, ndërsa bejlerët e Tiranës kanë lidhur besë me malësorët kryengritës me Xhafer Shtëpanin për t’i ndihmuar fshehurazi. Më 24 korrik përfaqësuesit e Bendës dhe Tomadhesë janë mbledhur në Shëmri (fshat në Shëngjergj) ku është kërkuar me këmëngulje largimi i Kurt begut, falja e taksave dhe rekrutëve.

Fort I nderuar Kont!

Sugjerimi i Këshillit Administrativ të Kazasë e bejlerëve me ide kombëtare të njoftuara më 23 korrik 1902, Nr.15 për qetësimin e gjendjes në malësinë e Tiranës pati deri diku sukseset e dëshiruara, por nga ana tjerër Kajmekani ka bërë të gjitha përpjekjet që Kurt begu të mos tërhiqet. Në këtë kohë vijnë në Shëmri bejlerët e Tiranës të cilët planifikuan të bëjnë një mbledhje me 24 Korrik me 24 fshtarat e malësisë.

Në këtë mbledhje u firmos lidhja që ekzistonte dhe u morën vendime të tjera si reduktimi i taksave, tërheqja e Kurt begut, falja e rekrutëve të arratisur në male. Falja e te dënuarve në mungesë dhe për hakmarrje. Plotësimi i këtyre kërkesave do të qetësonte gjendjen duke garantuar kështu Mehmet Pashain. Po ashtu bejlerët morën përsipër të ndalonin hakmarrjen në Shëngjergj duke bërë një pajtim të përgjithshëm.

Nga ana tjetër baroni Kollicë do të ndërhyje pranë organeve kopetente për të ndërprerë veprimet brutale të Kurt begut.

Sipas kronikanëve të kohës kjo qe goditja e parë kundër Kurt begut dhe njëkohësisht goditje e influencës së Portës së Lartë në trevat e malësisë. Më 29 korrik,  Kurt beg Çela largohet i turpëruar dhe me kokën ulur nga Shëngjergji i cili e festoi fitoren me këngë dhe valle.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.